NGA DASHNOR DERVISHI
Shqipëria dhe Meksika kanë pasur historikisht marrëdhënie miqësore. Në vitin 1955, Meksika mbështeti Shqipërinë për t’u anëtarësuar në OKB dhe në vitin 1957 pati propozim nga ana e tyre për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Shqipëria u përgjigj pozitivisht më 5 mars 1965. Më 15 tetor 1974 u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve. Mbas një vizite të bujshme në Shqipëri të Presidentit të Meksikës, Luis Echeverria Alvares, në vitin 1975 u hapën për herë të parë ambasadat në dy vendet respektive. Labo Abazi do të ishte ambasadori i parë i Shqipërisë në Meksiko, i cili i paraqiti kredencialet Presidentit Echeverria më 14 janar 1976.
Dy vjet më vonë, në vitin 1978, Meksika e mbylli ambasadën e saj në Tiranë për arsye financiare, ndërsa vendi ynë, megjithëse diskutohej herë pas here mbyllja e saj, vazhdonte ta mbante për inerci dhe mungesë vendimmarrje. Shqipëria e mbylli ambasadën në Meksiko, në vitin 1991. Në fund të vitit 1986, diskutohej për emrin e ambasadorit të ri, që do të shkonte në Meksikë. Mbas shumë peripecish përfunduan te kandidatura ime. Përpara se të nisesha, siç ishte rregulli për të gjithë ambasadorët, organizoheshin takime me ministrat kryesorë, për të marrë porositë e rastit. Në fund ishte edhe takimi me presidentin Ramiz Alia. Nga biseda me Presidentin Alia mbaj mend dy momente.
“Nuk e di se çfarë pret të të them, pasi pas 10 vjetësh që je marrë me Amerikën Latine dhe eksperiencën që ke marrë në Drejtorinë e Jashtme, nuk besoj se ka mbetur ndonjë gjë për të të thënë”, – më tha Alia. “Por një gjë do të mbash parasysh – vazhdoi ai. – Me statusin tënd si ambasador, harroji miqtë e tu të vjetër, pasi tani je përfaqësues i shtetit shqiptar”. Kisha udhëtuar disa herë më parë në Meksikë dhe në vende të tjera të Amerikës Latine, por nisja këtë herë, ndryshe nga të tjerat, u shoqërua me emocione të jashtëzakonshme. Këtë radhë nuk bëhej fjalë për një udhëtim të zakonshëm dhe për një kohë të shkurtër, por për një ndryshim rrënjësor të jetesës. Shkonim në një vend të largët, me shumë pak mundësi komunikimi me Shqipërinë, me një pjesë të familjes dhe për një periudhë kohe, që nuk dihej se sa do të zgjaste.
Më 27 shkurt 1987 u nisëm për në Meksikë. Ditët e para në Mexico na u desh që të mësoheshim me lartësinë e madhe mbi nivelin e detit, që fillonte që nga 2.200 m. Por pikërisht kjo lartësi e kombinuar me pozicionin e qytetit afër tropikut, bënte që aty të kishte një temperaturë të kënaqshme, rreth 23ºC gjatë gjithë vitit. Kishte vetëm dy stina, ajo e thatë dhe stina e shirave, gjatë të cilës shirat fillonin çdo ditë në një orë të caktuar dhe zgjasnin rreth dy orë. Meksika ishte një ndër vendet më aktive në atë grupim të madh shtetesh, që quheshin Vende të Botës së Tretë ose ndryshe edhe Vende të Paangazhuara. Së bashku me Brazilin, Meksika ishte një vend lider në këtë lëvizje, ndër vendet e Amerikës Latine. Ky orientim i politikës së jashtme të Meksikës ndodhi gjatë presidencës së Luis Echeverria-s (1970- 1976). Gjatë presidencës së tij, Echeverria vizitoi shumë vende dhe pati lidhje të forta me qeveritë socialiste të Kubës dhe të Kilit. Ai dënonte Zionizmin dhe lejoi që Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) të hapte një zyrë në Meksiko.
Gjatë krizës së rritjes së çmimit të naftës në 1973, Echeverria shfrytëzoi pozicionin e privilegjuar të Meksikës si zonë naftëmbajtëse dhe rinegocioi traktatin e shfrytëzimit të ujërave kufitare me administratën e Niksonit, për të penguar shfrytëzimin pa kritere të ujërave të lumit Kolorado, në dëm të popullsisë së Meksikës së Veriut. Që prej vitit 1930 (deri në vitin 2000), Meksika qeverisej nga PRI, Partia Revolucionare Institucionale, që bazohej në parimet ideologjike të Revolucionit Meksikan (1910-1921), i cili solli shkëputjen nga Spanja dhe reklamonte si parime bazë, nacionalizmin, demokracinë dhe drejtësinë shoqërore. PRI ishte anëtare e Internacionales Socialiste. Meksika ishte një ndër vendet e pakta të Amerikës Latine, që nuk njohu regjimet ushtarake dhe që shërbeu shpesh si strehë e udhëheqësve politikë, shkrimtarëve dhe njerëzve përparimtarë të përndjekur të Amerikës Latine dhe më gjerë. Meksikanët ishin shumë krenarë për kulturën e tyre tremijëvjeçare, për trashëgiminë asteke dhe maja (shumica e toponimeve në vend është në gjuhët indigjene) dhe vazhdonin t’i bënin jehonë Revolucionit Meksikan dhe heronjve të tij si Emiliano Zapata, Pancho Villa, etj.. Puna në Meksikë kishte elementet e saj interesante.
Në Amerikën Latine, trupi diplomatik dhe sidomos përfaqësitë nga Evropa ishin mjaft të respektuara dhe të vlerësuara. Institucionet shtetërore dhe organizata të ndryshme organizonin mjaft aktivitete me karakter historik, kulturor, etj. dhe prania e ambasadorit në ngjarje të tilla ishte shumë e mirëpritur. Nga ana tjetër, në vetë trupin diplomatik krijoheshin marrëdhënie miqësore e të bashkëpunimit, që në vendet e Evropës nuk ndjeheshin aq shumë të nevojshme. Në mënyrë të veçantë, me ambasadorët e vendeve fqinje marrëdhëniet bëheshin tepër të ngushta, gati sikur kishe të bëje me një bashkatdhetarin tënd, pavarësisht nga ndryshimet politike apo konfliktet, që mund të ekzistonin midis vendeve që ata përfaqësonin. Në ato kohëra të mungesës së komunikimeve të shpejta, rritej dukshëm largësia nga atdheu. Mbas disa ditësh të mbërritjes, më 22 prill 1987, do të paraqisja kredencialet te Presidenti i Republikës, Miguel De La Madrid. Kisha emocionet e një akti, që në përfytyrimin tim kishte marrë trajtën e një momenti sublim. Kisha disa ditë që përsërisja me vete, si përpara një provimi, formulën që thuhej në ato raste, duke përcjellë vullnetet reciproke për miqësi, bashkëpunim, besim, paqe e mirëqenie.
Ishte hera ime e parë. Më vonë ngjarjet rrodhën në mënyrë të tillë, që kjo gjë të përsëritej edhe në dhjetë raste të tjera, me presidentë të vendeve të tjera. Por, emocionet gjatë dorëzimit të kredencialeve në Meksiko nuk ishin të lidhura vetëm me faktin se kjo ishte hera e parë. Akti i dorëzimit të kredencialeve Presidentit të Republikës në Meksiko ishte një ceremoni më vete, e ndryshme nga vendet e tjera. E veçanta e asaj ceremonie qëndronte në faktin se ajo ishte e organizuar si një festë e vërtetë. Në të mund të ftoheshin familjarë dhe miq të afërt. Ishte surprizë pritja në oborrin e brendshëm të godinës presidenciale, që ndodhet në sheshin e stërmadh të qendrës historike. Aty qëndronte një turmë e madhe fëmijësh me uniformë, që na përshëndesnin me brohoritje, duke tundur flamujt e Shqipërisë dhe të Meksikës. Në fund, banda luajti himnet kombëtare. Në Meksikë kishte një përshtypje pozitive për vendin tonë. Kjo vinte për shkak të linjës së ndjekur nga pushteti i presidentit të mëparshëm, Echeveria, që vazhdonte të mbizotëronte në opinionin e vendit. Por, më shumë ishte për faktin, se duke qenë një vend i vogël dhe i largët, në Meksikë nuk dihej shumë se ç’bëhej në Shqipëri. Njerëzit në përgjithësi e dinin se Shqipëria ishte një vend evropian. Të paktë ishin ata që e dinin që ishte në kufi me Italinë dhe Greqinë.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme kishim gjetur një ambient mjaft miqësor dhe bashkëpunues, për aq sa mund të ishte në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, të cilat kryesisht bazoheshin në një mbështetje reciproke në organizmat e ndryshme ndërkombëtare. Në atë kohë, në Ministrinë e Jashtme ishte zv ministër i parë Rosenzweig Diaz, i cili ishte martuar me një grua me origjinë nga Berati. Marrëdhëniet tona miqësore e familjare me çiftin simpatik dhe të moshuar i kapërcyen kufijtë e bashkëpunimit zyrtar e protokollar. Një mik tjetër potencial mbetej sigurisht ishPresidenti Echeverria, i cili vazhdonte të kishte një autoritet të padiskutueshëm në vend dhe në opinionin e tij, nëpërmjet dinastisë që kishte krijuar në politikë dhe që vazhdonte ta ushtronte, nëpërmjet institucioneve të pavarura, shtypit e massmedias, që ishin nën influencën e tij. Së bashku me një nga këshilltarët e tij, nga më aktivët, Jorge Nuño, ishim të pranishëm në çdo aktivitet të rëndësishëm. Nëpërmjet tij patëm mundësinë të udhëtojmë e të njohim disa nga qendrat e rëndësishme dhe vendet e pafundme historike dhe kulturore të Meksikës. Në Meksiko pata rastin të njihem edhe me avokatin e njohur Enrique Gama Muñoz.
Me një studio prestigjioze në qendër të Meksikos, ai kishte edhe një vilë të bukur në jug të Mexico City, në qytetin e vogël të Cuernavaca të shtetit Morelos, ku ishin përqendruar vilat e VIP-ve të ndryshëm nga Meksika dhe gjithë bota, shumica anonime. Në atë vilë ku nuk mungonte pishina dhe barbeque, kemi kaluar disa fundjava, në shoqërinë edhe të miqve të tij, kryesisht intelektualë me peshë në fusha të ndryshme. Muñozi udhëtonte shumë jashtë vendit. Ai kishte qenë edhe në Shqipëri, ku ishte entuziazmuar nga mikpritja, vështirësitë që kalonte vendi ynë, por edhe nga përpjekjet që bëheshin për të mbijetuar. Nën ndikimin e këtyre ndjenjave, ai së bashku me disa miq të tij, hapi një ekspozitë me pamje turistike nga Shqipëria dhe me atë rast përgatiti edhe një certifikatë mirënjohjeje, që më vonë në shtypin e kohës në Shqipëri u propagandua si çmim për sigurimin e bukës në vend.
Në fakt, ishte një certifikatë nga ato që sot shpërndahen me shumicë nëpër aktivitete të shumta të organizuara nga shoqata e klube të ndryshme, ku vlerësoheshin përpjekjet për sigurimin e bukës në vend. Marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Meksikën ishin pothuajse zero, përveç ndonjë shitblerjeje të vogël, nëpërmjet të tretëve, të produkteve minerale dhe ushqimore. Në këtë kuadër, u njoha me një grup francezësh që merreshin me tregti dhe që kishin zyra në Meksiko. Ata ishin informuar se në Meksikë mbërrinin nga Shqipëria, nëpërmjet Italisë, sasi kromi dhe nënprodukte të tij, të cilat më tej rieksportoheshin në SHBA. Në atë kohë kromi konsiderohej si një material i çmuar strategjik dhe të gjithë ishim njohur me deklaratat e kohës, se vendi ynë nuk bënte tregti me SHBA. Së bashku me francezët bëmë disa përpjekje, që ata të merrnin këtë linjë tregtimi, përkundrejt çmimeve më të leverdishme për vendin tonë, por nuk ia arritëm. Nga Meksiko, ambasada jonë mbulonte edhe 6 vende të tjera të Amerikës Latine. Për arsye të kohës, nuk arrita të shkoj në të gjashta vendet për të paraqitur kredencialet, por vetëm në tri prej tyre, Ekuador, Kolumbi dhe Panama.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al