Por këtej e tutje kjo mund të ndryshojë. Sepse që nga java e kaluar Mali i Zi ka një qeveri të re, që vëzhgues të pavarur në vend e konsiderojnë si kabinetin e tmerrshëm. “Kjo qeveri e përçan rrezikshëm shoqërinë dhe ve në pikëpyetje rrugën dhe karakterin europian të vendit”, shkruan publicisti dhe drejtori i gazetës Vijesti, Zeljko Ivanovic.
Kryeministri malazez në detyrë që nga vjeshta 2023 Milojko Spajiç nga aleanca Europa Tani (PES) javën e kaluar prezantoi kabinetin qeveritar të ristrukturuar. Koalicioni qeverisës përbëhet nga partitë me drejtues pro serbë e pro rusë, ndër to Andrija Mandiç dhe Milan Knezeviç, përkatësisht kryetar i partisë Demokracia e re Serbe (NSD) dhe Partia Demokratike Popullore e Malit të Zi (DNP). Mandiç është që nga tetori 2023 edhe president i parlamentit të Malit të Zi.
Mandiç dhe Knezeviç janë përkrahës të deklaruar të Putinit, ata indirekt shprehen kundër pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia shpallur më 2006 dhe e refuzojnë integrimin në BE si dhe antarësimin që nga viti 2017 të vendit në NATO. Ata bëjnë thirrje për një lidhje të ngushtë të Malit të Zi me Serbinë, janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe përgënjeshtrojnë gjenocidin e Srebrencisë. Ata dhe partitë e tyre kësisoj venë në pikëpyetje arsyen e shtetit dhe identitetin e Malit të Zi.
Një aspekt anësore i qeverisë së re është, se numri i ministreve dhe ministrave është rritur rekord në 32 antarë – në një vend me rreth 600.000 banorë.
Pjesëmarrja e politikanëve si Mandiç dhe Knezeviç në koalicionin qeverisës ishte pjesë e një marrëveshjeje mes Spajiç dhe partive pro serbe, pasi partia e tij pro europiane pas zgjedhjeve para një viti fitoi një shumicë të ngushtë dhe u mbështet nga 13 deputetë nga blloku i partive pro serbe. Në këmbim këto parti duhej të shpërbleheshin me poste ministrash, gjë që edhe u realizua tani. Edhe pse NSD dhe DNP nuk kanë poste kyçe në qeveri, e Mandiç dhe Knezeviç nuk kanë vet poste ministrore, nëse bashkëpunimi me ta sjell “më shumë stabilitet” për qeverinë Spajiç, sikurse ai premton, është e pasigurtë.
“Drejtuar nga Moska dhe Beogradi”
Reagimet nga brenda dhe jashtë vendit ishin të menjëhershme. Presidenti malazez Jakov Milatoviç, i cili përpara pak muajsh u shkëput nga Spajiç dhe partia e tij PES për shkak të një grindjeje mbi koncernin kombëtar energjetik, në komentin e tij lidhur me qeverinë e riprodhuar të Malit të Zi theksoi, se “Mali i Zi është një viktimë e veprimit primitiv politik dhe e papërgjegjshmërisë, që përshfaqin vazhdimisht kryeministri Milojko Spajiç dhe udhëheqja e vendit”.
Ngjashëm u shpreh edhe kryetari i partisë demokratike të socialistëve Andrija Nikoliç. Ai është edhe më i drejtpërdrejtë në kritikën e tij në dallim nga Milatoviçi, i cili konsiderohet i afërt me Serbinë. “Kemi të bëjmë me një qeveri, që drejtohet nga Moska dhe nga Beogradi”, është shprehur ai pë remdiat malazeze.
Edhe qeveria e SHBA-së, që është shprehur qartazi kundër pjesëmarrjes së partive pro serbe, reagoi përmes ambasadës: “Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen e partive dhe udhëheqësve në qeverinë malazeze, të cilët nuk e dënojnë agresionin rus ndaj Ukrainës, refuzojnë sanksionet dhe qendrimi i të cilëve është në kontradiktë të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, thuhet në një komunikim të Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë.
Në Kroaci e padëshiruar
Vendi fqinj, Kroacia, reagoi ashpër: Një ditë pas ristrukturimit të qeverisë Ministria e Jashtme kroate i shpalli persona të padëshiruar të tre politikanët e nivelit të lartë. Krahas Mandiç dhe Knezeviç ky vendim prek edhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beciç, një politikan i qendrës, pozicionet politike të të cilit shpesh luhaten. Të tre janë në Kroaci të padëshiruar për shkak të “masave sistematike për trazimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe “keqpërdorimin e vazhdueshëm të Republikës së Kroacisë për qëllime të politikës së brendshme”, thuhet në deklaratën e Kroacisë.
Shkas për këtë hap të Kroacisë është “Rezoluta për Jasenovac”, që e miratoi parlamenti në Podgoricë në fund të qershorit. Jasenovac në Luftën e Dytë Botërore ishte një kamp kroat përqendrimi, ku janë vrarë serbë, hebrej dhe romë. Edhe sot Jasenovac është një simbol i armiqësisë serbo-kroate. Rezoluta u miratua si një lloj përgjigjeje ndaj rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenica. Meqënëse Mali i Zivotoi në OKB për rezolutën për Srebrenicën, forcat pro serbe në Mal të Zi, sipas vëzhguesve në Kroaci, miratuan rezolutën e Jasenovacit si “kundërpërgjigje”.
Sa i përket raporteve të tensionuara malazezo-kroate, sipas politologut kroat Zarko Puhovski, problemi i rezoluatës së Jasenovac-it është “i fryrë”, në radhë të parë është problematike, që deri tani asnjë qeveri kroate nuk ka pranuar mizoritë në Jasenovac dhe as përgjegjësinë historike. Kësisoj, shton Puhovski duke iu ereferuar Malit të Zi: “Kroacia me fqinjin e tij ka në fakt të tjera probleme, si p.sh. kufirin e papërcaktuar apo pretendime të hapura lidhur me pasuri të patundtshme/DW