Zbulohet laboratori i kokainës në vilën luksoze të ish-policit Gëzim Çela në Laç

Jun 13, 2014 | 9:10
SHPËRNDAJE

Personazhi “u arratis” pas dënimit në Turqi.

Ish-polici Gëzim Çela, pronar i “vilës së narkotikëve”

Italia lëshoi fletë-arrest, prej dy vitesh shqiptari e shtyu me raporte mjekësore.

Prokuroria ka pohuar dje se grupi kriminal i goditur trafikonte droga të forta në rrugë të largëta ndërkombëtare.
 “Nga hetimi ka rezultuar se disa shtetas shqiptarë me banim në rrethet Kurbin, Tiranë etj. kanë bashkëpunuar me shtetas të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë në drejtim të trafikimit të lëndës narkotike të llojit “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine-Kosovë-Shqipëri, e më pas për në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian. Është shpallur në kërkim shtetasi Gëzim Çela, i cili konsiderohet një person me rol kyç në këtë grup kriminal”, thuhej dje në një njoftim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila drejtoi hetimin. Emri i Gëzim Çelës, të shpallur në kërkim së fundi, ka nisur të lakohet nga Policia që prej vitit 2003 në Shqipëri e më herët në Itali. Çela, një ish-oficer i Policisë së Kurbinit, ende nuk dihet se si e ka shmangur ekstradimin drejt Italisë, ku është i detyruar të kryejë mbi 19 vjet burg, por edhe t’i paguajë shtetit italian një shumë të konsiderueshme parash, si gjobë për aktivitetin e tij të jashtëligjshëm atje. Prokuroria tha dje se personi i shpallur tashmë në kërkim duhej ekstraduar në drejtim të Italisë, por e ka shmangur këtë procedurë pasi ka paraqitur raporte mjekoligjore sipas të cilave vuante nga sëmundje të rënda që i rrezikonin shëndetin nëse mbahej në gjendje arresti. 

ARRESTIMI NE 2012
Më 21 nëntor 2012, Gëzim Çela u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza” në momentin kur po deportohej nga Turqia pasi kishte kryer dënimin me 6 vjet burg nën akuzën e trafikut të drogës. Arrestimi i tij është kryer në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Triestes në Itali, ku Çela akuzohej si kreu i një organizate kriminale shqiptare që vepronte në linjat e trafikut në Itali. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar Gëzim Xhemal Çela, aktualisht 46 vjeç, banues në fshatin Fushë- Kuqe, Laç, i dënuar më parë, sepse Gjykata e Triestes, Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit Nr. 1197/99 RG GIP, datë 11 mars 2000, për veprën penale “pjesëmarrje në organizatë kriminale të tipit mafioz” dhe “shfrytëzim prostitucioni”. Çela është vënë në pranga në momentin që po kthehej nga Stambolli, ku kishte kryer dënimin për trafik droge. Veç urdhrit të ndalimit ndërkombëtar, Çela është i njohur edhe në Shqipëri në vitin 2003 për mënyrën se si mundi t’i shmangej shlyerjes së një dënimi me 5 vite burg për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese. Nëpërmjet disa raporteve mjekoligjore, të lëshuara nga Spitali Ushtarak, në vitin 2004 dhe nga një spital turk, sipas të cilave Çela diagnostikohej me kancer në kocka, në gjurin e djathtë, ai arriti t’i shpëtonte burgut në Shqipëri dhe u arratis drejt Turqisë, ku liria i zgjati vetëm disa muaj.

DENIMET NE ITALI
Sipas një urdhri ekzekutimi të Prokurorisë së Udines, Gëzim Çela rezulton i dënuar me burgim nga disa gjykata italiane. Në vitin 2002, Gjykata e Modenas e ka dënuar me 4 vjet burg e 1 mijë euro gjobë për tentativë shantazhi në rrethana cilësuese, me qëllim detyrimin e një vajze për të dorëzuar një sasi parash për vazhdim prostitucioni. Në vitin 2004, po kjo gjykatë, më pas edhe Gjykata e Apelit të Bolonjës në 2006-n e dënojnë Çelën me 4 vjet e 6 muaj burg e 6 mijë euro gjobë, për shfrytëzim prostitucioni. Ndërsa në vitin 1995, Gjykata e Modenas e kishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burg për të njëjtat akuza, si dhe kishte vendosur që ai të mos futej më në Itali. Gjykata e Apelit Trieste, në vitin 2008, e ka dënuar Gëzim Çelën me 10 vjet e 11 muaj burgim dhe rreth 150 mijë euro gjobë, për shfrytëzim prostitucioni, trafik droge, armëmbajtje pa leje dhe favorizim të emigracionit klandestin. Në bashkim të dënimeve në vitin 2012, Gjykata e Triestes e ka dënuar Çelën me 22 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim dhe rreth 160.847.09 euro gjobë. Por, nga falja e 3 viteve burgim, atij i mbeten për të kryer edhe 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burg. re.kr

Zbulohet laboratori i drogës në Laç
Bllokohen 75 kg heroinë e kokainë, bie në pranga edhe kimistja që kontrollonte cilësinë e lëndës narkotike.
Shtatë të arrestuar në Shqipëri e Kosovë, kapen kokainë e snajperë .

Vila ku u zbulua laboratori i droges dje ne laÇ
Zbardhen detaje nga trafiku i drogës nga pika kufitare e Kakavijës.
Një laborator heroine dhe kokaine u zbulua dje në zonën e Laçit, ku veç sasive të mëdha të drogës, u sekuestruan edhe armë automatike, snajperë dhe lëndë eksplozive. Sasia më e madhe e drogës u bllokua në një vilë luksoze pranë aksit rrugor Laç- Fushë Krujë, në krah të rrugës që shkon në Patok. Pikënisja e aksionit ka qenë dy ditë më parë, kur një kimiste, që dyshohet se punonte për rrjetin e trafikut, ka shkuar nga Tirana në Prishtinë. Pasi ka analizuar cilësinë e drogës, ajo ka dhënë miratimin, ndërsa dje, korrieri i kokainës ka hyrë në Shqipëri dhe pasi është pikasur në zonën kufitare në Kukës, është ndjekur derisa ka mbërritur te vila në zonën e Laçit, ku besohet se ndodhej laboratori i lëndës narkotike. Në mënyrë të njëkohshme në pranga kanë rënë personat e dyshuar si pjesë e rrjetit në Shqipëri dhe Kosovë.
Përzierzit e bllokuar dje në vilën 3-katëshe Laç
Në pranga përfunduan 7 persona, 4 në Tiranë, Laç e Morinë dhe tre të tjerë në Kosovë, mes tyre edhe një grua me profesion kimiste. Drejtuesi i këtij rrjeti, që sipas Policisë së Shtetit është 46-vjeçari Gëzim Çela, është shpallur në kërkim pasi nuk është arritur të arrestohej.

DROGA, ARMËT, MAKINA E BLINDUAR
“Gjatë operacionit të strukturave të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, në Shqipëri është bërë sekuestrimi i rreth 7 kg kokainë, 18 kg heroinë dhe rreth 100 kg marijuanë, si dhe 850 litra përzierës, një mjet i blinduar, si dhe armë e municione luftarake”, tha dje Policia në njoftimin zyrtar. Sipas saj, pjesa më e madhe e drogës dhe armëve u sekuestrua në vilën trekatëshe në pronësi të familjes së Gëzim Çelës, në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit. Kjo godinë dyshohet se ishte kthyer edhe në një laborator droge ku bëhej përzierja, ndarja dhe peshimi i lëndës narkotike me mjetet përkatëse. Laboratori tjetër u zbulua në Prishtinë, pikërisht atje ku kontrollohej cilësia e lëndës narkotike para se të nisej në drejtim të Shqipërisë. Burime nga Policia e Shtetit thanë se në fshatin Fushë-Kuqe u arrestua vëllai i Çelës, Kujtim Çela, ndërsa si bashkëpunëtorë të afërt të tij u prangosën edhe kimistja Valentina Tufina dhe Renald Hysolli, i cili u kap sapo kaloi kufirin me Kosovën në Morinë. Në Tiranë u arrestua Gëzim Preka, i cili priste një pjesë të kokainës që po vinte nga Kosova.

OPERACIONI
Aksioni i Policisë shqiptare dhe kosovare startoi mbrëmjen e së mërkurës në Kukës, pas hetimeve që kishin nisur prej disa muajsh nga oficerët e Antikrimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, SHISH dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. I pari që ka rënë në pranga ka qenë Renald Hysollit, i cili po kthehej nga Kosova me makinën e tij tip “Benz” ku në një vend të fshehtë, që korrespondon mbi gomën e parë të mjetit, kishte fshehur 7 kg kokainë. Hysolli ishte në ndjekje nga Policia me metoda speciale dhe doganierët e Morinit kanë kryer një kontroll të imtësishëm në mjetin e tij, duke zbuluar sasinë e drogës. Më pas ka nisur operacioni i përbashkët i Policisë shqiptare dhe asaj kosovare, i koordinuar, duke ndërhyrë në vilën e Gëzim Çelës në Fushë- Kuqe të Laçit, në dy pika të dyshuara në Tiranë dhe një tjetër në Prishtinë, ku janë arrestuar 5 persona. Në Kosovë është sekuestruar një sasi prej 50 kilogramësh drogë e fortë, heroinë e kokainë, ndërsa në Fushë-Kuqe 18 kg heroinë, 100 kg bimë narkotike kanabis sativa dhe qindra litra përzierës, kryesisht arsenik e aceton, si dhe një makinë e blinduar, 9 armë të tipave të ndryshme, 3 snajperë, granata e fishekë. t.s

Superkasaforta në vilë, bizhuteri e 143 mijë euro
Një kasafortë me sistem elektronik dhe me përmasa të konsiderueshme ka qenë një nga sende e bllokuara dje në vilën trekatëshe në zonën e Fushë-Kuqes në Laç gjatë aksionit të policisë. Veprimet operacionale për këtë rast i janë besuar efektivëve të forcave speciale RENEA. Ata kanë arritur që të gjejnë të fshehur në mur një kasafortë të madhe të mbyllur me sistem elektronik të sofistikuar. Bëhet e ditur se pas aksionit, policia ka arritur ta hapte kasafortën në fjalë ku ndonëse pritej të gjendeshin shuma të mëdha, janë sekuestruar 143 mijë euro, disa orë të kushtueshme dhe bizhuteri të ndryshme, si dhe dokumente që do të ndihmojnë në hetimin e çështjes. Kasaforta mësohet se ka qenë e vendosur në një zonë të banesës e futur në mur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura