GËZIM TUSHI
Mbase ndryshimet evidente në tipologjinë e martesës, të vazhduara, të pandërprera kanë sjellë zgjerimin e debatit social, të gjerë e interaktiv për vlerat, qëndrueshmërinë, utilitetin social të saj. Është temë e ditës, e cila po i nënshtrohet gjykimeve të drejta, racionale, të ekuilibruara nga njëra anë, por edhe qëndrimeve sempliste, anarkiste, mohuese, nihiliste, nënçmuese, madje edhe përçmuese. Në të vërtetë, martesa është njëri nga partneritetet humane dhe institucionet sociale që duhet të qëndrojë jashtë interesave të ngushta materiale apo merkantiliste. Sepse, nëse edhe martesa bëhet “çështje tregu” apo interesash të ngushta vetëm pragmatiste, atëherë duhet të përgatitemi për të jetuar në një shoqëri tërësisht e totalisht të komercializuar. Është fatale për shoqërinë nëse nga “kontratë ndjenjash” martesa kthehet në biznes të pastër, duke e bërë pasurinë e partnerit në status simbol për karshillëk social apo bravurë publike. Kjo sidomos për femrën.
Nuk është pasuria garanci që një çift që përjeton një martesë të mërzitshme, ta transformojë atë në martesë dinamike. Paqëndrueshmëria e martesës është më së shumti e lidhur jo aq me pasuritë e partnerëve, por me rrezikun e “dështimit sentimental” të lidhjes në çift. Pa mohuar komplementaritetin e faktorëve të tjerë, të integruar apo të bashkëngjitur me martesën, sikurse janë aspektet biologjike, sociale, ligjore, ekonomike dhe sidomos logjike. Historia e martesës tregon, se ajo lind dhe krijohet përmes dashurisë reciproke. Ky është kushti i parë thelbësor, sustancial dhe ekzistencial i saj. Sepse fundi i dashurisë tek njeri nga partnerët çon në shpërbërjen e martesës.
Janë shtuar zërat që shikojnë “anën e errët” dhe që shfaqen si sfidantë të martesës, duke ekzagjeruar “skarcitetin social” të saj. Në të vërtetë duhet pranuar se nuk ka faj martesa, por mënyrat, tipologjitë e krijimit të saj. Një pjesë e konsiderueshme e martesave, “prishen” për shkak të pendimit që vjen nga një lidhje me mendjelehtësi që kthehet në martesë fatkeqe. Koha po tregon se në vend të martesës si lidhje serioze, shpesh bëhen “lidhje të gabuara”, të nxituara, të parakohshme. Martesa në çdo kohë që të ndodhë, ka si kusht lidhjen midis seksit dhe dashurisë. Sepse martesa nuk është e lidhur vetëm me seksualitetin dhe erotizmin. Sociologët janë të mendimit se martesa është institucion komplementar, i jetës private dhe publike, që jo vetëm duhet “mirëmbajtur” por duhet kthyer në devocion partnerial. Personalisht e gjej si argument faktin që shpesh njerëzit kur martohen, duhet paraprakisht të kenë kulturën e nevojshme të dy aspekteve sinkretike të martesës, duke e parë atë jo thjesht si lidhje biologjike, por mbi të gjitha si lidhje emocionale. Sepse sikurse tregon koha, një martesë e mirë, e mirëmbajtur sjell mirëqenie subjektive të çiftit, ashtu sikurse një martesë e keqe sjell trishtim, dëshpërim, vuajtje. Nuk ka faj martesa kur ndërtohet mbi bazën e një lidhjeje koniukturale, me cilësi të dobët. Nuk ka faj martesa nëse çifti e kthen atë në një lidhje egoiste, që është pengesa më ekzistenciale për qëndrueshmërinë e martesës. Jo më kot sociologët e martesës gjykojnë se “njeri i aftë për martesë dhe marrëdhënie në çift është ai/ajo që është më tepër se vetja”.
Sepse pikërisht për shkak të egoizmit martesor, jo vetëm martesa dobësohet, por njëkohësisht partnerët kthehen në entitete statike, bëhen indiferentë për martesën. Ndërkaq, jemi të përfshirë nga paradigmat e martesës postmoderne, e cila ka sjellë ndryshime të thella konceptuale e funksionale. Jetojmë në kohë të reja, kur për disa njerëz nuk është martesa dhe riprodhimi (fëmijët) prioritare në jetën e tyre, por ndjenjat e vetpërmbushjes individuale, karriera, suksesi, fama publike, paraja, konsumi, liritë seksuale. Filozofia e individualizmit që po bëhet dominante në shoqërinë tonë, është një nga burimet e pozicionit sfidant ndaj martesës. Nihilistët e martesës mendojnë në mënyrë sempliste. Sipas tyre në kohën e sotme është e vështirë të “duash tjetrin pa humbur veten”.
Zgjerimi i përmasave të divorcit është një tendencë sociale në rritje, e cila duhet parë në të dy anët e tij: së pari, si element që mund t’i shërbejë emancipimit të martesës, por në shumë raste është “kazma” që i vihet asaj, që shoqërohet me një varg problemesh sociale. Problemi nuk është tek divorci si i tillë, i cili me sa duket e ka bërë më fleksibël paradigmën e betimit të martesës “derisa vdekja të na ndajë”. Tani vendin e këtij betimi po e zë kontrata partneriale e llojit “derisa të jetojë kënaqësia”. E keqja është se shumë divorce, më shumë se kanë shkaqe që të ndodhin, janë pasojë e konceptit të “përkohshmërisë së partneritetit martesor”. Por edhe kjo dukuri duhet parë në kompleks dhe nuk duhet gjykuar me principet e njëanshmërisë sociale, duke e paragjykuar me modulet e paradigmave të vjetra të gjykimit semplist. Absolutisht martesa nuk është “burgim i përjetshëm”. Fare e natyrshme, kur ajo bëhet e pakëndshme, jeta martesore jo vetëm bëhet e mjerueshme, por edhe irrituese për çiftin. Sepse i martuar nuk do të thotë i robëruar. Sidomos në kohën e sotme liberale, në një “shoqëri të seksualizuar” nuk ka më instrumente që të determinojnë martesën si “lidhje e përjetshme”.
Studimet sociologjike të martesës, tregojnë se “armiku numër një” për martesën në kohën e sotme nuk janë tradhtitë, por mërzitja, mungesa e emocioneve, rutina e padurueshme. Kjo do të thotë se është e domosdoshme që martesa të jetë një “bashkëjetesë krijuese”, si mjeti kryesor për ta mbajtur atë gjallë, dinamike, me qëndrueshmëri. Sepse pa qenë hipokritë, duhet pranuar që gjatë jetës së saj, martesa ka krizat e veta, por ka dhe instrumentet për t’i zbutur dhe zgjidhur ato në mënyrë konstruktive, me tolerancë, kompromis, mirëkuptim reciprok. Ka një komponent social që ndikon në tronditjen e martesës, që lidhet me faktin që shoqëria postmoderne është bërë tejet narciziste, dhe kjo situatë bën që nevojat e individit të jenë shumë herë më prioritare se ato të çiftit.
Sigurisht martesa nuk është institucion social i “ngurtë”. Duket që edhe ajo në kohën e sotme është nën presionin për të ndryshuar “diçka” brenda vetes. Me të drejtë sociologu britanik i Universitetit të Oksfordit Paul Collier thotë “…jo të heqim dorë nga martesa, por duhet të ndryshojmë normat e saj”. ( E ardhmja e kapitalizmit f. 242) Kjo do të thotë se ekzistenca dhe qëndrueshmëria e martesës, kërkon përmirësim të koncepteve, standardeve biologjike e morale mbi të cilat ajo ndërtohet. Martesa nuk mund të mbahet e bazuar mbi koncepte të vjetra, apo në “shtratin” e moralit dogmatik. Në mënyrë fare të qartë, duket se martesa e kohës së sotme është në gjendje të vështirë, jo vetëm ekzistenciale. Situatat tregojnë për diçka më të thellë, e cila sido që të jetë duhet pranuar. Martesa në shoqërinë tonë është në një transformim, herë normal e herë kaotik, anarkik, duke qenë pezull midis determinimit të vjetër historik konservator dhe presionit të shoqërisë liberale postmoderne. T’i lëmë mënjanë dëshirat e pamundura të kohës që jetojmë, ngurtësinë e paradigmave të vjetra, iluzionet e bazuara në utopitë morale që nuk i qëndrojnë, dhe as mund t’i rezistojnë kohës së sotme, e cila në mënyrë të pashmangshme pasqyrohet edhe në ndryshimin e sjelljeve sociale që rregullojnë partneritetet e reja martesore.
Është koha kur duhen kuptuar mirë dhe duhen pranuar ca të vërteta të “reja”, që lidhen me emancipimin strukturor e partnerial të martesës, sidomos të kërkesave jo tradicionale “femrave flapper” (moderne) të kohës sonë, të cilat nuk e pranojnë tipologjinë e martesës të bazuar në “sundimin mashkullor”. Martesa nuk është raport i sundimit bilateral, aq më pak institucion i shtypjes së gruas, e cila shfaqet hapur se ajo nuk ka nevojë për dominim e dominancë, por kërkon barazi si kusht që të mbahet gjallë baza e martesës, që është “ideologjia e sinqeritetit” bashkëshortor. Ka studime sociologjike për “nivelet e kënaqësisë” martesore, tregues sintetikë se cilat martesa mund të jenë jetëgjata e cilat kanë propabilitet të shkatërrohen. Sidomos për shkak të mungesës së partneritetit dhe zhvillimit toksik të autoritarizmit martesor.
Kohët kanë ndryshuar, ka ndryshuar, tipologjia, fenomenologjia dhe parametrat e vlerësimit të vlerës së martesës. Janë shtuar sfidantët e saj, që në vend të martesës pëlqejnë beqarinë. Në shekullin e kaluar, të rriturit në moshë por që preferonin të qëndronin beqarë, shoqëria i konsideronte ose neurotikë e me probleme biologjike e psikologjike, ose “njerëz të pamoralshëm”. Që në zhargonin e përditshëm, standardizohej me frazën “të bredhësh lule më lule”. Sot situatat kanë ndryshuar, bashkë me përmbysjen e mentaliteteve të vjetra moralistike konservatore. Të refuzosh martesën, është në të drejtën e secilit, veçse në bilanc të fundit, ai nuk sjell gjithnjë pasoja të mira për lumturinë e njeriut. Mohimi martesës, është sikurse thotë Umberto Ecco, “refuzim asketik”. Doemos janë edhe ndikimet e revolucionit të vonuar seksual, liberalizimi seksualitetit dhe patologjitë e brendshme, ato arsye që kanë sjellë cenimin e “martesës zyrtare me kurorë”. Kjo e lidhur me shfaqjen e theksuar të njeriut me natyrë egocentrike, që mendon me sintagmën “Unë dhe vetja ime” apo “Unë dhe mua”, duke besuar në magjinë e njeriut vetmitar, të vetëmjaftueshëm.
Studimet e sociologëve të martesës kanë evidentuar lidhjen e këtij institucioni me kapacitetin për t’i bërë të lumtur të martuarit. Ato tregojnë se si “njerëzit e martuar, janë mesatarisht më të lutur se sa beqarët. Por kjo nuk do të thotë se martesa, është ajo që sjell lumturinë. Mund të jetë edhe e kundërta që lumturia është ajo që shkakton martesën”. Sepse martesa nuk është vetëm strukturë e jetës intime të individit. Kjo po e po që është, por në të njëjtën kohë “kontrata martesore”, thelbi platonik i martesës, është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me qëndrueshmërinë e jetës dhe zbutjen e problemeve shoqërore.
Gjithsesi është e pamundur që martesa të refuzohet integralisht dhe nihilohet totalisht. Ai është institucion ekskluzivisht human, që do të ekzistojë derisa të ekzistojnë njerëzit dhe shoqëria. Kjo është një nga arsyet thelbësore pse është i gabuar gjykimi ekscentrik i atyre që me mendjelehtësi refuzojnë martesën, dhe pastaj përfundojnë vetëm ose edhe në vetmi. Gjithë martesat kanë problemet e tyre personale, sociale dhe endemike. Kjo do të thotë jo të mohojmë vlerën e martesës, por të forcojmë gjykimin, kriteret e personalizuara të krijimit të saj, nëse e duam të jetë e gjatë, e qëndrueshme.
Në martesë është me rëndësi, që mangësitë e natyrshme të shikohen me sy pozitiv, me zanatin e ekuilibristit (Barack Obama), dhe artin e kompromisit. Që të mbijetojë martesa, që ajo të mbetet një relacion intim dhe social i konsoliduar, duhen shmangur disa rreziqe që janë “dinamit” për shkatërrimin e saj: mendjelehtësia e lidhjes nën tundimin e seksualitetit, papërgjegjshmëria reciproke e çiftit, mungesa e besnikërisë sistemike, përdorimi i lëndëve toksike si droga apo alkooli, sindromi i dyshimit dhe “ngjitjes”, mungesa e besimit reciprok, xhelozitë retrospektive për t’u marrë patologjikisht me historitë e kaluara të partnerit, xhelozia delirante, janë shkaqe që jo vetëm sjellin kriza sistemike ontologjike e sentimantale, por bëhen “karburant” për të mbështetur gjykimin e deformuar social të “sfidantëve të martesës”./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al