NGA DEMUSH SHASHA
Asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur që një vend të ketë kaq fuqi të jashtëzakonshme dhe disproporcionale në krahasim me konkurrentët e vet. Kjo është edhe arsyeja përse çdo parashikim për shekullin XXI duhet të fillojë me SHBA-të si vend që do të diktojë rrjedhjen e 100 vjetëve të ardhshëm. Me fjalë të tjera, jemi vetëm në fillimet e shekullit amerikan.
“Serbia po përgatitet për luftë” isha deklaratë e George Friedmanit, e cila lançoi emrin e tij në diskursin publik të Kosovës. Ndonëse i panjohur në vendin tonë, Friedmani është njëri nga eminence grise të establishmentit të Uashingtonit. Afërsia e tij dhe kompanive të lidhura me të me kompleksin e inteligjencës dhe sigurisë amerikane ka çimentuar autoritetin e tij global. Po ashtu, ai nuk është i huaj në rajonin tonë. Friedman ka qëndruar disa herë në Beograd me ftesë të ish-ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq.
Ekspertizë e z. Friedman janë parashikimet gjeopolitike. Natyrisht, siç pranon edhe vetë Friedmani, parashikimet janë punë jashtëzakonisht e vështirë. Konsideroni vetëm zhvillimet e shekullit të kaluar. Imagjinoni vitin 1900. Atëherë Londra ishte qendra e botës dhe Evropa sundonte pothuaj gjithë globin. Nuk ka pasur asnjë pëllëmbë tokë që në një formë ose formën tjetër nuk ishte nën kontroll apo ndikim të perandorive evropiane. Nga ana tjetër, vetë Evropa ishte në paqe dhe me zhvillim të paprecedent ekonomik. Kësisoj shumëkush në Evropë dhe në botë mendonte se civilizimi më në fund ka gjetur paqen dhe harmoninë. Tani imagjinoni vitin 1920. Evropa është ferr mbi tokë. I gjithë kontinenti është shkatërruar dhe me të katër perandori evropiane.
Miliona të vdekur. Rusia dhe Perëndimi bashkuan forcat për të parandaluar fitoren e Gjermanisë. Traktati i Versajës garantoi se Gjermania kurrë më nuk do të këtë mundësi të kërcënojë paqen në Evropë. Tani imagjinoni vitin 1940. Gjermania jo vetëm se është ngritur nga Lufta e Parë Botërore, por tani ka pushtuar gjithë Evropën. Në aleancë me Rusinë ajo është forcë e pandalshme. Për çdo mendimtar të kohës gjërat ishin shumë të qarta: Gjermania do të jetë pasardhëse e perandorive arkaike evropiane dhe fuqi e ardhshme globale. Imagjinoni tani vitin 1960. Gjermania është e gjunjëzuar. Kontinenti evropian është i okupuar dhe i ndarë në dysh në mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik. Bota është tani në garë në mes dy vizioneve të ndryshme të njerëzimit: demokracia dhe komunizmi. Imagjinoni tani vitin 1980. Bashkimi Sovjetik është kërcënim serioz për rendin global perëndimor. Civilizimi është në udhëkryq. Pas kësaj beteje, do të ngelet vetëm një fitues: SHBA-të ose Bashkimi Sovjetik. SHBA-të janë të obliguara të ngrenë aleanca me Kinën komuniste për të baraspeshuar Bashkimin Sovjetik, i cili është duke dominuar kontinentin evropian. Imagjinoni tani vitin 2000. Bashkimi Sovjetik ka kolapsuar në tërësi. Kina çdo ditë e më shumë është më pak komuniste dhe më e hapur për botën. NATO-ja është shtrirë në gjithë Evropën dhe qëndron e vetmuar në piedestalin e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur njerëzimi.
Ky udhëtim nëpër shekullin e kaluar nënvizon faktin se sa vështirë ka qenë që të parashikohen këto cikle njëzetvjeçare gjeopolitike. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ka qenë e pamundur që këto dinamika të parashikohen. Në fillet e shekullit XX ka pasur zëra të rëndësishëm, të cilët kanë paralajmëruar se Gjermania si shtet i ri dhe i rrethuar nga Franca dhe Rusia nuk do të ndihet e sigurt dhe do të këtë tendenca luftënxitëse. Alexis de Tocqueville dhe Friedrich Nietzsche kanë parashikuar ngritjen e SHBA-ve dhe Rusisë. Pra, historia na mëson se parashikimi është i vështirë, por nuk është i pamundur. Dhe është pikërisht në këtë kontekst që z. Friedman synon të parashikojë kornizën dhe dinamikat kryesore gjeopolitike të cilat nuk varen nga vullneti i njerëzve, por janë strukturalisht të paevitueshme. Friedmani nuk e ka arritur këtë askund më mirë se në magnus opus-in e tij “100 vjetët e ardhshëm”. Në libër ai parashikon se gjatë këtij shekulli do të ndodhin katër gjëra: (1) SHBA-të do të çimentojnë pozitën e tyre si fuqi e pakontestueshme globale; (2) Rusia dhe Kina do të dobësohen; (3) Japonia, Polonia, Turqia dhe Meksika do të ngrihen në statusin e fuqive rajonale të afta për të sfiduar interesat kyç amerikane; (4) Lufta e ardhshme do të zhvillohet në hapësirë me qëllimin e kontrollimit të plotë të komunikimeve satelitore dhe të resurseve diellore.
Në këtë dhe kolumnen e ardhshme do të mundohem të fokusohem në dy aspekte të parashikimeve të tij: (1) pse dominimi i SHBA-ve të shekullit XXI është i paevitueshëm dhe (2) cilat do të janë krizat kryesore të shekullit XXI?
Le të fillojmë me arsyet të cilat e shtynë Friedmanin të konkludojë se shekulli XXI është shekull amerikan. Qoftë nëse lexojmë Foreign Affairs, cicërojmë në “Twitter” apo shikojmë CNN krijohet një pikturë se SHBA-të është në vazhdimësi e zhytur në një krizë ekzistenciale. Nga Iraku dhe krizat financiare e deri tek Trumpi dhe kriza e kufirit me Meksikon, lajmet janë çdoherë plot tituj për probleme në shoqërinë amerikane. Sidoqoftë, nën vellon e kësaj zhurme ditore ngelet fakti se SHBA-të janë vetëm në fillimet e ngritjes së saj globale.
Marrë çdo parametër të mundshëm, SHBA-të janë larg para vendeve të tjera. Amerikanët përbëjnë vetëm 4% të popullsisë globale, por ata prodhojnë 26% të gjithë produkteve dhe shërbimeve në botë. Kjo është më shumë se çfarë prodhojnë Kina dhe Rusia së bashku. Një fakt themelor dhe i rëndësishëm, i cili shpesh injorohet është se Amerika është e nënpopulluar. Me fjalë të tjera: Amerika ka shumë tokë. Në çdo kilometër katror të Japonisë jetojnë 338 qytetarë, në Gjermani 230, ndërsa në Kinë 149. Në SHBA: 37. Pra, SHBA-të kanë shumë më shumë tokë për t’u rritur sesa të gjitha konkurrentet e saja. Ekonomia është në thelb tokë, fuqi punëtore dhe kapital – dhe SHBA-të i kanë me bollëk të tria këto.
Shtoja kësaj se SHBAtë gëzojnë popullsi më të re nga të gjitha konkurrentet e saj dhe e kupton se SHBAtë janë vetëm në fillet e shfrytëzimit të potencialit të vet ekonomik. Por në fund fare, ajo çfarë me të vërtetë solidifikon statusin e SHBA-ve si fuqi e pakontestueshme globale nuk është ekonomia, por kapaciteti i saj ushtarak. SHBA-të jetojnë në një kontinent që është tërësisht nën dominimin e tyre dhe që janë praktikisht të pamundur për t’u pushtuar. Gjatë historisë vende të tjera janë pushtuar, por vetë Amerika asnjëherë nuk ka përjetuar luftën në tokë të saj. Përderisa të tjerët janë dëmtuar dhe shkatërruar nga lufta, Amerika vetëm është rritur falë luftërave. Merrni shembull Luftën e Dytë Botërore. Aty humbën jetën 60 milionë njerëz, por shumicën e humbjeve përjetuan vende të tjera. Amerika humbi vetëm 1% të këtij numri. Por si pasojë e Luftës së Dytë Botërore dhe marrëveshjes “Hua për qira”, Amerika u shndërrua në fuqi globale dhe vendosi kontrollin mbi të gjitha oqeanet e botës.
Janë dy teori themelore se si një vend bëhet superfuqi globale. Njëra vjen nga Halford John Mackinder, i cili thotë se ai që kontrollon Evropën kontrollon Euroazinë dhe ai që kontrollon Euroazinë kontrollon botën. Pra, theksi është tek kontrolli i tokës dhe specifikisht tokës evropiane. Teoria tjetër vjen nga admirali Alfred Thayer Mahan, i cili thotë të kundërtën – se vetëm ai që kontrollon oqeanet, kontrollon botën. Historia e ka vërtetuar se të dytë kanë pasur të drejtë, por admirali Mahan ka pasur pak më shumë të drejtë. Sot Amerika kontrollon të gjitha oqeanet e botës. Për cilindo vend qasja në oqeanet është thelbësore qoftë për rritje ekonomike apo për lëvizje ushtarake. Dhe sot asnjë vend nuk mund të bëjë asnjë lëvizje në asnjë oqean pa dhënë SHBA-të leje eksplicite për këtë. Dhe kjo nuk do të ndryshoje së paku në 100 vjetët e ardhshëm. Të ndërtosh kapacitete ushtarake detare është jashtëzakonisht vështirë dhe e kushtueshme. Vetë SHBA-ve u janë dashur shekuj të tërë.
Aq është i madh dallimi në mes kapaciteteve ushtarake detare amerikane dhe vendeve të tjera saqë edhe nëse të gjitha kapacitetet detare të botës do të ishin bashkuar kundër Amerikës, ato përsëri do të ishin larg më të vogla se kapacitetet detare ushtarake të SHBA-ve. Shtoja kësaj se SHBA-të vazhdojnë të investojë pakrahasimisht më shumë në kapacitetet e veta ushtarake se vende të tjera. Buxheti i përgjithshëm ushtarak amerikan në vitin 2024 është më i madh se i dhjetë vendeve pasuese marrë së bashku.
Asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit nuk ka ndodhur që një vend të ketë kaq fuqi të jashtëzakonshme dhe disproporcionale në krahasim me konkurrentet e veta. Kjo nuk do të thotë se veprimet e SHBA-ve janë të drejta apo morale, në fakt qartazi nganjëherë edhe nuk janë. Por, nuk mund të presim asgjë më shumë nga një vend i ri siç janë SHBA-të. Me fjalë të tjera, SHBA-të janë vetëm në fillimet e dominimit të tyre global. Kjo është edhe arsyeja përse çdo parashikim për shekullin XXI duhet të fillojë me SHBAtë si vend që do të diktojë rrjedhjen e 100 vjetëve të ardhshëm/ Marrë nga “Koha Ditore”
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al