A do të bashkëpunojë me PS-në për të ndryshuar afatin për votën e diasporës? Berisha: PD do të bëjë çdo përpjekje për t’i shërbyer transparencës

Jan 10, 2025 | 13:52
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot fjalën gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët ku foli ndër të tjera për zgjedhjet e 11 Majit dhe votën e diasporës.

I pyetur nëse PD do të bashkëpunojë me PS për të ndryshuar kodin ligjor për një shtyrje të afatit për procedurat për votën e diasporës, Berisha tha se PD është në negociata e sipër për këtë ndryshim të kodit, për deri sa i shërben transparencës së votës së diasporës.

Berisha tha se PD do të miratojë çdo kërkesë që i shërben transparencës.

“Di që janë në negociata. Di që po zhvillohen negociata. Kemi shpallur publikisht se kërkesat e arsyeshme që shkojnë në favor të transparencës dhe mundësisë së votës së diasporës do miratohen nga ne, qoftë edhe në rast se do duhen ndryshime të tjera ligjore. Ne e kemi shprehur në cilin stad se janë këto ditë dhe po negociojnë”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Berisha foli edhe për çështjen e koalicioneve parazgjedhore.

Kreu i PD tha se “partia do vazhdojë të kërkojë çështjen e koalicioneve parazgjedhore, por prioritet ka vota e diasporës.

Pyetje: Për sa kohë për ndryshime në kodin elektoral duhen votat e opozitës, a do të tentoni ju që të riktheni çështjen e koalicioneve parazgjedhore?

Berisha: Çështja e mohimit të koalicioneve parazgjedhore është denoncuar fuqishëm në rezolutat ndërkombëtare si një problem me të cilin Edi Rama ka dashur të dëmtojë me çdo kusht opozitën. Sigurisht ne do e kërkojmë dhe e kemi kërkuar dhe insistojmë se ajo është një shkelje e rëndë për partitë opozitare.
Ndoshta partitë e mëdha më pak, por partitë e tjera i dëmton qartësisht….

Do rishqyrtohet, por nuk mund të them se do vendoset si kusht sepse ne i kemi dhënë përparësi absolute votën së diasporës, të cilën nuk e ka dashur Edi Rama, por merita e eksponentëve të diasporës që e çuan në Gjykatë Kushtetuese dhe e qëndrimeve tona. Ajo votë të paktën është sanksionuar në ligj. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për t’i shërbyer mundësimit të transparencës së saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura