“Më skualifikuan pa të drejtë, padi në gjykatë për Magjistraturën”

Oct 6, 2011 | 10:27
SHPËRNDAJE

INA HOXHAJ, KONKURRENTJA QE ESHTE SKUALIFIKUAR NGA KONKURSI I MAGJISTRATURES

 

“Drejtoresha Semini dhe pedagogia Mandro, konflikt interesi në gjykimin e ankimit tim”

Një studente padit në Gjykatë Shkollën e Magjistraturës. Iniciativa vjen nga Ina Hoxhaj, kandidatja që konkurroi për t’u pranuar në Magjistratë dhe që u radhit e dyta, sipas pikëve të fituara, por që është skualifikuar në listën përfundimtare. Shkak është bërë një fletë e rregullores së provimit, e shpërndarë nga vetë pedagogët gjatë konkurrimit, e cila është gjendur së bashku me tezat e plotësuara, të mbyllura të gjitha në një zarf. Një veprim që është konsideruar i paligjshëm sipas Komisionit të Vlerësimit, duke iu referuar rregullores së Shkollës së Magjistraturës, por është pikërisht i njëjti dokument, i cili nuk e parashikon këtë rast. Menjëherë pas vendimit, Ina Hoxhaj ka nisur ankesat shkallë-shkallë, sipas hierarkisë, ndërsa për gazetën “Panorama” na bën me dije të gjithë historinë…
Jeni renditur e dyta në garën për pranimin e 18 kandidatëve për Magjistratë nga 254 konkurrent gjithsej, por jeni skualifikuar. Me çfarë motivacioni?
Kam futur rregulloren e provimit në zarfin e madh, aty ku edhe i dhanë vetë pedagogët. Në të njëjtin zarf ku vendosa edhe tezat e plotësuara të provimit. Një gabim imi, por edhe i 3 personave të tjerë, pasi menduam që, derisa na e dhanë pedagogët dhe e nxorën nga ai zarf, edhe ne duhet ta vinim sërish aty, ta kthenim me tezat. Mbi atë dokument nuk ka asnjë lloj shenje që të më identifikojë mua si person, ndaj nuk është një element që e përmban rregullorja e shkollës si argument skualifikimi nga Komisioni i Vlerësimit. Ashtu siç edhe u përdor… U ngatërrova unë dhe 3 konkurrentë të tjerë. Megjithatë, unë bëra ankesën time pranë Komisionit.
Çfarë ju argumentoi konkretisht Komisioni i Vlerësimit, pas ankesës suaj?
U mjaftua me një njoftim në faqen zyrtare të saj se “Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve për magjistratë në konkursin e pranimit 2011-2012 për në Shkollën e Magjistraturës, pasi shqyrtoi kërkesat e kandidatëve lidhur me parjen dhe bërjen transparente të provimeve të kandidateve të deklaruar të “skualifikuar”, i bën me dije që ata mund të vijnë të shohin këto zarfe”.
I keni parë ato?
Po, pas shumë përpjekjesh. Për habinë time më të madhe, konstatoj se tri tezat e pjesës së përgjithshme të provimit tim ishin vlerësuar më parë, pasi çdo pyetje kishte pikët bashkë me shpjegimet e vlerësuesit. Teksa numëroja pikët, u çudita që nuk i lexoja dot mirë. Sipër tyre, me stilolaps të kuq, në mënyrën më diletante të mundshme kishte korrigjime numrash e më pas, mbi këto korrigjime, kishte shkarravina të dendura, sikur ishin bërë qëllimisht për të paqartësuar diçka apo për të fshehur diçka. U shokova, por gjithsesi i bëra llogaritë e mia. Sipas çdo versioni pikësh të mundshme, kisha fituar, po të mos ishte në këtë mes vendimi i skualifikimit.
A jeni takuar me drejtoreshën e Shkollës për të gjitha këto?
Pas këmbënguljeve të një prej të afërmve të mi, Drejtoresha pranoi që të takohej me atë, në zyrën e saj. Pas takimit, më komunikoi se kishte parë dy palë procesverbale. Fillimisht atë që tregonte pikët e marra të çdo konkurrenti, përfshirë edhe të skualifikuarit, sipas të cilit kisha marrë 19 pikë në testin e inteligjencës, 24 pikë në ese dhe 27 pikë në Etikën Qytetare, çka në total do të thoshte 70 pikë. Menjëherë i shtova këtij rezultati pikët e pjesës profesionale të provimit dhe rezultoi që nga provimi kisha mbledhur një sasi prej 297.5 pikësh. Hodha sytë nga lista dhe pashë që vendi i parë kishte 301 pikë, ndërsa vendi i dytë 293.5 pikë. Me keqardhjen, mllefin, pezmin dhe me rraskapitjen më të madhe, ngriti krye e vërteta që gjithçka ishte përpjekur të fshihte: nga konkursi i vitit 2011 të Shkollës së Magjistraturës është skualifikuar kandidati që është renditur i dyti.
Ku qëndron përplasja me Rregulloren këtu?
Komisioni i Vlerësimit ka korrigjuar fillimisht çdo provim pa skualifikuar asnjë konkurrent, normalisht ngaqë nuk ka pasur shenja ose çuditërisht ngaqë ka shkelur Rregulloren, pasi nuk mundet kurrsesi që të vlerësohet diçka që është e pavlefshme, por sapo konstatohet një gjë e tillë, vendoset skualifikimi. Kështu, varianti më i besueshëm mund të jetë: pasi Komisioni ka mbaruar vlerësimin, ngjan të kenë marrë vendim për skualifikimin e pesë kandidatëve, midis tyre edhe kandidatin e renditur të dytin. Kjo procedurë vetëm e rregullt dhe e bazuar në Rregullore nuk mund të jetë.
Përveçse drejtoresha e Shkollës ka takuar të afërmin tënd dhe i ka bërë me dije procesverbalin, çfarë argumentesh i ka dhënë ajo personalisht mbi skualifikimin?
Drejtoresha e Shkollës, në diskutimin që kishte pasur me të afërmin tim, i kishte mëshuar me forcë faktit që, një vajzë gjatë konkursit është identifikuar duke i komunikuar shqetësimin Drejtoreshës, se gabimisht ka futur fletën e rregullores në zarfin e madh dhe drejtoresha i ka komunikuar menjëherë skualifikimin nga ajo pjesë e provimit. Në këtë mënyrë, vijonte logjika e saj. Komisioni duke qenë në pamundësi të dallonte provimin e të skualifikuarës verbalisht, është detyruar të bënte koka turku edhe konkurrentët e tjerë që kishin futur fletën e rregullores në zarfin e madh të provimit. Në këtë mënyrë, vijonte ajo me një logjikë akoma më të çuditshme, ngaqë u vu ky rregull që në sallën e provimit, u detyruam ta zbatonim njëlloj për të gjithë të tjerët.
Sipas rregullores, cilët janë autoritetet kompetente për marrjen e masës së skualifikimit apo pavlefshmërisë së provimit?
Janë vetëm dy. Gjatë zhvillimit të konkursit është administratori i provimit (“Drejtoria” shprehet rregullorja) dhe, gjatë vlerësimit të tezave, Komisioni i Vlerësimit. Në fakt, drejtoresha ka realizuar një kompetencë të sajën, kur e ka skualifikuar atë konkurrente, pa i hyrë vlerësimit të meritës, por duke e zbatuar proceduralisht dhe duke e interpretuar materialisht keq.
Pse, keq?
Proceduralisht duhej detyrimisht që zarfi i madh i asaj konkurrenteje të mbahej i veçantë apo të lihej një shënim që ta bënte lehtësisht të identifikueshëm atë dhe paralelisht të mbahej një procesverbal ku të shënohej fakti, sanksioni dhe nënshkrimi i pjesëmarrësve në këtë procedurë. Kjo, sipas parashikimeve të ligjit “Për kundërvajtjet administrative”. Por kjo procedurë nuk është zbatuar, pasi me një mendjelehtësi që shkon gjer në kufijtë e shpërdorimit të detyrës, zarfi i madh i konkurrentes së saposkualifikuar është lënë të futet në morinë e zarfeve të tjerë, duke krijuar pamundësi për identifikimin e tij midis 244 zarfeve të njëjtë. Nga ana tjetër, drejtoresha këtë masë të artikuluar verbalisht e lidh me faktin që ajo konkurrente ka futur fletën e rregullores në zarfin e madh. Në fakt, vetëm për koincidencë drejtoresha mund të ketë të drejtë, pasi masa nuk përligjet nga arsyeja që jep ajo, por vetëm nga fakti se konkurrentja u identifikua publikisht midis të gjithëve, duke humbur sakaq standardin e detyrueshëm të anonimatit.
Pas Komisionit të Vlerësimit, cili është organi më i lartë për ankesa?
Është Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës. Unë jam ankuar edhe këtu.
Dhe cili ishte vendimi?
Mbledhja e Këshillit Drejtues u caktua të kryhet në datë 30.09.2011, në orën 17:30. Në mbledhje figuronte pashpjegueshmërisht vetëm një ankim, nga 27 të tilla të paraqitura. Mungonte çuditërisht ankimi im prej 9 faqesh argumentuese dhe në vend të tij, ishte vetëm një përmbledhje e procesverbalit, e shkurtër. Megjithatë, unë isha parapërgatitur dhe, para kësaj mbledhjeje, kisha informuar shumicën e institucioneve kushtetuese, si edhe disa prej anëtarëve të Këshillit që drejtojnë këto institucione. Të gjithëve u kisha bashkëngjitur edhe një kopje të ankimit tim, ndaj ata ishin në dijeni të gjithë ngjarjes që u paraqit me një përmbledhje të shkurtër prej 2 fjalish nga ana e Komisionit të Vlerësimit. Pas rreth 3 orëve debat, ankimi im u rrëzua. Rezultati i votimit ishte 7 vota kundër dhe 6 vota pro, por i gjithë procesi përmbyllës vendimmarrës administrativ, në optikën time ligjore, ngre dyshime serioze legjitimiteti.
Çfarë dyshimesh?
Në të gjithë mbledhjen, por sidomos në vendimmarrjen kundër ankimit tim ka marrë pjesë drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, znj. Marjana Semini, që është anëtare ex officio sipas nenit 6 të ligjit të Shkollës. Njësoj edhe për pedagogen e brendshme, znj. Arta Mandro, përgjegjësja e trajnimit vazhdues. Pjesëmarrja e këtyre dy anëtareve në këtë vendimmarrje nuk ka garantuar dot parimin e paanësisë, standard i detyrueshëm i vënë nga neni 12 i Kodit të Procedurave Administrative.
Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës ka qenë në kushtet e ndalesës absolute për të marrë pjesë në këtë vendimmarrje, pasi në këtë mbledhje, ndër të tjera, po shqyrtohej edhe apelimi kundrejt vendimmarrjes së saj në cilësinë e administratores së provimit, konkretisht vendimi verbal i skualifikimit, i komunikuar aty për aty në sallën e provimit të konkurrentes së vetidentifikuar, që krijoi precedentin e skualifikimeve. Fakti që ajo nuk u tërhoq nga procesi, në kushtet kur nuk rrezikohej as kuorumi i mbledhjes, por këmbënguli edhe të marrë pjesë në  procesin e votimit, rrit më shumë dyshimet për integritetin në tërësi të procesit apo për tendencën negative në trajtimin e rastit tim. I njëjti argument ligjor shkon edhe për rastin e anëtares tjetër, Arta Mandro. Ju bëj me dije, tashmë faktin botërisht të njohur, se në mbledhjen e Këshillit Drejtues të datës 13.09.2011, ku u mandatuan anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, zonja u mandatua të ishte anëtare e Komisionit të Vlerësimit për tezën e të Drejtës Kushtetuese. Ky fakt do të thotë se vendimi i skualifikimit ka marrë drejtpërdrejt kontributin dhe bekimin e kësaj anëtareje, qëndrim ky që për më tepër dhe më këmbëngultas u shfaq qartë dhe pa ekuivok në vendimin e këtij Komisioni, që rrëzoi unanimisht ankimin tim. Kështu, vota e kësaj anëtareje të Këshillit ka qenë tërësisht e paragjykuar, duke mos i lënë asnjë hapësirë besimit tim për paanshmëri dhe objektivitet nga trupa që do të shqyrtonte ankimin.
Keni përdorur dy hallkat e ankimit. Cila është e treta?
Fatkeqësisht, ka mbetur vetëm Gjykata. Kam bërë gati padinë dhe pres vetëm një rishikim ligjor për ta dorëzuar këtë javë. Gjithashtu, kam njoftuar instancat më të larta kushtetuese. Sepse, nga burime të sigurta kam marrë dijeni se votat pro ankimit tim janë të gjitha të dhëna nga anëtarë që nuk janë të lidhur me Shkollën, por janë përfaqësues të autoriteteve më të larta kushtetuese.

Provimi për gjyqtar e prokuror u dha në birrari. Provimi i sivjetmë për pranimet në Shkollën e Magjistraturës është zhvilluar jashtë një ambienti arsimor e për më tepër, jashtë një institucioni publik. Në një kompleks privat në fillim të autostradës Tiranë-Durrës, aplikantët për Shkollën e Magjistraturës, ata që do të bëhen gjyqtarë e prokurorë, në programin e studimeve 2011-2012 i janë nënshtruar testimit me shkrim. Ambienti privat ku është mbajtur provimi njihet nga të gjithë si një vend argëtimi, ku veç kësaj konsumohet birrë e shoqëruar me produkte ushqimore. Pak ditë para datës së testimit, në faqen zyrtare të shkollës së magjistraturës, magjistratura.edu.al, është dhënë njoftimi "Për vendin dhe orën e zhvillimit të konkursit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës". Sipas njoftimit, konkursi zhvillohet në një birrari private, në kilometrin e 7 të autostradës Tiranë-Durrës. "Hyrja e pjesëmarrësve fillon në orën 8:00. Të regjistruarit të kenë paraprakisht kartën e identitetit dhe numrin e regjistrimit", thuhej në njoftim.

ELISABETA ILNICA

Magjistratura, 227 studentë marrin pikë nën minimumin
Testi i pranimeve në Shkollën e Magjistraturës për këtë vit duhej të kishte 18 fitues, megjithatë studentes së 18-të në listë nuk i është dhënë ky shans. Vajza që kishte përfunduar Fakultetin Juridik me mesatare mbi 8, ka mbetur pa hyrë në zonën e fituesve, edhe pse me rend zbritës i takonte, vetëm pasi kishte 2.5 pikë më pak se pragu i vendosur që në fillim të provimit. Në hyrje të Shkollës së Magjistraturës, te Fakulteti i Gjeologji-Minierave, aty ku është shpallur lista përfundimtarë e fituesve, ndodhen vetëm 17 emra, pasi i 18-të në listë, në këtë rast një vajzë, nuk e ka fituar të drejtën për të ndjekur studimet. Shkak është bërë një normë e rregullores, që kërkonte që kandidatët në zonën e fituesve, konkretisht i 18-ti, të kishte një numër pikësh jo më të vogël se 270 pikë. Kjo vajzë, me 267.5 pikë, ka mbetur pa hyrë në zonën e fituesve, edhe pse ndodhet e 18-ta në listën e kandidatëve më të mirë në Shkollën e Magjistraturës, ku këtë vit ishin miratuar 18 kuota pranimi. Por problemi në këtë rast nuk është vetëm vajza që është renditur në vendin e 18-të. Kriteri i plotësimit të një numri pikësh mbi 270 ishte vendosur që në fillim të provimit dhe, nga 244 kandidatë që kanë marrë pjesë në testim, vetëm 17 prej tyre kanë arritur ta kalojnë pragun që ishte vendosur. Gjithë të tjerët kanë marrë më pak pikë se minimumi i vendosur. Numri i kuotave të pranimeve në Shkollën e Magjistraturës ka qenë gjithnjë i kufizuar, ndonëse apelet e viteve të fundit, kryesisht nga ndërkombëtarët por edhe nga KLD e Ministria e Drejtësisë, kanë qenë që prurjet në gjykata e prokurori të jenë nga shkolla në fjalë. Pikërisht ky numër i kufizuar pranimesh e rrit ndjeshëm konkurrencën, duke marrë parasysh kërkesat e larta për Fakultetin Juridik dhe mandej, superkërkesat që ekzistojnë për studime në Shkollën e Magjistraturës, me qëllimin për t’u angazhuar në karrierë si gjyqtarë apo prokurorë.
Procedura
Sipas rregullave të shpallura para testimit, 244 kandidatët për në Shkollën e Magjistraturës kanë tërhequr ditën e provimit zarfet e mbyllura, që në total kanë 2500 pyetje të shpërndara në 500 teza. Tezat ndahen në dy teste, testi profesional dhe testi i përgjithshëm. Provimi ka filluar në ora 09:07 të mëngjesit të datës 13 shtator 2011 dhe ka përfunduar rreth orës 19:00 me gjithë pushimin mes dy testeve. Këtë vit, veç verifikimit të identitetit në hyrje të sallës dhe në tavolinë, është bërë një kontroll i tretë nga sekretaria e provimit para se të mbyllet zarfi me emrin e kandidatit. Këtë vit, Shkolla e Magjistraturës ka vendosur një përqindje mbi 70 nga pikët maksimale të mundshme, që duhet të arrinin kandidatët në zonën e fituesve. Kjo përqindje përkthehet në shifra në 270 pikë, të cilat i kanë arritur vetëm 17 kandidatë nga 244 aplikues që i janë nënshtruar testimit. Me një llogaritje të thjeshtë, 227 studentë që kanë mbaruar Juridikun me mesatare 8 ose më shumë, nuk kanë kapur zonën e fituesve në Magjistraturë.
Testimi
Në datën 12 shtator, Shkolla e Magjistraturës njoftoi publikisht se provimi i pranimit në këtë institucion për aplikantët që kanë përfunduar Juridikun dhe kanë mesataren mbi 8, zhvillohej në periferi të Tiranës. Pas këtij njoftimi, më 13 shtator u krye dhënia e provimit nga 244 kandidatë, persona që kishin përfunduar Juridikun dhe që plotësonin kriteret e aplikimit. Në datën 19 shtator, Shkolla e Magjistraturës bëri njoftimin e saj zyrtar në lidhje me shpalljen e rezultateve dhe më pas në datat 23 e 26 shtator 2011 publikoi dy njoftime të tjera radhazi në lidhje me procedurat e animimit. Pra, studentët që nuk ishin të kënaqur me vlerësimin, i njoftuan për paraqitjen e ankesave të tyre, në mënyrë që gabimet e mundshme të korrigjoheshin. Tri ditë më parë, 17 fituesit në konkursin për pranimin në Shkollën e Magjistraturës, kanë nisur studimet e vitit të ri akademik sipas drejtimit që ishte caktuar më parë për dhjetë vendet e para, si dhe për emrat e kandidatëve pasues.

17 fitues
janë shpallur nga provimi i pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Edhe pse duheshin shpallur 18 të tillë, sa kuotat e pranimit, një studente është lënë  jashtë pasi kishte më pak se 270 pikë

Të dhëna mbi testimin
– 344 kandidatë morën pjesë në konkursin e pranimit në Magjistraturë

– 18 ishte numri i kuotave të pranimit në Magjistraturë për vitin 2011-2012

– 17 kandidatë janë shpallur fitues në konkursin e pranimit për Shkollën e Magjistraturës

– 270 pikë ka qenë niveli minimal që duhej të kishin personat në zonën e fituesve

– 8 është nota mesatare në Fakultetin Juridik që duhet të kenë aplikantët në Shkollën e Magjistraturës

– 10 vendet e para janë dedikuar për aplikantët që do të studiojnë për t’u bërë gjyqtarë

– 7 vendet pasuese, nga 10 deri në 17 janë rezervuar për prokurorët e ardhshëm

– testimi ndahet në dy faza, provimi profesional (2.5 orë) dhe provimi i përgjithshëm (4 orë)

Mariana Semini: Të pakënaqurit të bëjnë ankim në gjyq
Flet drejtoresha: Testimi është monitoruar, zbatuam rregulloren

Semini me ambasadorin e OSBE Eugen Volfharth

Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Mariana Semini, deklaroi dje se konkursi i pranimeve këtë vit është mbajtur në zbatim të rregulloreve dhe në monitorim të plotë nga ekspertë të OSBE dhe EURALIUS. Drejtuesja e Shkollës së Magjistraturës, e pyetur dje për rastin e aplikantes Ina Hoxhaj, e cila është skualifikuar për shkak se ka futur në zarfe një fletë më tepër, atë të rregullores se provimit, ka thënë se kjo është shkelje. “Rregullorja e testimit dhe rregullorja e shkollës ka qenë e qartë për të gjithë, u është bërë prezente aplikantëve sapo kanë hyrë në sallë, por është mbajtur në monitorin e madh në mënyrë të vazhdueshme”, tha Mariana Semini, drejtoreshë e Magjistraturës. Ajo tha se që nga testi profesional, pushimi, testi i përgjithshëm e deri tek administrimi i zarfeve me përgjigjet, esetë e dokumenteve të çdo kandidati, është bërë sipas hallkave që përmban rregullorja. “Në fund të procesit ka pasur 27 ankesa, të cilat pas shqyrtimit në Komision janë verifikuar nga Bordi i Shkollës, me 16 anëtarë, ku unë jam një prej tyre”, tha drejtoresha e Magjistraturës, Mariana Semini. Ajo theksoi se aplikantët kanë pasur ankesa, por edhe kërkesa për rivlerësim. Të gjitha këto sipas drejtueses së shkollës që përgatit brezin e ri të gjyqtarëve e prokurorëve, janë shqyrtuar. “Rasti në fjalë i aplikantes që ka shkelur rregulloren, është vendosur nga Komisioni vlerësues me 5 anëtarë dhe mandej nga Bordi i Shkollës. Është shkelje e rregullores, sikur një copë letër të jetë më tepër”, tha drejtoresha e shkollës pasuniversitare të juristëve. Ajo theksoi se studentja në fjalë i ka konsumuar gjithë hapat administrativë të ankimimit, por ka të drejtën t’i drejtohet gjykatës, nëse mendon se është bërë padrejtësi ndaj saj. “Krahas ndihmës në përzgjedhjen e studentëve të rinj, Prezenca, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, ka organizuar edhe seminare trajnimi të specializuara për gjykatës e prokurorë”, thuhet në një deklaratë të Shkollës së Magjistraturës.

Ina Rama ndryshoi rregulloren

Në prill të vitit 2011, në rregulloren e Shkollës së Magjistraturës janë bërë ndryshime me një vendim të Bordit të Shkollës. Dokumenti me ndryshimet në rregullore është firmosur nga zv.drejtoresha e bordit, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Sipas rregullores, përcaktohet se zarfi i madh i çdo aplikanti do të mbyllet nga kandidati dhe duhet të ketë brenda përkatësisht 3 teza të testit të përgjithshëm dhe 7 teza të testit profesional. Zarfi do të vuloset nga personi përgjegjës. Përmbajtja e çdo zarfi është në përgjegjësinë e kandidatit përkatës. Po kështu, tezat që mungojnë në zarf, vlerësohen nga Komisioni me 0 pikë. Anëtari i Komisionit, që konstaton i pari mungesën e tezës në zarf, e bën këtë gjë publike duke mbajtur një procesverbal të veçantë për këto mungesa, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Komisionit. “Në fund të provimit, zarfi i vogël së bashku me zarfin e madh, do të dorëzohen në një vend të caktuar. Emri nuk do të shkruhet në asnjë nga fletët e provimit”, thuhet në rregullore.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura