“A po nxit kjo qeveri çiftet e reja për të lindur fëmijë?” – Deputetja e PL-së letër zyrtare qeverisë, kërkon trefishimin e bonusit të bebes

Sep 26, 2023 | 12:18
SHPËRNDAJE

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, njëkohësisht deputetja Erisa Xhixho i është drejtuar me një letër zyrtare qeverisë, ku paraqet propozimin për trefishimin e bonusit të bebes.

erisa xhixho

Xhixho shprehet se “është emergjente rritja e mbështetjes financiare për të luftuar shpopullimin dhe uljen e madhe të numrit të lindjeve.”

“Përpara një situate dramatike”, shprehet ajo – “kjo është një shumë e përballueshme për buxhetin e shtetit, mjafton që taksat e qytetarëve t’i çojmë në dobi të tyre dhe të ardhmes së tyre.”

kerkesaaa

Deklarata e plotë e nënkryetares së Partisë së Lirisë dhe deputetes, Erisa Xhixho:

Në Kuvend ka ardhur Projektligji “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë” ku po diskutohen amendamentet sa i përket bonusit të bebeve, një ligj, i cili në kontekstin e sfidave që po kalon familja shqiptare sot, merr një rëndësi të madhe.

Kemi një VKM nr. 288, datë 10.04.2020 për përcaktimin e bonusit të bebes, i cili sot përfitohet nga prindërit e foshnjës së posalindur:

  1. a) Në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë për lindjen e foshnjës së parë;
  2. b) Në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për lindjen e foshnjës së dytë;
  3. c) Në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim;

ç)  Për prindërit që sjellin në jetë dy foshnja të lindura njëherësh (binjakë), masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilën foshnjë;

  1. d) Për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh (trinjakë dhe më shumë), masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë për secilën foshnjë.

Pyetja që shtrohet sot është, a nxit kjo politikë çiftet e reja për të sjellë në jetë fëmijë?

Sot familjet shqiptare po përballen me shumë sfida e problematika të mprehta si abuzimi, divorci dhe emigrimi, veçanërisht i të rinjve. Njëkohësisht, familjet shqiptare vuajnë mungesën e shërbimeve të nevojshme në nivel lokal e qendror, veçanërisht për fëmijët dhe familjet në nevojë, për të mos folur për arsimin gjysmak e plot probleme, si në zonat e thella, edhe në mes të qyteteve të mëdha.

Shqipëria po përballet me emigrimin masiv, i cili së bashku me rënien drastike të numrit të lindjeve janë bërë shkaktarë të tkurrjes së popullsisë. Ky dimër demografik po rrrit me shpejtësi moshën mesatare të popullsisë së Shqipërisë, kur para pak vitesh ishte një nga vendet më të reja në Europë.

Numri i lindjeve ka rënë me rreth 17% në tremujorin e parë të vitit 2023, duke arritur në nivelet më të ulëta historike në shumë dekada. Ky është numri më i ulët i lindjeve i regjistruar ndonjëherë në një tremujor, të paktën që pas viteve ‘90.

Në Shqipëri, numri mesatar i lindjeve për një grua është nga më të ulëtit krahasuar me vendet e rajonit, vetëm 1,32 fëmijë në vitin 2021, vit i cili fatkeqësisht shënoi edhe një rekord tjetër negativ: patëm 3.296 vdekje më shumë se sa lindje.

Shqipëria ka numrin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore për 1.000 lindje të gjalla krahasuar me vendet e rajonit. 10.3 Shqipëria, ndërsa në Bosnje-Hercegovinë është 3.4, në Kosovë është 8.7, në Malin e Zi është 2.4, në Maqedoninë e Veriut është 5.6.

Në këtë situatë dramatike që po kalon vendi, përkrahja e familjeve që bëhen me fëmijë është emergjencë kombëtare. Duke i asistuar financiarisht këto familje, mund të përmirësojmë kushtet e tyre dhe nga ana tjetër të inkurajojmë çiftet e reja për të sjellë në jetë fëmijë

Për këto arsye, i jam drejtuar me nje leter zyrtare qeverisë me një propozim konkret për trefishimin e bonusit të bebes.

Aktualisht, në Shqipëri, bonusi mesatar për një fëmijë të lindur është 60 000 lekë.

1-Ne propozojmë trefishimin e kësaj shume në 180 000 lekë për çdo fëmijë që vjen në jetë, qoftë ky fëmija i parë apo i dytë, fëmijët binjakë apo më shumë.

2-Gjithashtu propozojmë heqjen e kategorizimit në bazë të numrit të fëmijëve.

Kjo pasi kostoja financiare e rritjes së një fëmije është e njëjtë, cilido fëmijë qoftë ai.

Sot është jetike për kombin tonë të rrisim lindshmërinë duke garantuar mbështetje financiare të plotë për çdo fëmijë, ndaj kërkojmë me të drejtë unifikimin e bonusit në një vlerë të vetme.

Në bazë të përllogaritjeve tona, kostoja totale në buxhetin e shtetit brenda një viti do të jetë afërsisht 4.9 miliardë lekë.

Kjo kërkesë synon  që t’i përgjigjet sadopak krizës ekonomike që po kalojnë familjet shqiptare, rritjes së çmimeve të naftës dhe produkteve të shportës.

Është emergjente dhe jetike për të luftuar shpopullimin dhe uljen e madhe të numrit të lindjeve, që të rrisim mbështetjen financiare për fëmijët e sapolindur.

Përpara një situate dramatike, kjo është një shumë e përballueshme për buxhetin e shtetit, mjafton që taksat e qytetarëve t’i çojmë në dobi të tyre dhe të ardhmes së tyre.

Paratë janë, mjafton dëshira e mirë për t’i ndarë me familjet shqiptare që zgjerohen!

Ndaj shpresoj dhe uroj që qeveria ta marrë në konsideratë këtë propozim konkret, i cili do t’i vinte në ndihmë shumë pridërve të rinj dhe fëmijëve të tyre si interesi më i madh shoqëror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura