MARIGLEN KUME/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dërguar katërshes politike të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknurit, Rudina Hajdarit, Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, një e-mail ku i propozon ndryshimin e sistemit.
Sipas burimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sugjerojnë që në Shqipëri të aplikohet sistemi zgjedhor danez.
Ky sistem është i ngjashëm me atë që aplikohet konkretisht në Shqipëri, por që brenda listës së partisë, ka shanse për garë mes kandidatëve. Modeli danez është sistem proporcional rajonal me votimi preferencial. Votimi preferencial nënkupton që listat bëhen nga partia dhe renditen sipas partisë, por qytetarët mund të votojnë partinë dhe emrin e kandidatit të tyre të preferuar.
Për shembull, nëse partia X merr 50 mijë vota në Qarkun e Tiranës dhe ky numër votash është i barabartë me 5 mandate, atëherë shpërndarja e mandateve bëhet me këtë formulë. Merret lista e hartuar nga partia X dhe bëhet kjo llogaritje.
Nëse një kandidat në listën e partisë X, e cila në Qarkun e Tiranës ka marrë më shumë se 50 mijë vota, atëherë ai bëhet automatikisht deputet dhe kandidati i renditur në listën e partisë spostohet i dyti. Nëse nuk ka një individ në listën e partisë X që të ketë marrë 50 mijë vota, atëherë mandatin e fiton personi i cili është vendosur i pari në listën e hartuar nga partia X.
Për të marrë mandatin e dytë të partisë X, që ka fituar 50 mijë vota, një kandidat duhet të ketë marrë të paktën 25 mijë vota, në të kundërt mandatin e deputetit e merr personi i renditur i dyti në listën e partisë X. Kjo formulë përsëritet deri në mandatin e 5.
Për mandatin e tretë përpjesëtohet numri total i votave që ka marrë partia X me 3. Pra, nëse një kandidat, i cili është i renditur më poshtë se numri tre në listën e kandidatëve të hartuar nga Partia X, atëherë ai duhet të marrë në mënyrë individuale në Qarkun e Tiranës më shumë se 16 mijë e 666 vota.
Kjo formulë llogaritet dhe për të katërtin dhe të 5. Por nëse një kandidat i renditur më poshtë se numri 5 në listën e partisë X ka marrë 11 mijë vota, atëherë ai zëvendëson kandidatin e listës së partisë X, që është renditur i 5-ti, i cili sipas formulës së sistemit danez, i quajtur metoda e D’Hondt, del me 10 mijë vota të partisë.
Siç vërehet, sipas sistemit danez që emërtohet metoda e D’Hondt, emrat e parë të listës rajonale të partisë e kanë më të sigurt mandatin dhe gara rritet për kandidatët që janë listuar pranë pragut fitues të partisë, ku edhe përpjesëtuesi është më i lartë.
KORREKTIMI
Sistemi danez ka dy lista. E para është ajo proporcionale rajonale me votim preferencial, ndërsa lista e dytë është lista e mbyllur kombëtare. Në këtë listë, mblidhen votat në rang kombëtar dhe në bazë të një herësi që përcakton formula, shpërndahen mandatet.
Kjo formulë mundëson që nëse me sistemin aktual një parti që merr në rang kombëtar, për shembull, 50 mijë vota, por nuk merr asnjë deputet sipas listës proporcionale rajonale, me listat korrektuese mund të ketë përfaqësues në parlament. Se sa adekuate mund të jetë ky sistem për Shqipërinë, pritet që të diskutohet në ditët në vijim.
Ambasadorja Kim, për herë të dytë në Kryeministri brenda një jave
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shkoi për herë të dytë brenda një jave në Kryeministri. Dje mësohet se kryediplomatja amerikane është takuar me Kryeministrin Edi Rama. Pas takimit, nuk pati një njoftim për mediat, por vizitat e kryediplomates amerikane në zyrën e Kryeministrit vijnë në një kohë që ka ngecur puna e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore dhe po ashtu është rritur tensioni politik, për shkak të shembjes së Teatrit Kombëtar në fundjavë. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tregoi detaje lidhur me takimin që pati me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Sipas Ramës, ka diskutuar jo vetëm me ambasadoren Kim, por edhe me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë rreth Reformës Zgjedhore.
“Kemi qenë së bashku me disa përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, me të cilët kemi ndarë shqetësimin për domosdoshmërinë e rifillimit të menjëhershëm të punës për Reformën Zgjedhore, sepse ajo është detyrim i përbashkët ndaj të gjithë publikut shqiptar”, tha Rama për “Euronews Albania”, i cili kujtoi se reforma është kërkuar edhe nga BE-ja dhe ajo duhet materializuar në tryezën e përbashkët sipas rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it. Reforma zgjedhore aktualisht është ndalur, pasi opozita nuk ka qenë prezente në mbledhjet e Këshillit Politik, kjo si reagim ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Kemi humbur shumë kohë duke pritur miqtë që pa pritur e pa kujtuar janë mbërthyer nga pasioni për Teatrin dhe faktikisht jemi në hapat e fundit, nëse duam të arrijmë që këtë reformë ta bëjmë funksionale në zgjedhjet e ardhshme”, shtoi Rama. I pyetur për faktin se ambasadorja amerikane ka shprehur se sistemi danez mund të jetë i volitshëm për sistemin zgjedhor tonë si reformë, Rama tha se nuk e kishte dëgjuar prej saj një propozim të tillë.
“Nuk është ambasadorja amerikane e përfshirë në një temë të tillë, pasi tema është e përcaktuar nga BE, për një Reformë Zgjedhore e votuar në Parlament në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Sigurisht nuk pengohen diskutimet për sistemin, por e kam thënë që për ne ky është detyrimi, por për sistemin askush nuk e ka të detyrueshëm të bjerë dakord me pahir”, u shpreh Rama.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al