Zbardhet takimi i fshehtë në zyrën e Enverit, pse u akuzua Mehmeti për sabotim të Kombinatit Metalurgjik

Dec 21, 2021 | 18:25
SHPËRNDAJE
HAJREDIN ÇELIKU (MAJTAS) ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU
HAJREDIN ÇELIKU (MAJTAS) ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU

AFRIM IMAJ/ “Të gjitha dështimet dhe traumat e regjimit kanë për autor Mehmet Shehun”.

Fantazia e shfrenuar e Enver Hoxhës pas goditjes që shkaktoi vetëvrasja e Kryeministrit mbrëmjen e 17 dhjetorit ’81, finalizohet kësisoj me qasje të tilla paranojake, duke kapërcyer çdo arsyetim njerëzor. Për të mbërritur deri këtu, shefit të regjimit ia do puna të mbledhë fakte e prova nga goja e bashkëpunëtorëve, të cilët kanë punuar me Mehmet Shehun për dekada me radhë dhe më në fund gjejnë rastin për të adresuar në emër të tij një mori me prapësina, që nuk kanë guxuar t’ia thonë në ngjallje.

E gjitha kjo, kur Kryeministri i vetëflijuar i shënjuar për t’u kryqëzuar kishte sfiduar papritur gjithë skemën e Hoxhës për ta kaluar në sagën vrastare, me stigmatizime në mbledhje byroje e plenumi, që përligjnin fillimisht uljen në përgjegjësi shtetërore e partie dhe përfundonin me dënimin me vdekje.

Mirëpo, viktima e radhës që e njihte mirë këtë mekanizëm vrastar të shefit të tij i dha fund jetës, duke mbetur deri ditën e fundit Kryeministër i Shqipërisë. Ndryshe nga rastet e tjera, kur Hoxha ua përplaste në fytyrë “tradhtitë” bashkëpunëtorëve, këtë herë ish-mikut të tij duhej t’ia provonte në kushtet postmortum.

Tashmë që nuk funksionoi skema e eliminimit, ku epilogu tragjik përmbyllte një fushatë të tërë denigruese, Hoxha nxitoi të ndërtojë një skemë tjetër, e para e këtij lloji në praktikën e tij shfarosëse. “Prapësitë” që Shehut s’ia kishte vënë njeri në dukje sa ishte gjallë, Hoxha do bënte çmos t’ia rreshtonte një nga një pas vdekjes. Sipas tij, rasti nuk kishte të bënte me një marrëzi të zakonshme, por me një aktivitet të ethshëm agjenturor kundër regjimit dhe pushtetit popullor.

Hajredin Çeliku gjatë inaugurimit të një prej uzinave të Kombinatit Metalurgjik
Hajredin Çeliku gjatë inaugurimit të një prej uzinave të Kombinatit Metalurgjik

Për të plotësuar “tablonë e zullumeve” të ish-Kryeministrit, shefi i partisë vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat zyrtarë që drejtoheshin prej tij. Në dosjen sekrete që ruante në kasafortën e tij, Hoxha ka arkivuar me dhjetëra dokumente me raporte e informacione të rezervuara për të, për aktivitetin e dyshimtë të Shehut.

Aty janë porositë e para për të arrestuar Fiqiret e Feçor Shehun, por edhe një mori diskutimesh me drejtues të lartë të partisë e shtetit, të cilët i janë përgjigjur kryeshefit me dyshimet që kanë pasur për ish-Kryeministrin e vetëvrarë. Fill pas ngjarjes së kobshme të dhjetorit ’81, janë thirrur nga Hoxha me radhë Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Manush Myftiu, Muho Asllani, Adil Çarçani e tjerë, të cilët kanë ekspozuar para tij edhe detajin më të rëndomtë që mund të komprometonte Shehun.

Interesante është ndër to biseda me Hajredin Çelikun, asokohe anëtar i Byrosë Politike dhe drejtor i Kombinatit Metalurgjik, i cili ka mbajtur shënim të gjitha rastet e avarive dhe ngjarjeve të jashtëzakonshme në këtë vepër të rëndësishme dhe zbulon para Hoxhës, sipas mënyrës së tij, rolin e Kryeministrit të vetëvrarë në këto ndodhi sabotuese. Duke filluar nga sot, “Panorama” do të publikojë pjesët kryesore të bisedës së panjohur, që Hoxha ka bërë me Çelikun më 29 prill 1982…

TAKIMI I SHOKUT ENVER HOXHA NË ZYRË ME SHOKUN HAJREDIN ÇELIKU, NË DATËN 29 PRILL 1982

Në takim, shoku Hajredin e informoi për veprimtarinë e dyshimtë të kryer nga ish-drejtuesit e Ndërtim-Montimit të Kombinatit Metalurgjik, për lidhjet e dobëta e mungesën e ndihmës së mjaftueshme të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave për këtë vepër, si dhe për disa probleme, siç janë në kombinat sigurimi i punëtorëve të kualifikuar, përmirësimi i transportit të punëtorëve e të mineralit nga qyteti në vepër etj..

ENVER HOXHA: Kur u takuam në mbledhjen e Byrosë Politike javën që kaloi, më the se kishe për të më treguar diçka në lidhje me sabotimet që kanë bërë në Kombinatin Metalurgjik Mehmet Shehu me disa të tjerë. Mund të më thuash çfarë ke konkretisht Hajredin për këtë? Vinte shpesh atje Mehmet Shehu?

HAJREDIN ÇELIKU: Si urdhëron, shoku Enver. Ai vinte në Elbasan nganjëherë edhe për gjueti, bile që të premten, rrinte pastaj të shtunën e të dielën.

ENVER HOXHA: Di gjë ti me kë vente më shumë për gjueti dhe kush e shoqëronte?

HAJREDIN ÇELIKU: Të them të drejtën, nuk e kam ndjekur nga kjo anë, po zakonisht me suitën e tij vente. Të tjerët nuk më kujtohen, as që i kam vënë re, se ndonjëherë rrallë e tek jam takuar në këto raste me të, gjithsej rreth tri herë na ka thirrur ne të tjerëve.

ENVER HOXHA: Ku, në shtëpinë e pritjes në Elbasan?

HAJREDIN ÇELIKU: Jo, jo, lart në vilën e Elbasanit më ka thirrur mua bashkë me Pirron dhe me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit.

ENVER HOXHA: Kush ka qenë nga njerëzit e suitës së tij? Ka qenë ndonjëherë me të Zija Kamboja?

HAJREDIN ÇELIKU: Zija Kambonë nuk e kam parë. Mbase mund të ketë qenë, po për vete nuk e kam parë.

ENVER HOXHA: Po kush ka qenë tjetër?

HAJREDIN ÇELIKU: Të tërë ata që e shoqëronin, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Aaa, vinte vetëm me ata që e shoqëronin, jo me të tjerë.

HAJREDIN ÇELIKU: Ata që e shoqëronin kanë qenë atje, kur na ka pasë thirr ne.

ENVER HOXHA: Ata ëë, po tjetër çfarë kishit?

HAJREDIN ÇELIKU: Në mbledhjen e Byrosë Politike të ditës së shtunë ju na folët prapë për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe vutë theksin se ai nuk duhet të ketë 1ënë pa prekur ekonominë. Dhe, si degë shumë e rëndësishme e ekonomisë sonë, siç e keni cilësuar ju, është edhe metalurgjia, kolona vertebrale e industrisë së rëndë të vendit tonë. Kjo degë patjetër nuk ka qenë lënë mënjanë nga ata të tij. Këto që kanë ndodhur atje më kanë rënë në sy, i kam diskutuar me shokët, i kam bërë problem, u kam dërguar edhe informacion jo vetëm organeve të partisë në rajon, po edhe partisë e pushtetit në rreth.

ENVER HOXHA: Te kush i ke bërë këto informacione?

HAJREDIN ÇELIKU: Te Sekretari i Partisë së rajonit të Kombinatit Metalurgjik, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Kush është Sekretar i Komitetit të Partisë atje?

HAJREDIN ÇELIKU: Vehbi Maksuti.

ENVER HOXHA: Është në rajonin tuaj ai?

HAJREDIN ÇELIKU: Si urdhëron, në rajonin tonë metalurgjik është. Po nuk u kam raportuar vetëm këtyre. Unë u jam drejtuar edhe në rreth shokut Pirro Kendi, kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Ministrisë së Industrisë e Minierave, njëkohësisht edhe Kryeministrisë. Më në fund, informova përsëri kur arritën kulmin veprimet e dyshimta të mosvënies së masës së hekurit në bazamentin e furrnaltës së dytë, me diametër 6 metra e gjatë dhe dy metra gjysmë e lartë, se gjoja e kishin harruar.

ENVER HOXHA: Pastaj m’i thuaj këto.. Tani më trego kush është atje kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit?

HAJREDIN ÇELIKU: Kryetar i Komitetit Ekzekutiv është Ferdinand Shkalla. Ky ka qenë më parë sekretar partie në rreth, pastaj u bë kryetar.

ENVER HOXHA:  Po ministër i Industrisë e Minierave, kush ka qenë në atë kohë?

HAJREDIN ÇELIKU: Ministër ishte shoku Xhafer Spahiu, më vonë erdhi shoku Prokop Murra.

ENVER HOXHA: Atëherë, m’i thuaj tani ato që nise.

HAJREDIN ÇELIKU: Po, doja t’ju thosha, sidomos kur u arrit kulmi me veprimin e “harresës” për vendosjen e masës së hekurit në furrnaltë.

ENVER HOXHA: E ke fjalën tani për furrnaltën e dytë?

HAJREDIN ÇELIKU: Po, për furrnaltën e dytë, shoku Enver. Hekuri gjoja u harrua të vendosej kur ndërtohej furrnalta. Prandaj, që këtu të lind dyshimi se një shtyllë e hollë nga të vreshtave, përgatitur me fije hekuri të holla brenda, i bie çdokujt në sy, nuk harrohet. Atëherë lind pyetja: Gjithë ky bazament i madh që parashikon projekti të vendoset mbi të një masë hekuri prej 2 tonë e gjysmë apo 2500 kilogramë, si e përse u harrua?

ENVER HOXHA: Nga kush u harrua?

HAJREDIN ÇELIKU: Vendosja e kësaj mase hekuri në bazament u harrua nga punonjësit e Ndërtim-Montimit.

ENVER HOXHA: Domethënë, betoni mbeti i gjithi atje pa u shoqëruar e pa u lidhur nga asnjë kilogram hekur?

HAJREDIN ÇELIKU: Gjithë ky masiv i madh pa asnjë kilogram hekur mbeti, në një kohë kur hekuri parashikohet në projekt që të vendoset.

ENVER HOXHA: Pa asnjë kilogram? Po sa duhet të ishte ky hekur që duhej vendosur atje?

HAJREDIN ÇELIKU: Duhej të ishte dy tonë e gjysmë..

ENVER HOXHA: Dy tonë e gjysmë? Po kush nuk e vendosi atë në bazament?

HAJREDIN ÇELIKU: Punonjësit e Ndërtim-Montimit. Është një masiv i madh ky, që projekti e ka mirë parasysh. Megjithatë, u quajt si diçka “e harruar”.|

ENVER HOXHA: Po kush e harroi?

HAJREDIN ÇELIKU: Punonjësit e Ndërtim-Montimit. Drejtori i Ndërtim-Montimit ka qenë në atë kohë në Kombinatin Metalurgjik Feruz Mataj.

ENVER HOXHA: Feruz Mataj? Dakord. Po pse?

HAJREDIN ÇELIKU: Kam për ta thënë mendimin tim për ketë “harresë”.

ENVER HOXHA: Domethënë, Feruz Mataj ka qenë në atë kohë drejtor i Ndërtim-Montimit të Kombinatit Metalurgjik. Ky e harroi këtë masë të madhe hekuri atje?

HAJREDIN ÇELIKU: Ky duhet të përgjigjet për këtë mungesë apo harresë, se ka qenë atje drejtor i NdërtimMontimit.

ENVER HOXHA: Po si mund të bëhej betoni pa hekur?

HAJREDIN ÇELIKU: Jo vetëm që “u harrua” shoku Enver, por kur një punëtor ngriti zërin për këtë çështje, i thanë: “Mbylle gojën ti për këtë punë!”

ENVER HOXHA: Kush i ka thënë kështu?

HAJREDIN ÇELIKU: Ata që merreshin me ndërtimin e furrnaltës. Kjo çështje nuk mund të jetë harruar, se nuk është diçka e vogël, prandaj këtu lind me të drejtë dyshimi.

ENVER HOXHA: Kush ishte drejtuesi i punimeve të furrnaltës?

HAJREDIN ÇELIKU: Udhëheqëse e punimeve të furrnaltës ka qenë një inxhiniere. Kjo paska shkuar shumë mirë me kinezët, po kështu mirë ka shkuar edhe me suedezët, që kanë ardhur atje më vonë. Megjithëse bëri tërë këtë proçkë dhe u tha sikur hekuri gjoja ishte harruar.

ENVER HOXHA: Sa ton u desh për gjithë atë bazament me 6 metro diametër?

HAJREDIN ÇELIKU: Për armaturën brenda, që duhej të lidhte tërë këtë beton, duheshin 2500 kg hekur.

ENVER HOXHA: Për armaturën? Po si e lanë në harresë atë masë të madhe hekuri?

HAJREDIN ÇELIKU: Kjo masë hekuri nuk u fut fare në bazament, po kur ne e morëm vesh ngjarjen, e ngrita si problem dhe bëra të tëra demarshet për t’u kryer puna sipas projektit, u gjet mënyra nga ana e ndërtuesve si, qysh e tek për ta riparuar “harresën”. Për ketë çështje, meqenëse ishte kulmi i veprimtarisë së papërgjegjshme, informova të gjitha hallkat, duke arritur më në fund deri te Mehmet Shehu. Sigurisht, atij shkurtimisht ia raportova ngjarjen, në një faqe e gjysmë material, si për furrnaltën, për ajërngrohëset, ashtu edhe për disa punime të tjera që nuk ishin kryer sipas projektit.

ENVER HOXHA: Lëri të tjerat, po përqendrohu një herë këtu te furrnalta.

HAJREDIN ÇELIKU: Përveç materialit që i dërgova me shkrim, i thosha Mehmet Shehut se në qoftë kërkoni të dhëna e shpjegime të tjera, jam gati të vij t’jua tregoj verbalisht. Por ai as që u ndie. Më vonë, kur pa që unë nuk e lashë në heshtje këtë çështje, çoi shokun Qirjako Mihali. Ishte gjetur edhe mënyra si të riparohej, që hekuri të vihej sipas projektit. Tani vërtet u riparua objekti, mirëpo, përveç veprimtarisë së dyshimtë që duhej parë, gjithë kjo punë e tepërt solli edhe dëme nga ana ekonomike, u bënë shpenzime të tjera plotësuese që arrijnë në rreth një milion lekë. Si do të justifikohej ky shpenzim dhe nga dolën këto para? Po jo vetëm kaq, është me rëndësi pastaj edhe ana politike e çështjes, se armiqtë tanë do ta shfrytëzojnë këtë rast për të propaganduar se shqiptarët nuk janë të zotët të bëjnë një furrnaltë. Dhe përveç këtyre, do të ishte e keqe mbi të gjitha të ndodhte nga kjo “harresë” gjatë shfrytëzimit, kur për shkak të mungesave në zbatimin e projektit, do të na vriteshin njerëz të tjerë. Lidhur me këtë veprim të dyshimtë, unë lidh edhe dy katastrofat që kanë ndodhur në Uzinën 12 të Kombinatit Metalurgjik.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura