NGA DR. BELINA BEDINI
Parlamenti shqiptar aktu alisht ka 140 deputetë të cilët përfaqësojnë 11 qarqet e vendit sipas një sistemi proporcional rajonal. Si përfaqësues të popullsisë, numri i anëtareve të parlamentit duhet të jetë në proporcion me numrin e popullsisë. Që nga aprovimi i Kushtetutës, në vitin 1998, popullsia e vendit ka ndryshuar, pasi ajo është në rënie për shkak të emigracionit dhe të rënies së numrit të lindjeve. Përveç kësaj, vihet re se vendi ynë po përballet edhe me një krizë përfaqësimi parlamentar.
Kështu, pjesëmarrja e zgjedhësve në votime ka pësuar ulje deri në 34%, referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po ashtu, vihet re fenomeni i blerjes së votës. Nga ana tjetër, polarizimi i diskutimeve, retorika e egër me bazë personale, bojkotet e vazhdueshme përgjatë dekadave, ka rrënjosur një mentalitet arkaik, mosbesues dhe pa kreativitet nga ana e elitës politike. Gjithashtu, studimet e fundit kanë treguar një rënie të cilësisë parlamentare, ku 12% e deputetëve nuk ka folur asnjëherë dhe një numër shumë i vogël prej tyre mbajnë gjallë diskutimin cilësor.
Atëherë, nisur nga problematikat e ngritura, mendohet se duke ulur numrin e deputetëve në parlament mund të kemi përmirësim të përfaqësimit parlamentar dhe një cilësi më të mirë të jetës parlamentare? Pse jo? Italia, në vitin 2020, ndërmori një reformë kushtetuese ku uli nëpërmjet referendumit uli numrin e përgjithshëm të deputetëve nga 945 në 600 për të dyja dhomat, pikërisht për të rritur cilësinë e vendimmarrjes nëpërmjet një procesi më efektiv, por edhe për të ulur shpenzimet. Fakti është se deputetët kushtojnë. Ndërkohë që në Itali ata paguhen sa dyfishi i pagës mesatare në vendin tonë paga e deputetit është sa pesëfishi i saj.
Presidenti Macron në Francë, nisur nga skandalet me abuzimet e shpenzimeve parlamentare, gjithashtu është shprehur se ka ardhur koha që të reduktohet numri i vendeve në parlament me 25%. Pra, një numër më i ulët sjell cilësi më të lartë dhe abuzime më pak. Nga ana tjetër, vendet kryesore të BE si Itali, Francë, Holandë, Gjermani, Spanjë kanë një normë përfaqësimi prej 0.9-1 përfaqësues për 100.000 banorë. Mesatarja e vendeve të BE është 2-3.7 përfaqësues për 100.000 banorë dhe këtu bëjnë pjese shumica e vendeve, madje edhe ato me numër popullsie të ngjashme me Shqipërinë si: Portugali, Sllovaki, Greqi, Danimarkë, Bullgari etj..
Aktualisht vendi ynë ka një normë përfaqësimi prej 5.5 përfaqësues për 100.000 banorë, duke iu referuar shifrave publike të deritanishme të INSTAT. Nëse do t’u referoheshim këtyre shifrave për të qenë në mesataren europiane, ne në parlament duhet të kishim 80-84 deputetë.
ÇFARË DO TË PËRFITOHEJ NGA KJO?
Një parlament të ngjashëm me parlamentet e BE, një parlament që kushton më pak, një parlament më cilësor, parlamentar më të ndërgjegjshëm për rolin që kanë. Nga ana tjetër, liderët e partive politike do të ishin më të kujdesshëm në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, pasi do të kishte më pak vend për kandidatë me profil të ulët dhe kandidatët cilësorë do të kishin më tepër hapësirë për të treguar vlerat dhe integritetin e tyre. Kjo në mënyrë indirekte do të ndikonte në ulje të shitblerjes së votës.
Dhe e fundit, më pak e rëndësishme, por më shumë ironike: më pak karrige në parlament do të ndihmonin parlamentaret të “mos luanin” me to. Ky artikull është një përmbledhje e shkurtër e një studimi, nga e njëjta autore, botuar në revistën shkencore “Journal for Labour and Social Affairs in Eastern Europe”, vol. 26 (2), 2023, fq.177- 187.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al