Zgjedhjet pa diasporën, antikushtetuese

Jul 6, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA DR. KLODIAN RADO klodian rado

Ndërsa Shqipëria përga titet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, një çështje thelbësore që kërkon vëmendje të veçantë jo vetëm nga politika, por sidomos nga publiku i gjerë është legjitimiteti kushtetues i këtyre zgjedhjeve pa përfshirjen e diasporës shqiptare. Thënë më shkoqur: A mund të zhvillohen zgjedhjet e 2025 pa diasporën, dhe cilat do të ishin pasojat, nëse do të ndodhte? Më poshtë do të rendis një sërë argumentesh kushtetuese/ligjore dhe jo vetëm, se përse kryerja e zgjedhjeve parlamentare pa votën e diasporës nuk mund të jetë më një opsion, pasi do të ishin juridikisht të pavlefshme, pra “nul”.

E drejta e diasporës për të votuar, si detyrim kushtetues i shtetit shqiptar: Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, me Vendimin Nr. 38/22, vendosi në mënyrë të prerë: “Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor. Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti”, pra deri në datën 9 janar 2024. Kështu, Gjykata Kushtetuese urdhëroi qartazi Kuvendin që të amendojë Kodin Zgjedhor, duke miratuar dispozita ligjore që i garantojnë çdo votuesi që ndodhet jashtë Shqipërisë të marrë pjesë në procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të ardhshme dhe kërkoi që ky proces të jetë sa më i shpejtë dhe sa më efektiv. E thënë më thjeshtë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese qartëson se diaspora ka të drejtën të votojë nga jashtë Shqipërisë dhe është detyrim i shtetit shqiptar të garantojë këtë të drejtë. Sipas Gjykatës, Kodi Zgjedhor në gjendjen aktuale nuk garanton të drejtën e diasporës për të votuar nga jashtë Shqipërisë dhe si i tillë, është antikushtetues për shkak të mungesës së dispozitave ligjore, që garantojnë të drejtën e tyre të votës. Ky vendim është vërtetë një akt historik për diasporën dhe për të drejtën kushtetuese të votës në Shqipëri, pasi ndodh për here të parë në historinë e shtetit shqiptar. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar mbi 6 muaj që kur afati kushtetues i lënë nga Gjykata Kushtetuese ka skaduar, ende nuk është ekzekutuar. Quo vadis Shqipëria në zgjedhjet e ardhshme?

Neni 45 i Kushtetutës garanton të drejtën e votës për të gjithë qytetarët, pavarësisht vendbanimit të tyre. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vota e diasporës nuk është më thjesht një e drejtë abstrakte teorike e mbetur në letër. Pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, që nga janari i vitit 2023, përjashtimi i diasporës nga votimi për zgjedhjet parlamentare dhe kryerja e tyre pa pjesëmarrjen e afro 2 milionë shqiptarëve që ndodhen jashtë Shqipërisë, nuk mund të jetë më një opsion. Nëse do të ndodhte, një proces i tillë zgjedhor do të ishte asgjë më pak se sa një proces zgjedhor antikushtetues dhe do të ishte një nulitet juridik, që nuk mund të sjellë asnjë pasojë juridike. E thënë ndryshe, deputetët e pretenduar si të zgjedhur, Kuvendi, qeveria që do të tentohej të votohej prej tij dhe çdo institucion tjetër që buron nga këto zgjedhje, do të ishin jolegjitime dhe të pavlefshme. Nuk është e nevojshme për të qenë jurist apo konstitucionalist për të kuptuar që një proces që përjashton nga e drejta për të votuar afro gjysmën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, nuk mund të prodhonin asnjë institucion legjitim në Shqipëri.

Krijimi i precedentit ligjor të rrezikshëm dhe minimi i besimi publik: Moszbatimi ende i këtij vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë krijon një precedent të rrezikshëm për vetë ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Nëse një institucion nuk zbaton vendimet e gjykatave, bash ai institucion ka filluar të mendojë të mos ketë më shtet. Një sjellje e tillë nga institucioni më i lartë ligjvënës, cenon parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit, askush nuk është mbi Kushtetutën, parimin e sundimit të ligjit dhe vetë autoritetin e Gjykatës më të lartë në vend, duke minuar besimin e publikut në institucionet shtetërore. Nëse vetë Parlamenti shqiptar nuk respekton shtetin e së drejtës dhe nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, çfarë të presim nga institucionet e tjera më të ulëta, apo nga vetë qytetarët?

Parimi i drejtësisë dhe barazisë para ligjit: Përjashtimi i diasporës nga e drejta për të votuar është një mohim i drejtës së tyre themelore dhe bie ndesh me parimin e barazisë. Çdo qytetar shqiptar, pavarësisht vendndodhjes gjeografike në ditën e votimit, ka të drejtën të jetë i barabartë me bashkëkombësit e tij që ndodhen në Shqipëri dhe të ketë një zë të barabartë në qeverisjen e vendit të tij. Siç theksuam, zgjedhjet e mbajtura pa pjesëmarrjen e diasporës, janë thelbësisht të meta dhe si rrjedhim kushtetutshmërisht të pavlefshme, pasi lënë pa i dhënë mundësinë e votës pothuaj gjysmës së popullsisë shqiptare.

Cenimi i reputacionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare: Mohimi i së drejtës së votës për diasporën shqiptare ngre pikëpyetje të thella etike për përfshirjen dhe integritetin moral të sistemit zgjedhor të Shqipërisë dhe vetë organeve të qeverisjes. Shqipëria, si vend kandidati i BE-së, e ka detyrë respektimin e normave demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Mospërfshirja e diasporës në procesin zgjedhor rrezikon të dëmtojë rëndë imazhin e Shqipërisë dhe institucioneve të saj, në arenën ndërkombëtare. Mosveprimi për të kryer ndryshimet në Kodin Zgjedhor për përfshirjen e votuesve të diasporës, siç është urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese, sfidon drejtpërdrejt shtetin e së drejtës dhe strukturën e sistemit ligjor të Shqipërisë. Kuvendi i duhet të veprojë me shpejtësi për të amenduar Kodin Zgjedhor, që mandej t’i hapet rruga KQZ-së për të miratuar aktet nënligjore të nevojshme për të mundësuar votimin e diasporës. Ndryshe nga sa mendojnë disa aktorë të politikë shqiptare, KQZ-ja nuk mund të kryejë nxjerrjen e akteve nënligjore, pa pasur dispozita të qarta në Kodin Zgjedhor, siç ia kërkon tashmë në mënyrë të detyrueshme Gjykata Kushtetuese. Kjo është detyrë kushtetuese e Kuvendit, të cilën nuk mund ta delegojë.

Fleksibiliteti teknologjik dhe përfshirja e diasporës: Forma klasike e votimit të diasporës është me postë dhe ky mund të jetë modeli më i pranueshëm në Shqipëri, për shkak të nivelit të lartë të mosbesimit. Përveç votimit me postë, një formë tjetër mund të jetë edhe votimi elektronik, duke ruajtur garancitë e mosprekjes të votës. Në epokën digjitale të sotme, sfidat logjistike të zbatimit të votimit të diasporës dhe siguria e saj mund të jenë të kapërcyeshme. Me planifikim të duhur dhe adoptimin e teknologjive të sigurta të votimit, Shqipëria mund të lehtësojë pjesëmarrjen e qytetarëve të saj jashtë vendit pa kompromentuar integritetin e zgjedhjeve. Megjithatë, kritikat e atyre që janë skeptikë duhet të merren seriozisht, që diasporës shqiptare t’i mundësohet një mënyrë sa më e sigurt dhe e denjë votimi. Më e rëndësishmja është përfshirja e diasporës në procesin zgjedhor, duke dërguar një mesazh të fuqishëm uniteti kombëtar, dhe forcuar idenë që të gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, janë anëtarë integrale të një etniteti.

Kontributet ekonomike dhe ruajtja e identitetit kombëtar: Diaspora shqiptare është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë e vendit përmes remitancave dhe investimeve. Mospërfshirja e tyre në votimet parlamentare dërgon një mesazh të gabuar se shqiptarët që jetojnë jashtë janë qytetarë të dorës së dytë për Shqipërinë, gjë që është e papranueshme jo vetëm juridikisht, por edhe moralisht e ekonomikisht, kur dihet që emigrantët përbëjnë ende zërin më të madh të ekonomisë shqiptare. Duke i përfshirë në procesin zgjedhor, shteti shqiptar njeh kontributet e diasporës dhe inkurajon më shumë angazhim në zhvillimin e kombit. Për më tepër, diaspora është një faktor i rëndësishëm social dhe kulturor, dhe mundësia e votimit për ta rrit interesimin dhe lidhjet e tyre më të forta me Shqipërinë, të cilat janë thelbësore për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare. Gjithashtu, është lehtësisht e kuptueshme që vendimet e qeverisë shqiptare nuk janë pa pasoja për diasporën shqiptare, kudo që ata jetojnë.

Rruga përpara, thirrje për veprim: Meqenëse juridikisht koha ka skaduar, tashmë po bien kambanat e alarmit, e ka ardhur ora për veprim. Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë masa të menjëhershme për të amenduar Kodin Zgjedhor, duke shtuar dispozitat ligjore dhe mekanizmat e nevojshëm ligjore për të lejuar votimin e diasporës. Ky jo vetëm që është një detyrim kushtetues i sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese me vendim gjyqësor, por është edhe një test i pjekurisë së politikës shqiptar dhe angazhimit ndaj parimeve demokratike. Siç theksuam, hyrja në zgjedhje me Kodin Zgjedhor aktual, i shpallur antikushtetues për mungesën që ka ndaj votës së diasporës, do të prodhonte zgjedhje antikushtetuese. Çdo jurist dhe jo vetëm e kupton që zgjedhjet e bazuara mbi një sistem zgjedhor antikushtetues janë automatikisht të pavlefshme dhe nuk mund të pasjellin efekte juridike. Prandaj, thirrja që i duhet bërë klasës politike është imperative, duke përdorur çdo mjet të nevojshëm demokratik.

Organizatat dhe liderët e diasporës duhen falënderuar për kontributin e deritanishëm, sepse ishte njëra prej tyre (Diaspora për Shqipërinë e Lirë), e cila e çoi dhe fitoi çështjen e votës në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu, është kjo organizatë që krijoi grupin e punës së ekspertëve ligjorë të diasporës, duke bërë gati edhe projektligjin për ndryshimet e Kodit Zgjedhor bazuar mbi modelet më të mira të vendeve të zhvilluara, projekt-ligj i cili iu vu në dispozicion Kuvendit, çdo deputeti, organizmave ndërkombëtare, KQZ-së etj.. Megjithatë, diaspora shqiptare dhe këto organizma përfaqësuese kurrsesi nuk duhet të vetëkënaqen. Ato duhet të vazhdojnë të avokojnë për të drejtat e tyre dhe të bashkëpunojnë me institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare për të ndërtuar dhe zbatuar një sistem efikas votimi për qytetarët jashtë vendit. Ky bashkëpunim do të sigurojë që procesi të jetë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës.

Zbatimi i metodave të sigurta të votimit (përmes postës tradicionale ose elektronike) mund të sigurojë që çdo shqiptar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar pavarësisht vendndodhjes gjeografike. Zgjedhjet e parlamentare të vitit 2025 janë një mundësi e artë për Shqipërinë që të tregojë përkushtimin e saj ndaj demokracisë, respektimit të së drejtave themelore dhe shtetit të së drejtës. Si qytetarë të Shqipërisë, në dimension personal, social apo institucional, ne duhet të bashkohemi dhe të mbështesim këtë kauzë. Afati kushtetues tashmë ka skaduar dhe ne duhet të kërkojmë me çdo mjet të mundshëm demokratik që Kuvendi të miratojë ndryshimet ligjore për votën e diasporës, si dhe të angazhohemi në dialog konstruktiv që zgjedhjet e vitit 2025 të jenë një reflektim i vërtetë i shpirtit shqiptar. Le të bëjmë që zgjedhjet e vitit 2025 të jenë një dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë dhe të institucioneve të saj, duke treguar maturinë e një vendi që pretendon të behet anëtare e familjes së BE-së. Së bashku, ne mund ta kthejmë këtë moment sfide në një mundësi të rëndësishme të përparimit demokratik, duke vendosur një standard jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për demokracitë e reja kudo në botë. Ashtu u bëftë!

Autori: Ekspert konstitucionalist

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura