UPDATE/ Nënë Tereza mbush sot 12 vjet nga lumturimi i saj. Anjeze Gonxhe Bojaxhiu e njohur në mbarë botën si Nënë Tereza e Kalkutës, emër të cilin e mori kur themeloi urdhrin “Misionarët e Dashurisë “ në vitin 1951 për t’u shërbyer të varfërve dhe të pashpresëve të Indisë, u lumturua më 19 tetor 2003 nga papa Gjon Pali i 2 në Vatikan.
Kryeministri Edi Rama tha se vëllazëria fetare në Shqipëri është vlerë teksa vlerësoi se mirësia ishte rrënja e përhershme e Nënë Terezës. “Ajo ishte ambasadore e paqes dhe vullnetarizimit. Nënë Tereza është një person unik, që u sakrifikua për të varfërit, e pazëvendësueshme në brendësinë e identitetit kombëtar”. Ai tha se kjo ditë e rëndësishme na imponon shumë përgjegjësi.
“Nënë Tereza ka deklaruar se prej gjaku jam shqiptare, prej kombësie indiane, prej besimi katolike, prej thirrje e mbarë botës dhe prej zemrës një me zemrën e Krishtit. E kuqja dhe e zeza që na takon në këtë mozaik gërshetohen me të gjelbrën e shpresës, të kaltrën e qiejve dhe të bardhën e një zemre që i është dhënë të tjerëve. Ky është sahari indian i mirësisë”,- u shpreh Rama.
Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, e cila nuk është vetëm festë liturgjike, por Festa Kombëtare e Saj.
Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte.
Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Në vitin 2003 aeroportit të Tiranës, iu dha emir “ Nënë Tereze”, ndërsa në hyrje të aeroportit u inaugurua edhe busti i saj.
Nënë Tereza ka lindur në Shkup me 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Ajo vdiq ne 5 shtator 1997 ne Kalkuta të Indisë.
Në 1991, Nënë Tereza kthehet për here të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende.
Gjatë viteve, Bamiresia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën.
19 tetori, dita e lumturimit të Nënë Terezës është shpallur festë kombëtare në Shqipëri. Nënë Tereza prehet në selinë e Urdhrit të misionarëve të bamirësisë në Kalkuta.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al