Zjarr dhe molotov para kryeministrisë dhe bashkisë/ Mesazhet e Berishës dhe thirrja për qeveri teknike! Çfarë ndodhi në 3 orë protestë të opozitës

Jul 11, 2024 | 22:57
SHPËRNDAJE

Ka zgjatur rreth tre orë protesta e opozitës para kryeministrisë, ku kryefjala ishte qeveria teknike dhe lirimi i Sali Berishës nga arresti shtëpiak.

Fillimisht qytetarët u grumbulluan para selisë blu, ku më pas së bashku me deputetë dhe drejtues të PD i janë drejtuar bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe kryeministrisë.

Fjalimet nisën me regjisorin Edmond Budina, për të vazhduar me disa qytetarë të tjerë. Më pas protestuesve iu drejtuar me një fjalim Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili hodhi akuza ndaj Edi Ramës, por edhe drejtësisë.

“Të gjithë duhet ta dinë, se Edi Rama financohet në Uashington dhe Bruksel nga armiqtë më të egër, për ti ngulur thika Kosovës, që nga Ballkani i hapur dhe cdo gjë tjetër. Ai nuk bën gabime rastësisht. Mos harroni çfarë tha në Kuvendin e Kosovës, së Shqipëria dhe Kosova do kishin një president të ardhshëm”, tha Meta.

Ai kritikoi edhe këshilltarët e djathtë, që  nuk kanë marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita para kryeministrisë.

“Turp për ata që përtojnë të vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal dhe më antikombëtar që ka njohur kjo tokë. Turp për të gjitha ata këshilltare opozitar që nuk janë me Tedi Blushin, me Klevis Balliun përballë kryehajdutit të Tiranës. Turp për ata që nuk janë përball hajdutëve në bashki. Turp për ata opozitar që kanë hallin e autoritetit të SPAK-ut”, u shpreh Presidenti i PL.

Më pas fjalën e mori kreu i PD, Sali Berisha, por në këtë moment qytetarët hodhën molotov drejt kryeministrisë.

Sali Berisha bëri thirrje për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër.

“Sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës: Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme”, tha Berisha.

Pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës protestuesit u zhvendosën edhe para bashkisë së Tiranës, ku edhe aty hodhën molotov.

Më pas protestuesit iu drejtuan Parlamentit, ku brohorisnin “Parlamenti i krimit”. Më pas protesta u mbyll aty ku startoi, në selinë e Partisë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura