Autoritetet franceze kanë identifikuar një variant të ri të koronavirusit, që nuk mund të zbulohet nga testet standarte PCR. Anestezisti shqiptar në Francë, Teni Kamberi thotë se deri tani janë 8 persona të prekur nga ky mutacion. Duke folur në një lidhje me Skype në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, mjeku shqiptar tha se ky variant nuk paraqet simptoma më të rënda se variantet e tjera.
“Në një spital janë bërë testime të 79 personave të infektuar nga ky Covid-i dhe 8 prej tyre janë diagnostikuar me një variant që nuk është detektuar asnjëherë deri më tani. Me një test të thjeshtë PCR, nuk po bëhet diagnostikimi i këtij virusi. Duhej një mënyrë më invazive ose përmes testit antigjenik dhe deri më tani nuk është konstatuar ndonjë rast i rëndë se rastet e tjera. Kjo është më pak shqetësuese“, u shpreh ai.
Më tej, Kamberi shtoi se të infektuarit nuk kanë simptoma të tjera nga ata që janë prekur nga variantet e tjera.
“Në fakt këta pacientë kanë patur të njëjtat simptoma si të tjerët. Dyshimi është rritur sepse testi i parë ka dal negativ dhe pastaj janë bërë kërkime më të thella. Këtu janë dy mundësi. Njëra është pozitive që domethënë jemi optimistë se nga kalimi nga sfera e hundës dhe gojës ka kaluar shumë shpejt në mushkëri, aftësia kontaminuese e pacientëve zvogëlohet. Nëse e kemi virusin akoma në sferën e hundës dhe gojës, kontaminimi është më i pakët. Kjo është gjëja pozitive, gjëja më pak optimiste është se ky variant ka bërë një ndryshim i cili do të jetë i vështirë të kapet”, tha më tej Kamberi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al