24 orë nga jeta e një fatkeqi

Jan 7, 2025 | 7:49
SHPËRNDAJE

NGA EDISON YPI Edison Ypi1

Në jetën e fatkeqit koha nuk rridhte në rend kronologjik. Ishte më se zakonshme që një ditë që niste, ta zëmë, muajin e ardhshëm, të vazhdonte pardje dhe të përfundonte pasnesër. Lidhja e jetës së fatkeqit me matematikën dhe numerologjinë ishte diçka që sot e kësaj dite vet fatkeqi dhe të tjerë nuk e kuptuan kurrë. Nga ky kënd, 24 orët në vazhdim, janë një ilustrim. Fatkeqi priste me durim të shihte pas mesnate në televizorin pajisur me kanoçe dhe antenë të bëra vetë me tuba bakri dhe zhivë të kuqe nga e nëndetëseve të Pasha Limanit ndonjë film të zgjedhur nga Claudio G. Fava te “Cinema di Notte”.

Kur filmi mbaronte, që të mos e kapte paniku i orëve të vogla, fatkeqi nuk e shihte sahatin. Mbulonte kokën dhe flinte. Gjatë atyre pak orëve deri në gdhirje, strukur brenda gjumit dhe në kërthizë të ëndrrës, pra në zgëqin më të largët dhe më të qetë të kohë-hapësirës, atje ku diktatura e proletariatit me klithmat e sukseseve dhe uratë e fitoreve nuk mund të hynte, fatkeqi lodhej e sfilitej të gjente sekretin e papërsosmërisë së botës përmes njohjes së thellë të numrit iracional Pi. Fatkeqi flinte dhe ëndërronte pa merakun e zgjimit vonë për në punë.

Fatkeqit s’i lypsej orë me zile, ku-ku muri, këngë gjeli, lehje qeni, kuisje maçoku, shfryrje zagari, shkrofëtimë kali, muuu lope, pëllitje gomari. Sapo niste zhbirilimin e Pi-së duke pyetur veten nëse Universi është newtonian apo ajnshtajnian, gjeometria është euklidiane apo llobaçevskiane, një sqepar pas koke i çante kafkën. Fatkeqi ndalte hulumtimin, zgjohej, hidhte sytë rrotull, vinte në vete. Në respekt të zbatimit me përpikmëri të ritit të përditshëm trashëguar brez pas brezi nga gjyshërit në shekuj, komshiu çante dru për sobën mbi dysheme që pa gdhirë. Lamtumirë jetë evolucionare darviniane! Nga ai moment, pretendimi për ekzistencë sadopak të arsyeshme, bëhej pluhur e hi. Megjithatë, menderjeta vazhdonte. Nëse ndodhte që, për ndonjë arsye, zgjimin me sqepar kokës, Fatkeqit nuk ia bënte ai lart, me qysqi, çekan a sharrë ia kryente me përpikmëri komshiu poshtë, ai majtas, tjetri djathtas, dikush para a dikush pas, derisa fatkeqi kthehej në fatnxirë, klithma e Munchut shndërrohej në Mozart, koka kovaçhanë, jeta varr.

Kur më së fundi fusha e betejës ishte zbrazur, irracionalja Pi nuk ishte zbërthyer, drutë ishin çarë, sobat ishin ndezur, gjakrat ishin ngrohur, kurrizet ishin tharë, mëngjesi i fatkeqit invadohej nga një tjetër tmerr edhe më i egër, edhe më i pamëshirshëm: Radioja shtetërore. E dhunshme dhe e lodhshme si futja e një kokërr molle brenda një kokërr arre, thirrja në ndihmë e radios për ta bërë fatin e fatkeqit qymyr, shkaktonte çoroditjen definitive të marrëdhënieve mes psikiatrisë, gravitacionit, fiziologjisë, matematikës, gjeometrisë. Haberet me fitore imagjinare mbi armiq hiporetikë, traktorë që çajnë arat, rendimente të larta, tejkalime planesh, në radio i lexonte dikush me zë derri, kancer në tru, tumor në fyt, qurra nëpër turi.

Çfarë arrinte rrëmujshëm në veshët e fatkeqit nga dëgjimi i jehonave të radiove të komshiut, komshiut të komshiut, komshiut të komshiut të komshiut, ishte një vuajtje verbale para të cilit mallkimet e ndërsjella të Djallit me Zotin janë komplimente. Gjatë mishmashit të zërave që për shkak të distancave të ndryshme të radiove nga vinin, në veshët e fatkeqit arrinin në kohë të ndryshme, qëllonte që fjalët “sukses”, “rendiment”, “rrethim”, “tufëzim”, “mjelëse”, “proletar”, “tufëz”, “rrogëz”, “traktorist”, “armik”, arrinin edhe njëkohësisht si batare kallashnikovi, ose në një rend pa rend që të kujtonte irracionalen Pi. Krismat e sqeparëve dhe sëpatave, përplasjet e dyerve, ulërimat nëpër shkallë, me kalimin e orëve harroheshin, zallamahia shterej. Por fillonte tjetra. Puna, ofiçina, fabrika, zyra, kooperativa.

Ku sekretari i partisë ishte më budallai, kryetari i sindikatës më paraziti, spiun i shokëve më bastardi. Puna fillonte me… punën. Jo-jo, puna nuk fillonte me punën. Puna fillonte me leximin e “Zërit të Popullit”. Dhe, po ashtu si pas diplomacisë kërcasin topat, pas leximit të “Zërit”, fillonte muhabeti i sportit, futbollit. Pas mbarimit të muhabetit të sportit, andej nga ora 11, punëtorët u afroheshin me përtesë tornove, inxhinierët duke gromësitur teknogreafave, bujqit plugjeve, mësuesit nxënësve. Por ndërkohë kishte ardhur mesdita, pushimi, çlodhja. Klasa punëtore, klasa intelektuale, bashkë me atë kooperativiste, shtronin gazetat, shtrinin pecetat, hiqnin kapakët, futnin gishtat brenda kavanozave nxirrnin lëtyrat. Fol e mbllaçitu, kërciste muhabeti vesh më vesh me njëri-tjetrin:

-Ata gjermanët kanë futboll dhe ekonomi të fortë, por atë dreq politike s’e kanë gjë.

-E more vesh atë hallon që erdhi nga Amerika, atë që ia zbathën edhe çorapet dhe e lanë cullak në mes të rrugës? Kur e pyetën te shkallët e avionit kur do vinte përsëri, hallua u tha: Lahuni një herë, të keqen hallua lahuni. Hihiqni një herë zhulin, pastaj llafosemi mbase vij prapë kur të qethen leshtë.

-Më gjej një tranzistor BFR90 për kanoçe satelitore.

-Ta gjej, por ça po të duhet, ende s’ka satelita.

-Ta kem gati kur të ketë satelita.

-Kosovarët e kanë në terezi. Shtëpi po. Tokë po. Emigracion po. Makinë po. Katund me rrugë të asfaltuar po. Telefon po.

-Mos i beso rrenat që thonë për Hamit Matjanin. Hamiti është dëshmori i parë i NATOs.

-Mu ka bo gurrmazi si tub qenefi nga qelbësirat që hamë. Shëëëëëët se na more më qafë. Tu paska mërzit jeta. Të paska marrë malli për Spaçin, Burrelin.

-Veç të iki nga ky vend i mallkuar, do vete të jetoj në Groenlandë me fokat dhe arinjtë e bardhë. Kur Groenlanda të bashkohet me USA, bëhem shtetas statunitens.

-Nuk bëhet Shqipëria. Diktatura e proletariatit ka infektuar dherin. Më jep nja 1 milion ton dinamit t’a përmbys truallin arbnor. T’i çoj në hale të gomerëve veprat e pes’ vjeçarëve, digat, kombinatet, uzinat, tunelet, repartet ushtarake, emulacionet socialiste, të tëra.

-Nuk pres dot sa të bëhet Shqipëria hi dhe hiri Shqipëri përsëri. Nuk jetohet në këtë truall të nëmur ku gdhihesh qen dhe ngrysesh majmun.

-Një shoku im nja 30 vjeç ka lënë pas dore femrat, ka harruar seksin, i është mërzitur jeta në këtë vend, dëshiron të jetë nja 80, mallkon mamin dhe babin që nuk e ngjizën dikund tjetër në botë, por në këtë skëterrë. -Deshën të arratisen. I sharruan me kallashnikov mbi telat me gjemba. I tërhoqën zvarrë me traktor, me litar nëpër disa fshatra që t’i shihnin dhe të zinin mend. Traktorist ishte kunati i njërit prej të zvarriturve.

-Një ishullar, pasi dogji Makbethin dhe hirin e futi në një epruvetë. U tha ishullarëve: Kjo kryevepër, sado tragjike, krahasuar me tmerre që po ndodhin këtu, është një pikë në oqean.

Fatkeqi dëgjonte dhe heshtte. Në mbarim të menderpunës, Zoti ishte bërë Djall. Djalli Zot, materia antimaterie, meriadianët dhe paralelet lëmsh, busulla çakërdisur, nxitimi gravitacional dhjetëfishuar. Pasdite muzikë dhe libra. Botë tjetër ajo e pasdites. Newtoni krahaqafë me Ajnshtajnin. Formulat funksiononin. Gjeometria kuptohej. Trigonometria bindej. Pi shfaqej më pak irracionale. Në mbrëmje fatkeqi bënte ndonjë xhiro në bulevard, ku u ngjizën këta legenat, këta hajdutat e sotëm që mbahen për politikanë, biznesmenë, burra shteti. Kur me afrimin e muzgut, muzika dhe vargjet e poezive, bëheshin lakrimogjene, fatkeqi qante fshehtas. Në mesnatë, kur afrohej “Cinema di Notte”, fillonte dehja. Por me të mbaruar filmi, proporcionet, simetritë, rralloheshin. Busulla bënte naze. Gjeometria nuk bindej. Trigonometria gjithashtu. Derisa vinte horrori mëngjesor me çarje drush me sqepar mbi dysheme nga komshiu lart, radio me habere nga syçelësia e Sigurimit, kooperativat, rrethimi borgjez dhe gjithçka niste nga e para, me shpresë se herët a vonë të paktën aritmetika do vinte në vete dhe 1 edhe 1 do bënin 2, çka për fatkeqin dhe të tjerët, nuk ndodhi kurrë në këtë atdhe.

Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura