“12 orë transmetim në ditë për Olimpiadën e Mynihut në 1972”, rrëfehet gazetari sportiv: Ju tregoj takimin me Todi Lubonjën! Çfarë më tha pas bisedës që kishte bërë me Enver Hoxhën

Aug 1, 2024 | 11:12
SHPËRNDAJE

SKIFTER KËLLICI/ Këto ditë, kur në Paris, kanë nisur Lojërat Olimpike, më rikthejnë te Munih 1972. E zhvilluar në shekullin e kaluar, nga ajo olimpiadë kanë kaluar shumë vite.

ymer pampuri

Por, nga shqiptarët sot ajo kujtohet ende me nostalgji për disa motive: Si e para, kur në një veprimtari, konkurrim të tillë, Shqipëria merr pjesë me një grup prej 5 sportistësh, nga qitësit, Afërdita Tusha, femra e parë shqiptare në një olimpiadë, kampioni, mjeshtri Ismail Rama, Beqir Kosova e Fatos Pilkati dhe peshëngritësi Ymer Pampuri; për rezultatin fenomenal të peshëngritësit Ymer Pampuri, por edhe si e para e transmetuar në televizionin shqiptar, RTSH e ndjekur nga teleshikues, amatorë, pasionantë në të gjithë vendin. Sigurisht ata që kishin mundësinë, që kishin një aparat televiziv, që për kohën ishin ende të pakët, jo masivë në Shqipëri dhe që jepeshin vetëm me autorizim. Lojërat e 20-ta 0limpike u zhvilluan nga 26 gushti deri më 11 shtator i vitit 1972 në Munih, (R.F. Gjermane), i kam komentuar thuajse i vetëm me nga rreth 10- 12 orë në ditë, i ngujuar për dy javë në njërën prej studiove të Televizionit Shqiptar.

Së pari, duhet t’u kujtoj se më 26 prill të vitit 1972 TVSH-ja nisi një epokë të re transmetimin në shqip të veprimtarive sportive ndërkombëtare, kryesisht të futbollit, që ngjallën një interesim të paparë, sidomos në qytete e vise të Shqipërisë ku nuk arrinin valët e RAI-t, pra radiotelevizionit italian. Kjo nismë, siç më thoshte atëherë Todi Lubonja, drejtori i përgjithshëm i RTVSH-së, gjeti edhe miratimin nga udhëheqja e partisë. Dhe ai kishte parasysh në radhë të parë Ramiz Alinë, që ishte shefi i Propagandës në Byronë Politike, me fjalë të tjera të Enver Hoxhës. Kështu, një studio e TVSH-së komentova, së pari ndeshjet për Euro 1971, Itali-Belgjikë që zhvillohej në Milano, marrë nga RAI. Pas dy orësh panë se nga TV Beogradi po komentoja ndeshjen Angli- RFGj, që zhvillohej në Londër, me një komentimin që e bëja nga TVSH- ja.

4 olimpistet
Pesë olimpistët shqiptarë, Mynih 72, Ismail Rama, Fatos Pilkati, Beqir Kosova, Afërdita Tuasha dhe Ymer Pampuri

I nisur nga kjo klimë më se e përshtatshme, një ditë maji të atij viti i kujtova Todi Lubonjës se pas disa muajsh në Munih do të zhvilloheshin lojërat olimpike, të cilat nuk do të ishte keq që të transmetoheshin edhe nga TVSH-ja.

U mendua një copë herë, por nuk m’u përgjigj. Nuk ia rikujtova, duke gjykuar se ky propozim imi nuk kishte gjetur mbështetje nga lart, pra në radhë të parë nga Ramiz Alia. Një mëngjes fund korriku, kur po merresha me një emision artistik televiziv për redaksinë e kulturës, ku punoja, më njoftuan se më kërkonte urgjentisht Todi Lubonja. Shkova shpejt në zyrën e tij. Pa humbur kohë, zuri të më tregonte se një ditë më parë në korridoret e Komitetit Qendror të Partisë, befas ishte takuar me Enver Hoxhën, që e kishte përgëzuar, veç të tjerash, për transmetimin e këngëve të Festivalit Evropian në Radio Tirana, për disa emisione të tjera televizive, si dhe për transmetimet e ndeshjeve sportive nga televizionet e huaja, kryesisht nga RAI. E falënderova,-vazhdoi Todi,-dhe përfitova nga rasti, t’i përmendja propozimin tënd për transmetimin e Lojërave Olimpike të Munihut. E mirëpriti. Ndaj përgatitu. Mirëpo, në këtë rast nuk ishte fjala për ndeshje futbolli, ose për veprimtari të ndonjë sporti që kisha komentuar deri atëherë, por për 23 lloje sporti, një pjesë të të të cilave nuk i njihja fare, ose i pak, si hipizmi, vozitja, qitja, hokei mbi bar, badmingtoni që përfshinin 145 gara.

6th September 1972:  The Olympic flag flying at half-mast in the Olympic Stadium in Munich during the memorial service for the Israeli athletes who were killed by Arab terrorists the previous day.  (Photo by Keystone/Getty Images)
6th September 1972: The Olympic flag flying at half-mast in the Olympic Stadium in Munich during the memorial service for the Israeli athletes who were killed by Arab terrorists the previous day. (Photo by Keystone/Getty Images)

Mbi të gjitha ishin sporte që nuk i njehnin as sportdashësit tanë, sepse nuk zhvilloheshin në Shqipëri, ndaj gjatë transmetimit të tyre duhej t’u kumtoja atyre të paktën disa njohuri. Nuk ia shpreha shqetësimin tim as Todi Lubonjës, as miqve të mi. Por, që të nesërmen fillova përgatitjen dhe me shumë këmbëngulje u zhyta në studime, sepse, në fakt, edhe në këtë rast do të ndodhesha para një provimi, madje më të madhpara mijëra e mijëra sportdashësve në tërë vendin tim. Bile, siç mora vesh më pas, edhe të sportdashësve kosovarë të cilët donin që t’i ndiqnin, dëgjonin shqip dhe jo serbokroatisht, pra me sytë dhe veshët do t’i kishin të drejtuara nga unë.

Dija që në Bibliotekën Kombëtare ishte në rusisht libri “Enciklopedia Olimpike” ku përfshihej historia e lojërave olimpike antike dhe për më tepër moderne- nga olimpiada e parë në Athinë në vitin 1896 e deri në lojëra 19-ta, pra të fundit, të vitit 1968 në Meksiko. Për më tepër edhe njohuri rreth sporteve olimpike dhe mbi të gjitha rezultatet e 6 sportistëve më të mirë në të gjitha garat e të gjitha sporteve. Këtij libri i shtohej edhe një libër me tri vëllime në italisht, me titull “Historia e sporteve”, e autorit të njohur italian Stefano Iakomuci, botuar më 1965, i cili edhe ai për fat më mirë ndodhej në Bibliotekën Kombëtare. Por, sidoqoftë, më duheshin informacione edhe më të freskëta, bile mundësisht të ditëve në prag të zhvillimit të olimpiadës që fillonte më 26 gusht të atij viti.

Skifter Këllëçi në studiot e TVSH-së
Skifter Këllëçi në studiot e TVSH-së

Në ndihmë më erdhi gazeta e përditshme “Sovjetski Sport”, që vinte me pak vonesë nga Moska, nëpërmjet Budapestit, sepse, sic dihet, qysh nga viti 1961 Shqipëria nuk kishte asnjë lloj marrëdhëniesh me Bashkimin Sovjetik.

Më erdhi në ndihmë revista “Atletika e lehtë”, po në rusisht, pikërisht për këtë sport që njihet si “mbretëresha e olimpiadave”, ku gjeta të dhëna dhe kuriozitete për atletët më të mirë që mendohej të ishin protagonistët kryesorë në këtë olimpiadë. Më erdhën në ndihmë, gjithashtu, lajme sportive të marra nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, të cilat m’i gjeti dhe përzgjodhi Napoelon Roshi, gazetar dhe publicist i shquar edhe në fushën e sportit, i cili, për fat të keq, nuk është më midis nesh.

Kështu me këto njohuri, të dhëna informative, u përgatita për të përballuar me sukses këtë provim. Por kisha përpara edhe një provim tjetër. Dhe jo aq të lehtë: porosia nga “Lart” ishte që gjatë transmetimit të mbuloja ndonjë shprehje të komentatorëve italianë që shkonte ndesh me “ideologjinë tonë”. Një djall e di se ç’do të ndodhte sikur ndonjë shprehje e tillë të më shkiste edhe mua nga goja ose, për më keq, nga goja e bashkëpunëtorëve të cilët kisha menduar që do të merrnin pjesë në këtë sipërmarrje, në këto kushte, me plot gojë e vështirë.

Nga “lart” u dha edhe një porosi që sot tingëllon shumë qesharake: gjatë ceremonisë së përurimit të olimpiadës nuk do të lejohej që në ekran të dukeshin pamje të delegacioneve sportive të SHBA-së dhe B. Sovjetik.

Qitësja Afërdita Tusha
Qitësja Afërdita Tusha

Jo vetëm kaq: nuk do të paraqiteshin në ekran as pamjet e ceremonisë së dhënies së medalajeve të arta sportistëve të vendeve të mësipërme, aq më tepër që shoqëroheshin me himnet e tyre. Këto pamje do të mbuloheshin me një pllakë kartoni ku shkruhej “Lojërat Olimpike, Mynih,1972”.

Meqë transmetimi do të merrej nga kanalet e RAI-t, hartova me këtë rast një listë më emra kolegësh që njihnin italishten, bile më mirë se unë, por që nuk njihnin sportet dhe terminologjinë e tyre. Sidoqoftë, u treguan të gatshëm Feti Borova dhe Kreshnik Tartari, përkatësisht specialistë të njohur të basketbollit dhe volejbollit, Napoleon Roshi që përmenda më sipër dhe publicisti dhe fotostudiuesi i shquar, Pirro Nace. Më ndihmuan, ndonëse meqë ishin të zënë, jo çdo ditë, në transmetimet që nisnin në orën 14.00, për të vazhduar në orën 24.00 dhe disa herë nga 12.00 deri në orën 0.02 të mëngjesit tjetër, siç ndodhi në takimin final SHBA-B. Sovjetik në basketboll për meshkuj.

Kështu pra, për hir të së vërtetës, e shoh të arsyeshme të vë në dukje se nuk kam qenë i Kështu pra, për hir të së vërtetës, e shoh të arsyeshme të vë në dukje se nuk kam qenë i vetëm gjatë komentimit të këtyre lojërave. Vladimir Grillo, që fatkeqësisht edhe ky është ndarë nga jeta, asokohe nuk njihte mirë italishten, gjuhë të cilën, e përvetësoi dhe e përkreu më pas në mënyrë të shkëlqyer, duke na dhënë kështu komente shumë tërheqëse, plot profesionalizëm e kulturë në të gjitha llojet e sporteve.

Erdhi kështu edhe ora 16.00, kur në Stadiumin Olimpik të Mynihut, si dhe komplekset e tjera sportive, të ndërtuara enkas për Lojërat e 20-ta Olimpike, filloi ceremonia e hapjes, ku morën pjesë 7174 sportistë nga të cilët 6.075 meshkuj dhe 1095 femra, nga 121 vende të botës. Pas ndezjes së flakës olimpike dhe betimit nga Guner Zan dhe Hajdi Shuler, të dy sportistë gjermano-perëndimorë, Gustav Hajnemani, president i RFGj-së, e deklaroi olimpiadën të hapur.

Ndërkohë, unë nga studioja, duke pasur përpara një mikrofon dhe një kamera, për fat të keq të vogël dhe primitive, dhe nga prapa një dekor të thjeshtë, ku ishin skicuar pesë unazat që simbolizonin pesë kontinentet dhe fjalët: “Lojërat e 20-ta Olimpike, Munih 1972”, fillova këtë “aventurë” kaq të vështirë, por edhe kaq të këndshme, që edhe sot më ka dhënë dhe më jep ndër kënaqësitë më të mëdha në jetën time si gazetar dhe komentator sportiv. Gjatë momenteve të parakalimit të delegacionit tonë u ndala më shumë për të të përshkruar sukseset e qitjes shqiptare, kryesisht te femrat. Veçanërisht për Afërdita Tushën, si e para femër , flamurmbajtëse, konkurruese shqiptare, në një garë me meshkujt. Por, garat e qitësve tanë, u zhvilluan paradite dhe nuk u transmetuan as gara e Ymer Pampurit. Ai ka qenë i ftuar në Rubrikën Sportive pas mbarimit e Olimpiadës. Të vetmit që më ndihmuan në komentimin e garave të Olimpiadës së Munihut kanë qenë specialistët e njohur Feti Borova, në finalen e turneut të basketbollit për meshkuj SHBA- Bashkimi Sovjetik, fituar për herë të parë nga rusët me një pikë diferencë , që u zhvillua nga ora 12.00 deri në 2.00 të mëngjesit, Kreshmik Tartari për disa ndeshje të volejbollit, gjithashtu, për meshkuj, dhe gazetarët e njohur Napoleon Roshi dhe Pirro Nace për disa lloje sportesh.

Mbaroja komentimin prej 10 orësh edhe më shumë, kthehesha në mesnatë në shtëpi, flija 5-6 orë që të isha përsëri të nesërmen në mëngjes në TVSH, ndiqja lajmet e Radio RAIt, mbaja shënim ndonjë hollësi të gazetarëve italianë për ta përdorur gjatë komenteve, lidhesha me Napoleon Roshin përsëri për të më dërguar buletine lajmesh sportive sa më të freskëta dhe sa më interesante, nga ATSH-ja, haja ç’të mundja dhe në orën 12.00, ose 14.00 isha në studio për të filluar punën.

Duhet thënë se gjatë dy javëve të zhvillimit të olimpiadës, TVSH-ja transmetoi tërë programin e RAI-t, pra tërë llojet e sporteve që përfshiheshin në të. Për fat të keq, u veprua gabim, sepse, siç përmenda më sipër, kishte sporte që nuk i njihja edhe unë, prej vitesh aq i lidhur me botën sportive, e jo më teleshikuesit e thjeshtë nga Vermoshi deri në Konispol. Pra, TVSH-ja duhej të kishte bërë përzgjedhje të përmbledhur të këtyre sporteve pa shumë interes. Mirëpo edhe ko ishte e vështirë, sepse kërkonte shumë punë dhe shumë gazetarë sportivë.

Transmetimi i tërë programit të lojërave olimpike, solli si pasojë që TVSH-ja ato dy javë ta kufizonte programin e saj të përditshëm në këtë mënyrë:

Në orën 18.00,lajme; 18.10 deri 18.30 emision për fëmijë;18.30 deri 20.00 Lojërat Olimpike; 20-20.30,”Revista televizive e mbëmjes”;20.30 e deri në mbyllje përsëri Lojërat Olimpike, në një kohë që kur RAI i transmetoi këto lojëra të alternuara në dy kanalet e tij.

Nuk është rasti që në këto kujtime të ndalem me hollësi në zhvillimin e kësaj olimpiade, ku u thyen shumë rekorde olimpike dhe botërore në disa lloje sporti, por, duke u bazuar në arkivin tim dhe burimet e internetit do të përpiqem të rikujtoj disa ngjarje që më kanë lenë më shumë mbresa:

Po e nis me një tragjedi, e para dhe e fundit deri tani në historinë 116 -vjeçare të Lojërave Olimpike moderne, që nga viti 1896 të zhvilluara në Athinë:

5 shtator, me gjitha masat e marra nga policia gjermane, që dolën të pamjaftueshme, një grup terroristësh të armatosur palestinë, që më pas deklaruan se i përkisni grupit “Shtatori i zi”, arrin të depërtojë në fshatin olimpik, sulmon apartamentet ku strehohen sportistët izraelitë, vret dy prej tyre që bëjnë rezistencë, merr peng 7 të tjerë dhe u kërkon autoriteteve gjermano-perëndimorë që në këmbim të tyre të lirohen 200 luftëtarë palestinezë të mbyllur në burgjet izraelite. Kërkesa e tyre hidhet poshtë nga qeveria izraelite. Kjo që sjell si pasojë pas 18 orë traktativash, kur u vendos që terroristët së bashku me pengjet do të drejtoheshin me avion për në Kajro nga aeroporti Fyrtenfeldbruk i Munihut, në këmbim të ndërsjellë zjarri vriten shtatë pengjet izraelite, pesë terroristët dhe një polic gjerman.

Një ditë më pas në shenjë zie ndërpritet programi i zhvillimit të lojërave dhe në Stadiumin Olimpik në prani të 80 mijë shikuesve dhe 3000 sportistëve mbahet ceremonia mortore. Pastaj përhapen zëra që ato të pezullohen. Por Everi Brandexhi (Angli), presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, deklaron se lojërat nuk do të bëhen kurrë pre e asnjë lloj grupi terrorist, ndaj ato, me gjithë atmosferën e rëndë pas kësaj tragjedie, vazhdojnë.

Dhe ja disa episode kureshtare dhe zbavitëse gjatë këtyre lojërave:

Shqipëria e thotë fjalën e vet në këtë olimpiadë: Peshëngritësi ynë, Ymer Pampuri, më 29 gusht thyen rekordin olimpik dhe shpallet kampion botës në stilin e forcës. Meqë ky stil u hoq që më 1972 përfundimisht nga veprimtaritë e këtij sporti, rekordi i mësipërm, titulli kampion olimpik dhe botëror mbajnë përgjithnjë emrin e tij.

Sprinteri sovjetik Valeri Barzov u rrëmben sprinterëve amerikanë dy medaljet e arta në garat e 100 dhe 200 metrave. Është e dyta herë pas Olimpiadës së Romës më 1960,kur gjermano-perëndimori Armin Hari dhe italiani Silvio Berruti kanë bërë të njëjtën gjë, duke thyer monopolin amerikan në garat e shpejtësisë.

Në 600 metrat e fundit të finales së garës së 800 metrave për meshkuj, amerikani Dejvis Uollt është mbrapa dhe sovjetiku Arzhanov duket fitimtar. Por në 30 metrat e fundit Uollti gjen fuqi për të nisur një sprint të fuqishëm, shkëputet dhe kur Arzhanovi ngre ngadhënjyes duar lart, habitet kur sheh se për 3 të qindin e sekondës medalja e artë ka fluturuar tek amerikani.

Finlandezi Lase Viren fiton garat e 5.000 dhe 10.000 metrave, sukses që e përsërit edhe më 1976 në Olimpiadën e Montrealit. Ringjall kështu traditën e legjendës Paovo Nurmi, po në garat e thellësisë, në olimpiadat e viteve 1920, 24, 28 në Anversë, Paris dhe Amsterdam.

Gjatë ekzekutimit të himnit amerikan, atletët zezakë Vincent Metjuz dhe Uejn Kolet, përkatësisht të dytët dhe të tretët në podium, pas amerikanit tjetër Xhon Smith, fillojnë të llomotitnin midis tyre dhe të rrotullojnë si lodra medaljet, pa u kthyer nga flamuri amerikan. Veprojnë ashtu si dy atletë të tjerë zezakë, Toni Smith dhe Xhon Karlos, që gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve në Olimpiadën e Meksikës më 1968, të ndodhur edhe ata në podium, ngritën lart grushtin të veshur me dorezë të zezë, në shenjë proteste për diskriminimin racor në SHBA. Për këto veprime përjashtohen përgjithnjë nga veprimtaritë sportive.

Po përfundon maratona. Atletët të sfilitur po bëhen gati të futen nga porta e stadiumit. Udhëheq amerikani Frank Shorter. Befas në krye shfaqet një tjetër atlet me uniformë gjermano-perëndimore. Brohoritje për të në stadium…Por del se ai është studenti gjerman Norbert Subhauz që i veshur si atlet, pa rënë në sy, depërton nga turma, në grupin e garuesve. Natyrisht e kapin dhe e largojnë, por vetëm për aq ai do të bëhet i famshëm për pak minuta. Shorteri pas dy maratonistëve të tjerë amerikanë, Tomas Hinks dhe Xhon Hajes, në olimpiadat e viteve 1904 dhe 1908, është kampion olimpik në këtë garë.

Për herë të parë një sportist arrin të fitojë në historinë e tërë olimpiadave 7 medalje ari. Është notari amerikan Mark Spic në garat 100 dhe 200 m stil i lirë, 100 dhe 200 m stil flutur, stafetat 4×100 dhe 4×200, stil i lirë dhe 4×100, stil i përzier. Këtë rekord arrin ta thyejë në olimpiadën e Pekinit më 2008 notari tjetër amerikan Majkëll Felps.

Gjimnastja 17-vjeçare sovjetike Ollga Korbut fiton 4 medalje ari dhe 1 argjendi në gjimnastikë.

Lojërat e 20-ta Olimpike të Mynihut zhvillohen në atmosferën e rinisjes së Luftës së Ftohtë midis të dy superfuqive, SHBA-së dhe B. Sovjetik, që vjen për shkak të vazhdimit të Luftës në Vietnam, ku sovjetikët mbrojnë vietnamezët nga pushtimi amerikan. Rivaliteti shfaqet edhe në këto lojëra ku triumfojnë sportistët sovjetikë. Ata grumbullojnë 50 medalje ari, 27 argjendi dhe 22 bronzi-gjithsej 99 medalje; kurse kundërshtarët e tyre amerikanë – 33 ari,31 argjendi dhe 30 bronzi-gjithsej 94 medalje.

Jehona e transmetimit të kësaj olimpiade nga TVSH-ja vazhdoi gjatë. Falënderime më vinin ngado. Më kujtohet mirë se Pirro Kondi, drejtor i Drejtorisë së Propagandës në KQ, veç të tjerash edhe kunati i Hysni Kapos, dora e djathtë e Enver Hoxhës, në tetor të atij viti, pra një muaj pas përfundimit të lojërave të Munihut, në një mbledhje me gazetarë sportivë, midis të tjerash, tha pak a shumë këto fjalë: “Në fillim patëm druajtje për transmetimin e Olimpiadës, por u qetësuam kur pamë që jehona në popull qe e mirë”. Po nga KQ i PPSH-së, më erdhi informacioni se ndihmesa ime në këtë olimpiadë vlerësohej edhe nga udhëheqja.

Mirëpo gjithçka do të rrënohej pas Festivalit të 11-të Këngës në RTVSH, në dhjetor të vitit 1972, kur në fillim të vitit 1973 Enver Hoxha nisi sulmin e egër kundër shfaqjeve të huaja në letërsi, arte, dënoi Todi Lubonjën si “armik të popullit”, si shfaqje e huaj u cilësua edhe transmetimi i tërë Olimpiadës së Munihut. U kritikova edhe unë si komentator me prirje perëndimore, për më tepër se “u ngjante komentatorëve italianë”. Veçanërisht nga Thanas Nano që zëvendësoi Todi Lubonjën, si drejtor i përgjithshëm RTVSH-së, që rikthehej me urdhër të vetë Enver Hoxhës.

Ndërkohë, ndërsa po zhvillohen Lojërat Olimpike të Parisit, si qindra miliona e miliona njerëz kudo në botë, në një dhomë të shtëpisë sime këtu në Kunci, (Boston) SHBA, jam ulur edhe unë para ekranit për t’i ndjekur ato. Por pa pasur përpara mikrofonin, me të cilin, së bashku me disa kolegë pata komentuar gjatë dy javëve për orë dhe orë të tëra Olimpiadën e 20-të atë ët Munihut, disa nga ngjarjet dhe mbresat më të rëndësishme të saj, të cilat u mundova t’i ringjall në këto kujtime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura