A po vijnë kohë të vështira për evazorët?

Sep 25, 2024 | 9:00
SHPËRNDAJE

Selami-Xhepa-1024x683SELAMI XHEPA

Nga rreth 600 milionë euro që pritet të arkëtohen më shumë në buxhetin e shtetit në tri vitet e ardhshme, më pak se 90 milionë euro do të jenë si pasojë e ndryshimeve të normave tatimore. E gjithë pjesa tjetër, më shumë se 500 milionë euro, do të arkëtohen nga lufta ndaj evazionit të paligjshëm dhe shmangieve tatimore, që janë mundësuar nga praktikat përjashtuese të legjislacionit fiskal.

Duke lexuar Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, 2024-2027, evidentohen disa risi të rëndësishme, që pritet të ndodhin në politikat fiskale në tri vitet e ardhshme.

Së pari, vetë hartimi i një strategjie të tillë është me rëndësi për arsye informimi të agjentëve ekonomikë, të investitorëve vendës dhe të huaj, mbi drejtimet e pritshme të reformave fiskale. Kjo ka rëndësi pasi adreson problemin e përhershëm të paparashikueshmërisë së ndryshimeve të politikave nga ana e biznesit, duke ndikuar negativisht në klimën e biznesit. Hartimi i një dokumenti të tillë jep një informacion shumë të dobishëm për të rritur parashikueshmërinë e politikave të ardhshme dhe përfshirjen e tyre në planet e ardhshme të biznesit.

Së dyti, dokumenti ofron një perspektivë deri diku afatgjatë se si do të arrihet konsolidimi fiskal i vendit. Në kushtet e nevojave shumë të mëdha të ekonomisë për politika aktive publike, si për të mbështetur investimet publike në infrastrukturë, arsim e shëndetësi, për përmirësimin e politikave të mirëqenies përmes rritjes së pagave dhe pensioneve dhe programeve të tjera të mirëqenies, kërkojnë burime financiare shtesë, të cilat sigurohen përmes sistemit të taksave dhe tatimeve. Strategjia vendos si objektiv që konsolidimi fiskal të realizohet përmes rritjes së të ardhurave me 2.5% të PBB-së, duke vendosur si objektiv strategjik që të ardhurat e buxhetit të shtetit deri në vitin 2023 të arrijë në 30-31% të PBB-së. Pas zbatimit të kësaj strategjie, pritet që të ardhurat tatimore të arrijnë në 27.7% të PBBsë, një shifër që mbetet sërish mjaft më e ulët edhe se vendet e rajonit. (Totali të ardhurave buxhetore arrin në mbi 50% të PBB-së për vendet anëtare të BE-së, mbi 40% të PBB-së në Serbi dhe 30.6% për Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të FMN në faqen e saj zyrtare). Arritja e shifrës së totalit të të ardhurave në 30% të PBB-së mendoj se do të shënojë një moment me rëndësi për financat publike të vendit. Atëherë duhet të nisim një diskutim se sa të madh e duam shtetin tonë: do të duam një shtet të madh si në Europë, me një rol shumë aktiv ekonomik dhe social, apo një shtet të vogël të ngjashëm me modelin amerikan. Por, ky debat do të zhvillohet në një kohë tjetër: tani prioritet themelor është rritja e të ardhurave të buxhetit për të arritur te ky objektiv, i cili do të mundësojë politika publike më aktive ekonomike dhe sociale. Ky konsolidim fiskal duket se është synuar të arrihet në mënyrë shumë graduale: brenda gjashtë viteve të ardhshme pritet të arrihet në nivelin ku është sot Maqedonia e Veriut. Kjo do të thotë se është synuar të balancohen interesat midis ruajtjes së klimës së biznesit duke mos ndërmarrë masa të forta agresive të menjëhershme dhe rritjes graduale të të ardhurave buxhetore.

Së treti, dokumenti ofron një meny të detajuar veprimesh që pritet të realizohen në fushën e përmirësimit të politikave fiskale dhe në sistemin e administrimit tatimor dhe të administratës doganore.

Humbjet e të ardhurave buxhetore për shkak të trajtimeve preferenciale tatimore dhe përjashtimeve që ofrohen për sektor apo kategori të caktuara të aktorëve ekonomikë, vlerësohet se i kushtojnë buxhetit mbi 1 miliard euro në vit! Këto shuma të mëdha parash të munguara nuk është se shkojnë në xhepat e grupeve sociale me të ardhura të ulëta apo shtresës së mesme shoqërore. Edhe të ardhurat shtesë që mund të marrin sot ata me të ardhura të ulëta, duket se shkojnë në përmirësimin e të ardhurave sot, por do të dëmtohen seriozisht në moshën e pleqërisë kur pensionet e tyre të jenë sa pensionet minimale. Thjesht nëndeklarimi sot e shtyn në kohë efektin e vet negativ mbi të ardhurat e ardhshme të individit.

Eliminimi i përjashtimeve tatimore, qoftë nga TVSH, akcizat apo tatimet direkte mbi të ardhurat dhe pasurinë, vendosin parimin e drejtësisë tatimore. Për të ardhura të barabarta, normë e njëjtë tatimore, pavarësisht sektorit ku punon apo punës që kryen. Akcizë zero për pronarët e jahteve dhe akcizë e lartë për fermerët dhe peshkatarët, janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Biznesi i vogël me zero taksë është gjithashtu i papranueshëm. Një sistem i thjeshtuar tatimi që parashikohet të zëvendësojë sistemin aktual përjashtimor që do të vazhdojë deri në vitin 2029, duhet të mbetet i qëndrueshëm dhe të mos jetë më një karamele elektorale, e cila dëmton interesat e shoqërisë.

Politikat e nxitjes së investimeve në vend përmes stimujve fiskalë janë provuar gjerësisht nga kërkimet dhe studimet e shumta në këtë fushë, se janë joefikase; madje janë kundërproduktive pasi krijojnë premisa për shmangie tatimore. Duhet të kalohet nga përdorimi i këtyre stimujve, te mbështetjet e drejtpërdrejta për uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Mosdeklarimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe nënraportimi i pagave për efekte të pagimit të kontributeve janë shkaktarët kryesorë të niveleve mjerane të pensioneve të pleqërisë. Akumulimi i pasurive personale duke shmangur pagimin e detyrimeve tatimore përmes kalimit të këtyre shpenzimeve te firmat kanë dëmtuar jo vetëm financat publike, por kanë thelluar ndjeshëm pabarazitë sociale në pasuri. Ose edhe investimet masive që janë kryer në blerjen e pasurive të paluajtshme, shpeshherë duke pastruar paratë e korrupsionit dhe mospagimi i tatimeve mbi këto pasuri janë një realitet gjithashtu i patolerueshëm. Masat e strategjisë duken shpresëdhënëse se këto praktika do të vihen nën një kontroll më të rreptë nga administrata. Duke filluar nga krijimi i regjistrit të aseteve të personave të pasur, krijimi kadastrës tatimore dhe masat me karakter administrativ për krijimin e sistemeve informative dhe vlerësimit të riskut do të mundësojnë krijimin e një klime mbytëse për evazorët dhe klime të shëndetshme për biznes të ndershëm dhe pasurim përmes punës.

Kështu e shkruar (besoj nga specialistët e FMN-së) kjo strategji tingëllon optimiste. Por, si përherë, problemi serioz në Shqipëri qëndron te zbatimi i saj në praktikë, tek diskrecioni i administratës tatimore, zbatimi selektiv i politikave, frika e administratës për të trokitur në zyrat e “të fortëve”, zotëruesve të monopoleve dhe të pasurive të vendit. Problemi i dytë mbetet zvarritja në kohë e reformave. Në veçanti tatimi mbi pronën përmes krijimit të kadastrës tatimore vazhdon prej kohësh dhe nuk po finalizohet. Edhe në strategji, shumë ndryshime pritet të ndodhin pas vitit 2026, duke dëshmuar qartë se procesi politik elektoral i vitit të ardhshëm do t’i shtyjë reformat edhe për dy vite. Reformat “stop and go”, zvarritja e tyre në kohë, herë për arsye të axhendës politike e herë të kapjes nga grupet e interesave e kanë mbajtur peng progresin e vendit. Do të ishte e udhës që në procesin e vlerësimit dhe monitorimit të progresit në zbatimin e kësaj strategjie të përfshihen edhe aktorë shoqërorë përtej zyrtarëve publikë, në mënyrë që të ketë një kontroll të publikut mbi zbatimin e këtij dokumenti, që ka rëndësi të veçantë për financat publike të vendit.

Profesor në UET

/Gazeta Panorama/ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura