Zbardhet vendimi, Qeveria miraton 300 kuota për kredi për punonjësit e administratës! Si do të bëhet ndarja e përfituesve

Jun 20, 2024 | 8:35
SHPËRNDAJE

VOLTIZA DURO/ Sipas vendimit të miratuar ditën e djeshme nga qeveria, 300 punonjës të administratës publike do të përfitojnë kredi me zero interes për vitin 2024.

qeveria-keshilli-i-ministrave

Sot zbardhet i plotë vendimi “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike e Këshillit të Ministrave”.

NDARJA E KUOTAVE

Në këtë vendim bëhet edhe ndarja e kuotave të punonjësve përfitues sipas ministrive përkatëse. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 64/3 e 64/5, të ligjit nr.22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi: Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2024 janë, gjithsej, 300 (treqind) dhe ndahen, si më poshtë vijon: a) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Brendshme; b) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Mbrojtjes; c) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; ç) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit; d) 45 (dyzet e pesë) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; dh) 15 (pesëmbëdhjetë) për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit,- thuhet në vendimin e qeverisë. Specifikisht përfituesit në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. “Përfituesit e Ministrisë së Brendshme do të përzgjidhen në bazë të kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Përfituesit për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit janë punonjësit arsimorë në institucionet publike të arsimit parauniversitar, si pjesë e administratës publike dhe përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, – citohet në vendimin e miratuar dje.

PËRZGJEDHJA

Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi dhe tabelat bashkëlidhur, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përfitues, për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara. Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0 (zero)%. “Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, – thuhet në vendim.

KUOTAT E KREDIVE TË LEHTËSUARA SIPAS MINISTRIVE

Ministria e Brendshme përfiton 90 kredi të lehtësuara.
Ministria e Mbrojtjes, 90 kredi të lehtësuara.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 30 kredi të lehtësuara.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, 30 kredi të lehtësuara.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 45 kredi të lehtësuara.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, 15 kredi të lehtësuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura