E PLOTE/ Zbulohet letra e Lu për deputetët: Votoni Reformën, s’ka vende të rezervuara

Jul 7, 2016 | 11:02
SHPËRNDAJE

Pas negociatave mes palëve, apeleve të shumta publike, takimeve edhe kokë më kokë me deputetë të vecantë, ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu i është drejtuar sot me një letër gjithë deputetëtev të Kuvendit të Shqipërisë.

Donald Lu

Në letrën drejtuar për secilin deputet të Kuvendit, ambasadori amerikan thekson se tani është koha që secili të vendosë për reformën, si një nga më të rëndësishmet për vendin.

Duke theksuar se SHBA-të janë aleat strategjik i Shqipërisë, Donald Lu, nënvizon se “ndikimi politik në drejtësi kërcënon shoqërinë dhe kërcënimi i shoqërisë dobëson aleancën tonë”.

LETRA E PLOTE

Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë aleati juaj strategjik në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare. Sot, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë suaj dhe dobësojnë aleancën tonë. Si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurt.

Prej gati dy vitesh kemi punuar në mbështetje të përpjekjeve tuaja për të reformuar sistemin tuaj të drejtësisë. Gjithashtu, kemi punuar në mënyrë konsekuente për tu siguruar që si zërat e opozitës, ashtu edhe të maxhorancës të kenë kontribuar në këtë reformë.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi miratoi projekt reformën më 14 qershor. Votimi i plotë në Kuvend është planifikuar për datën 21 korrik. Tani është koha për të marrë një vendim.

Çështja e fundit

Përgëzojmë punën e bërë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, si nga anëtarët e maxhorancës, ashtu edhe të opozitës. Si rezultat i punës së madhe dhe profesionalizmit të tyre, kanë krijuar një projekt që është më i mirë, më legjitim dhe më i pranuar më gjerësisht sesa projekti fillestar i ekspertëve të paraqitur në muajin shtator. Ky mbështetet si nga qeveria dhe nga opozita, me përjashtim të një çështjeje- kërkesës së opozitës për vendet e rezervuara.

Më e rëndësishmja, projekti i 14 qershorit i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet europiane. Shtetet e Bashkuara dhe BE e kanë mbështetur këtë projekt. Kemi dëgjuar gjithashtu shqetësimet për paragrafin 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisioni të Venecias.

Sugjerojmë që ndërsa merrni në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, të lexoni që të dy paragrafët, si 61 dhe 88. Paragrafi 88 është një përmbledhje e të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Zgjedhja e komisionerëve të vlerësimit (vettingut) diskutohet më në hollësi në paragrafin 61. Për të përftuar një kuptim më të plotë mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias ia vlen të lexohen të dy.

Sistemet proporcionale

Të dy paragrafët vërejnë se qeveria dhe opozita e kanë të vështirë të bien dakord për shumicën e cilësuar me 3/5 apo 2/3 e votave për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve. Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara.

Në fakt, ka një sërë sistemesh proporcionale, përfshi votën e vetme të transferueshme, votimin e balotazhit të menjëhershëm, votimin e shumëfishtë, eliminimin dhe votimin Kondorse. Secili prej këtyre sistemeve do të ishte tërësisht në përputhje me Komisionin e Venecias.

Shtetet e Bashkaura dhe Bashkimi Europian i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do ti etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do ta minonte këtë besim. Kemi vazhduar ta nxisim si qeverinë ashtu edhe opozitën të gjejnë një kompromis që është në përputhje me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe që do të shmangte etiketimin politik të anëtarëve të komisionit të vetingut.

Koha për të marrë një vendim

Së fundmi, ka ende kohë që udhëheqësit politikë të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu edhe nga maxhoranca. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin për kompromis. Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën. Paragrafi 87 (bashkëngjitur) i raportit të Komisionit të Venecias thotë se projekti i tanishëm i reformës është një propozim koherent e i shëndoshë dhe se është në përputhje me standardet evropiane.

Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo reformë është jetike për të ardhmen e vendit tuaj. Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro reformës në Drejtësi.

Sinqerisht

Donald Lu

Bashkëngjitur: Opionioni Përfundimtar i Komisionit të Venecias, paragrafët 61, 87 dhe 88.

Projekt Opinioni përfundimtar për projekt ndryshimet e rishikuara kushtetuese për gjyqësorin

61. Faza e dytë është zgjedhja e kandidatëve me 3/5 e votave në parlament. Opozita, si në rastin e KLGJ dhe KLP insiston që anëtarët e KPK të zgjidhen me 2/3 e votave. Komisioni i Venecias përsërit që të gjitha zgjidhjet do të ishin të ligjshme;megjithatë për të shmangur ngërcin politik, i cili është tepër i mundur në një rast të një pragu tepër të lartë, ligjbërësi mund të konsiderojë modele të tjera alternative të zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së dhe të DHSK-së. Thënë kjo, Komisioni i Venecias përsërit që i takon ligjëbërësit shqiptar të zgjedhë një sistem të duhur për zgjedhjen e anëtarëve të KPK dhe të gjyqtarevë të DHSK.

87. Projekt ndryshimet kushtetuese përmbajnë propozime të qëndrueshme për strukturën e ardhshme institucionale të gjyqësorit shqiptar; teksti në tërësi është koherent dhe në përputhje me standardet evropiane. Komisioni i Venecias beson që projekt ndryshimet mund të finalizohen pa vonesë dhe t’i paraqiten për votim parlamentit.

88. Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme:

Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP,KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose cdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes;

Projekt ndryshimet duhet të specifikojnë metodën e emërimit të Kryeprokurorit të Posaçëm dhe mekanizmat e llogaridhënies nga ana e tij/saj;

Mandati i organeve vlerësuese (KLK dhe DHSK) duhet të shkurtohet ndjeshëm; gjyqtarët e DHSK në përfundim të mandatit të tyre duhet të përfshihen automatikisht në gjyqësor;

Gjyqtarët dhe prokurorët në proces vlerësimi duhet të kenë të drejtë të ankomojnë në GJK për shkeljen e të drejtave të tyre themelore, me disa përjashtime të arsyeshme të diktuara nga domosdoshmëria e procesit të vlerësimit.

Kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtar duhet të qartësohen; ata duhet të kenë të drejta procedural, por jo kompetenca vendim-marrëse. Mekanizmi i transferimit të juridiksionit mbi çështjen nga një panel/dhomë tek një tjetër duhet të rishikohet.

letra e Lu 1

letra e Lu 2

letra e Lu 3

letra e Lu 4

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura