“Nga këqyrja në vendin e ngjarjes rezultoi se vdekja kishte ndodhur rreth orës 01:45-02:15, të datës 18 dhjetor ‘81”.
Veç këtij fakti të regjistruar nga ekzaminimet në vendin e ngjarjes, profesor Fatos Harito, njëri nga ekspertët mjeko-ligjor që ka këqyrur kufomën e kryeministrit të vetvrarë në kushte të dyshimta, ka rrëfyer mbrëmë për emisionin “Arena” në “Tv Planet”, përjetimet nga çatet dramatike në vilën e Mehmet Shehut 30 vjet më parë. Ai tregon pamjen e kryeministrit të vdekur, procedurat e para në trupin e tij, bisedat me ekspertë e familiarë dhe versionin e shumdiskutueshëm për aktin vrasje apo vetëvrasje. “Na detyruan që kufomës së Mehemt Shehut, mos ti bënim autopsi”, pohon Harito, duke kujtuar se aktin përkatës e kanë shkruar duke shmangur këtë procedurë të domosdoshme. “Përfundimisht, shton ai, në dokumentin e autopsisë, lidhur me shkakun e vdekjes, unë kam futur fjalën mundësi, madje e kam veçuar me germa të mëdha” Po çfarë kujton tjetër eksperti mjeko-ligjor nga çastet kur detyra ja donte t’i bënte ekzaminimet e fundit trupit pa jetë të kryeministrit komunist…
Profesor Harito, ju në atë kohë keni qenë eksperti mjekoligjor që keni kryer ekspertizën e kufomës në vendin e ngjarjes. A mund të na tregoni ç’ndodhi atë ditë dhe cili ishte veprimi i parë që bëtë sapo shkuat në vilën e Mehmet Shehut?
Unë kam qenë në punë, dhe rreth orës 8 e gjysmë apo 9 pa një çerek të datës 18 dhjetor, më thotë shefi im, profesori Bashkim Çuberi, i cili ishte dhe shefi i mjekësisë ligjore, “duhet të shkojmë, sepse kemi një ngjarje”. Kjo ishte puna jonë e përditshme, dhe unë e pyes nëse duhet të marr çantën e autopsisë. Ai më përgjigjet se jo, pasi do të ishim këtu në qytet dhe më thotë të marr vetëm një palë doreza. U nisëm me makinën e punës dhe shkuam. Hymë në oborr të vilës dhe u ngjitëm në dhomën e gjumit. Aty kishte shumë njerëz, disa personalitete të Ministrisë së Brendshme etj. Kur pashë kufomën e kryeministrit u mbështeta në derë, sigurisht me një farë emocioni, por pa bërë asnjë lëvizje mimike.
Cila ishte pamja që kishte Mehmet Shehu i vdekur?
Ai ishte i shtrirë në krevatin e dhomës së tij, një shtrat dopio. Ishte me jastëk të ngritur dhe me syzet me bisht metalik. Kuverta e tij ishte e tërhequr deri të gjoksi, e theksoj këtë pasi më parë është thënë se si mund të ketë qenë mbuluar e etj., por mendoj se ata njerëz që e komentojnë këtë nxitohen pak. Problemi është se, ashtu siç na thanë, kryeministri kishte thënë ta zgjonin në 8 pa dhjetë, kryeaxhutatit të tij, Ali Çeno. Duke qenë personi i parë që e kishte shikuar, Çeno shkoi nuk kishte prekur asgjë dhe lajmëroi menjëherë doktorin. Pas tij vjen mjeku personal i kryeministrit, i cili quhet Mitro Kostaqi, të cilin e pyes se si e kishte gjetur kufomën. Kostaqi tregon se e kishte gjetur të zbuluar me këmishën e bardhë dhe në gjoks kishte gjak, ndërsa pistoleta ishte afër dorës së djathtë. Atëherë ne filluam punën tonë, e zhveshëm kufomën komplet, e pamë para dhe prapa.
Veprimet ju i kryet në bazën e një urdhri, apo ishte iniciativa juaj?
Jo, ne i kryem në bazë të urdhrit me shkrim. Urdhrin si rregull e jepte Prokuroria ose Hetuesia. Në vendim kërkohet nga ne gjithmonë tri pyetje të cilave duhet t’u japim përgjigje. E para është çfarë dëmtimi ka në trupin e kufomës, pyetja e dytë është me çfarë mjeti janë shkaktuar dëmtimet, ndërsa pyetja e tretë është shkaku i vdekjes. Dua të nënvizoj faktin se përcaktimi në është vrasje apo vetëvrasje nuk është aspak në kompetencën tonë, këtë gjë e ka për detyrë ta përcaktojë Prokuroria apo Hetuesia, në bazë të materialeve të këqyrjes së vendit të ngjarjes, të ekzaminimit të kufomës bashkë me autopsi, me të dhënat kriminalistike, me të dhënat kriminalistike të grafologjisë.
Megjithatë, ju para se të nisnit hetimet, kur e patë kufomën mendonit se ai ishte vrarë apo vetëvrarë?
Me thënë të drejtën kjo nuk ka të bëjë fare me zanatin tim. Por kujtoj se muajt tetor, nëntor kanë qenë shumë të vështirë në atë kohë, më kujtohet edhe Kongresi i Partisë i mbajtur më 7-8 nëntor, në të cilin Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ishin afër, por Enveri pothuajse i kishte kthyer supet kryeministrit dhe nuk ishte më ai entuziazëm që karakterizonte kongreset e partisë. Ndaj nga këto, duke ngjitur shkallët në fillim mendova mos ka qenë vetëvrasje, pastaj thashë jo mund të mos jetë e vërtetë. Më pas, në një moment i them shefit nëse do ta merrnim kufomën për t’i bërë autopsinë, pasi kështu ishte rregulli. Ai pyeti disa nga personat që gjendeshin aty dhe me tha që nuk do të bëhej. Atëherë e pyeta se si do mund t’i jepnim konkluzionet me siguri, nëse nuk do të behej, atëherë do të raportonim me mundësi, pasi përndryshe unë nuk do të firmosja. Pas kësaj përgjigje negative, unë fillova të bëja analiza të tjera, duke marrë një shishe që gjeta në shtëpi dhe i mora gjak kufomës.
Çfarë do të thotë për ju profesor që kufomës së Mehmet Shehut nuk do t’i bëhej autopsia, kur ju vetë keni qenë i pranishëm në autopsinë që i është bërë Enver Hoxhës, apo dhe bashkëshortes së kryeministrit, Fiqerete Shehu?
E shihja si diçka që nuk ishte e drejtë të mos bëhej, por unë nuk mund të flisja më shumë, aq më tepër, që nuk isha unë përfaqësuesi. Unë mund të kërkoja vetëm që të bëhej autopsia, por nuk e thashë këtë gjë përveçse shefit tim. Të nesërmen kur jemi mbledhur dhe kemi shkruar aktin e autopsisë unë kam futur fjalën mundësi për shkakun e vdekjes së Mehmet Shehut, duke e shkruar me të mëdha.
Nëse flasim në përqindje, sa ishte kjo mundësi?
Duke qenë se kjo përqindje me armë zjarri në gjoks ishte me përqitje qoftë edhe jo të plotë, sipas literaturës botërore kjo lloj goditjeje është në shumicën e rasteve vetëvrasje, pra që shkon nga 80-98 për qind.
Cilat ishin veprimet që ju kryet mbi kufomën e Mehmet Shehut për ta ekzaminuar atë?
Unë mora një shtizë për të vërtetuar që kjo plagë ishte tejshkuese. E mora këtë shtizë të gjatë, të cilën e gjetëm nëpër dhomat që ishin aty dhe munda të bëj pa asnjë sforcim, duke e lëvizur me lehtësi dhe butësi, dola me vrimën e shpatullës, duke vërtetuar që kjo plagë ishte tejshkuese. Duke qenë në kraharor, kjo plagë kishte shkaktuar ose dëmtim të zemrës ose të aortës, duke parë dhe gjakun që ndodhej aty, pasi plaga ishte rreth një centimetër e gjysmë sipër sisës së majtë. Përveç kësaj, kërkova dhe një shishe për të marrë gjak dhe për të bërë ekzaminimet, nëse do kishte helm, apo nëse kishte ilaçe gjumi. Kaq mund të bëja nga ana ime, të tjerat i takonin Prokurorisë, duke pyetur familjarët për çështje që lidheshin me këtë. Nga këto ne nxorëm konkluzionet të cilat ishin: 1. Në trupin e Mehmet Shehu ka një plagë përshkruese që hyn nga para-prapa. 2. Kjo plagë është me përqitje , jo të plotë 3. Shkaku i vdekjes së Mehmet Shehut ka qenë shoku hemorragjik në terren të dëmtimit me mundësi më të madhe të zemrës ose aortës. Këtu mbaronte detyra jonë, pastaj gjërat e tjera ishin pjesë e kriminalistikës që i gjykonte Prokuroria apo Hetuesia.
Në procesverbalet e mjekësisë ligjore me të kriminalistikës, nuk përputhet fakti se në dorën e majtë është gjetur barut.
Barutin e kam marrë unë vetë me një brisk që mora në banjë dhe preva lëkurën, padyshim në dorën e djathtë.
Në ekspertizën tuaj thuhet në dorën e djathtë, por në atë të kriminalistikës shkruhet në dorën e djathtë.
Unë nuk kam se çfarë i përgjigjem, pasi barutin e kamë marrë vetë unë për ta vërtetuar nëse ishte i tillë.
Kur dolën rezultatet e analizave që ju morët në vendin e ngjarjes?
Analizat toksikologjike kërkonin dy ose tri javë, ndërsa ajo e barutit u bë që të nesërmen.
Profesor Shaban Sinani, në kohën kur ishte drejtor i Arkivit te Shtetit, ka deklaruar në një intervistë se çelësi i kësaj ekspertize ka qenë lëngu në filxhanin e çajit që ndodhej në komodinë. Ekspertiza e këtij lëngu sipas profesor Sinanit nuk është kryer.
Këtë gjë nuk e mbaj mend. Kujtoj vetëm gotën, e cila ishte gjysmë e mbushur dhe afër saj ishte një kokërr e bardhë. Mjeku Mitro Kostaqi deklaroi se ajo ishte një valium që Mehmet Shehu ia kishte kërkuar, pasi e pinte rrallë kur ishte i lodhur. Se çfarë është bërë me këtë gotë unë nuk e di më, por lëngu dhe kokrra e bardhë ishin të papira dhe nëse kjo punë diskutohet, unë mund të them se ajo gotë ishte plot. Nëse dikush do ta kishte helmuar, nuk do ta linte gotën aty, por mund ta derdhte në WC mendoj unë. Nuk ka asnjë kuptim që ajo të gjendej atje.
Kur ka dalë konkluzioni përfundimtar që kishim të bënim me një vetëvrasje?
Këto gjëra nuk mund t’i them unë, por prokuroria, pasi dhe unë vetë nuk jam interesuar më për këtë punë. Madje, për rreth 20 vite nuk është folur më për këtë rast, para ndërrimit të pushteteve. Vetëm pas kësaj kohë, janë bërë disa emisione për këtë çështje, të cilat kanë pasur disa pasaktësi, por mua nuk më interesojnë.
Përtej asaj çka ju keni bërë në atë kohë, duke u bazuar në eksperiencën tuaj, çfarë mendoni se ka ndodhur në të vërtetë?
Nuk është detyra ime ta them, por duke u nisur nga ana mjekoligjore dhe nga të gjitha rrethanat, me duket më shumë si vetëvrasje. Duke lënë në një anë profesionin e mjekut ligjor dhe duke u shprehur si qytetar, mund të them se vetëvrasje apo vrasje në rastin konkret nuk ka ndonjë ndryshim të madh thelbësor. Kjo vdekje i faturohet një sistemi diktatorial, në një shtet ku gjykatat nuk ishin të pavarura, e që nuk kishte Ministri Drejtësie. Pra, vetëvrasja nuk vjen nga një depresion i rëndë apo sëmundje psikike, por nga një situatë e vështirë pa dalje të mundshme, ku personi me sedër e quan më të lehtë vetëvrasjen sesa një “inkuizicion” plenumi që historia e kaluar na ka mësuar, sepse përfundonin si rregull me pushkatim.
Është hedhur një ide kohët e fundit që Prokuroria shqiptare duhet të nisë edhe njëherë hetimet për të mbyllur përfundimisht këtë dosje. Ju jeni dakord me këtë rinisje hetimesh dhe nëse ato ndodhin, a do mund të dalin fakte të reja?
Po, sepse duke pasur këto të dhëna, duke pasur dëshmitë e familjarëve, ka mundësi që një komisionin të tregojë cili version ka qenë më i mundur, pasi unë besoj në mënyrë kategorike se nuk është zor që të shprehemi.
Si e keni përjetuar ju këtë ditë, përtej detyrës që kishit marrë? Si ishte kjo ngjarje për ju nga ana emocionale dhe si e keni përballuar?
Nga ana emocionale ishte një gjendje e rëndë, veçse me profesionin tim në rreth 50 vite nuk është e mundur të jesh emocional dhe kështu unë e mbyll këtë pjesë dhe filloj bëj detyrën në mënyrë më të mirë të mundshme, duke shfrytëzuar çdo mundësi që kemi. Sigurisht që këto ngjarje të trishtonin, por ndodhnin.
Ekziston një dëshmi shumë e fortë e një prej sekretarëve të Mehmet Shehut, sipas të cilit, kryeministri në atë kohë kishte përgatitur dhe autokritikën e famshme që Enver Hoxha ia kërkoi për ta analizuar. Përveç kësaj, janë edhe disa dyshime që lidhen me atë që mund të quhet gjendja turpit e Mehmet Shehut, duke u ngritur disa pikëpyetje të vogla, si për shembull, një njeri që mendon të vrasë veten nuk mund të shkruajë me një kaligrafi aq të pastër një letër, apo nuk rregullon dy jastëkë në shtrat për të qëndruar normal, të vendosë syze, apo të veshë kostumin e këmishës dhe pizhame. Gjithashtu, si është e mundur që askush nuk ka dëgjuar të shtënën e armës në atë kohë?
Është kryer një provë nga grupi e hetimit, dhe vetëm një person ka dyshuar pak zhurmë, shumica tjetër nuk ka dëgjuar gjë. Ishin dy dyer të puthitura mirë që ndanin dhomën e Mehmet Shehut me dhomën e Fiqiretes, që ishte më e afërta. Ato ishin dy dyer të puthitura mirë karshi njëra-tjetrës. Dhe ajo që ishte me kryesore, një qitje për përqitje e amortizon pjesën më të madhe të zhurmës.
Ju pak vite më vonë keni bërë edhe autopsinë e bashkëshortes së Mehmet Shehut, Fiqirete Shehu…
Po, kam shkuar me grupin hetimor në burgun e Tiranës, në të cilin ajo kishte vdekur. Fiqiretja ishte e veshur me një këmishë nate të pastër, në një krevat me çarçafë të pastër dhe pak më e shëndoshë seç kishte qenë përpara dënimit. E morëm kufomën në morg, duke i bërë ekzaminimin dhe ajo kishte vdekur nga një sëmundje e zemrës, e cila quhej perikardit.
Pas vitit 1990 ka pasur interesim, jo nga media, por nga persona të ndryshëm apo familjarë që ju kanë kontaktuar duke ju pyetur rreth dyshimeve të tyre ?
Po, nuk e kujtoj dot vitin, por duhet të ketë qenë ’92 ose ’93 kur me ndërhyrjen e një shoku të vajzës sime më kërkoi takim Bashkim Shehu, djali i tretë i Mehmetit. U takuam në një nga ato kafenetë e shumta te Tajvani dhe kemi ndenjur mbi dy-tri orë duke biseduar. I kam thënë të pyeste për gjithçka edhe me ato që nuk kishin të bënin me profesionin tim, duke i marrë të gjitha anët e kësaj medalje. Pasi biseduam gjatë, ai iku i qetë, duke më thënë se dhe atij i dukej më shumë si një vetëvrasje, këtë e ka thënë edhe në librin e tij “Vesa e ankthit”.
A mund të jetë kjo ngjarje e Mehmet Shehut një kazus për një vetëvrasje të pastër, pasi në disa libra shkencor vdekja e tij është artikuluar si një vetëvrasje e pastër.
Asnjëherë nuk e kam shprehur këtë gjë dhe nuk mund ta thuash asnjëherë, sepse sot ka mundësi që të bësh një vrasje dhe ta heqësh si një vetëvrasje të përsosur, sigurisht kjo jo në shtëpinë e të vrarit.
A e kishte mundësinë shteti i asaj kohë që të bënte diçka të tillë?
Thuhet dhe shkruhet se e ka bërë, nuk flas për rastin konkret.
Çfarë është për ju vdekja e ish-kryeministrit, 27 vite në detyrë?
Si mjek ligjor, ai është një veprim interesant, të cilit ne përpiqemi t’i hyjmë sa më thellë për t’i dhënë ndihmë organit të Prokurorisë. Si qytetar, janë ngjarje rënda, janë tronditëse, por që kanë një logjikë të mbrapshtë në rrjedhën e tyre.
Çfarë do t’i thoshit opinionit publik, për ata që janë të lëkundur, por edhe për ata që janë të bindur për këtë vrasje?
Do të ishte më e mira ajo që thatë ju më parë, Prokuroria sot mbi bazën e materialeve ta rishikojë edhe njëherë çështjen. Pasi ajo ka mundësinë tani që të punojë më lirshëm me një frymëmarrje më të gjerë duke qenë se ky është një rast tashmë i kaluar.
Ju keni llogaritur dhe kohën e vdekjes, cila ka qenë ajo ekzaktësisht?
Kohën e kam përllogaritur, duke marrë për bazë edhe kohën kur është shkruar letra, e cila është bërë nga ora 21:30- 22:00 dhe ka vazhduar deri në orën 01:30- 02:00. Ndaj, ora e vdekjes mund plus apo minus gabimi i mundshëm, 01:45 të datës 18 dhjetor. Duke bërë një termometrim të trupit të kufomës, temperatura e së cilës ka qenë rreth 28 gradë, sipas disa tabelave, brenda një ore, pra në orën e parë pas vdekjes, temperatura ulet një gradë, në orën e dytë ulët 0.9 gradë, në orën e tretë 0.8, e kështu me radhë. Pasi e kemi bërë në tre skema të ndryshme për ta vërtetuar më mirë, kemi dhënë konkluzionet, duke thënë se vdekja ka ndodhur në 01:45-02:15. E reja e Vladimir Shehut më ka treguar se ai shkruante në bibliotekën e tij dhe disa herë këta kanë tentuar të hynin në dhomën e Mehmetit, por askush nuk kishte marrë guximin.
Por, a mundet që një njeri i cili mendon të vrasë veten të shkruajë një letër aq bukur dhe me pa asnjë gabim drejtshkrimor?
Po të jetë i vendosur në këtë gjë, me një karakter të fortë, që Mehmet Shehu besohet se e kishte, mund të ndodhë.
ROLAND QAFOKU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al