Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi punën e Tatimeve për vitin 2022, ka nxjerrë në pah dështimet e Drejtorit të Përgjithshëm, Ceno Klosi në krye të administratës tatimore.
Sipas KLSH, borxhi tatimor u rrit gjatë vitit të shkuar arriti në vlerën e frikshme prej 146,7 miliardë lekësh ose rreth 1,4 miliardë euro edhe pse numri i bizneseve debitore u ul me 10 mijë subjekte. Në vetëm një vit borxhi tatimor u rrit me plot 110 milionë euro.
Nën drejtimin e Cenon Klosit, Tatimet kanë një mos realizim të planit prej rreth 90 milionë eurosh, edhe pse buxheti u rishikua disa herë. Ndër të tjera KLSH evidenton faktin se tatimet që drejtohen si repart ushtarak nga Ceno Klosi kanë lëshuar dorën përsa i përket rimbursimit të TVSH vitin që shkoi, duke shpërndarë rreth 4 miliardë lekë ose, 38 milionë euro më shumë se plan i rimbursimit.
Këto veprime thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit janë në kundërshtim me ligjin për procedurat tatimore në Shqipëri dhe të ligjit për buxhetin e vitit 2022. Po te rimbursimi i TVSH, KLSH ka zbuluar se Drejtoria e këtij sektori në varësi direkte të Ceno Klosit, nëpërmjet e-mailit të datës 07.shkurt 2023, ka raportuar gjendjen e stokut të rimbursimit në shumën 0 lekë, në Drejtorinë e Kontabilitetit dhe Statistikës, për datën 31 dhjetor 2022.
Por në të vërtetë audituesit kanë konstatuar se rezultojnë 32 kërkesa për rimbursimin e TVSH-së të pranuara, por të pa miratuara në vlerën totale për 1,8 miliardë lekë, të cilat megjithëse ka kaluar afati maksimal prej 60 ditëve nga data e paraqitjes së tyre nuk janë rimbursuar.
Nga auditimi konstatohet se realizimi i kontrolleve të planifikuara për vitin 2022 është në masën 57.5 %, me një mosrealizim të planit të kontrolleve për vitin 2022 në masën 42.5 %. Neës24 disponon raportin e plotë prej 400 faqesh të KLSH me vargun e shkeljeve të tatimeve të Ceno Klosit, dhe do të zbardhë pjesë të tij në ditët në vazhdim./Balkanweb
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al