Administrata, shumë e shtrenjtë në para të thata…

Oct 18, 2024 | 8:11
SHPËRNDAJE

NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Në podcastin e tij të radhës, të datës 12 tetor 2024, Kryeministri Edi Rama, në mungesë të kryeveprave në pikturë e të sukseseve dhe arritjeve të vërteta e të përjetueshme gjatë mbi 11 viteve të qeverisje-mbretërimit të tij, sidomos në fushat e ekonomisë, mirëqenies, arsimit, kulturës, luftës kundër korrupsionit, kriminalitetit, kanabizimit, demokratizimit, integrimit në BE…, u vetëmburr sikur me qenë grua para pasqyrës e jo burrë, “për rolin vendimtar dhe meritën e tij historike” për transformimin e administratës publike, qeveritare e shtetërore! Këtë e bëri më 15 tetor 2024 edhe në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri-BE e mbledhur në Luksemburg.

Në këtë konferencë u miratua çelja e negociatave për grupkapitullin e parë me Shqipërinë që përfshin disa fusha thelbësore, si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik, si dhe reforma e administratës publike. Prandaj kjo konferencë përbën një ngjarje të shumëpritur dhe të gëzueshme, sidomos për shumicën e shqiptarëve. Por, hapja e negociatave të pranimit ishte një dhuratë e BE-së, më shumë për dashamirësi e bamirësi ndaj popullit të Shqipërisë së sa për Rama- qeverinë! Ajo është si dardha që e ka bishtin prapa. Pas gëzimit dhe festimeve, do të vijnë, sidomos në Tiranën qeveritare, kontrolle e shqetësime të shpeshta e shumëvjeçare…

E mira më e madhe nga ky akt do të jetë se nga dita e 15 tetorit 2024, ekipi qeveritar rilindas dhe administrata e tij e tejfryrë nuk do të kenë më shesh për të bërë përshesh për vete me qindra milionët e BE e të taksapaguesve shqiptarë! Nga kjo ditë, ajo do të jetë nën kontrollin e vazhdueshëm dhe rigoroz të komisionerëve, ekspertëve dhe vëzhguesve të BE-së! Natyrisht, pa menduar me eufori dhe fle mendje se mjeshtrit e korrupsionit shqiptar nuk do të rraskapitin trutë për të gjetur forma e mënyra të reja e më të sofistikuara për të përsosur artin e tyre të korrupsionit! Në fjalimin e tij patetik, kryeministri evidentoi dhe reklamoi “për t’i lënë pa mend e gojë” ata që e dëgjonin dhe e njohin Shqipërinë e sotme e të këtyre viteve, edhe më mirë se plot shqiptarë në Shqipëri e diasporë!

Krahas të tjerave, e bojatisi administratën e tij para shumë shqiptarëve mbetur akoma në Shqipëri, thua se ata kanë ardhur nga një planet tjetër në gjithësi e nuk kanë lindur, janë rritur e po jetojnë në këtë vend, parajsë nga natyra e Zoti dhe prej 80 vitesh ferr nga qeverisjet e pushtetarët më të lartë!? Pra, që kanë qenë dhe janë ose “të përkëdhelur”, ose viktima të përditshme edhe të administratës allashqiptare, “tradicionalisht” partiake, me ndjeshmëri të pakët njerëzore e me përgjegjshmëri të ulët profesionale e zyrtare. Për më tepër e keq, që i kushton buxhetit të shtetit dhe qytetarëve hallexhinj shumë shtrenjtë në para të thata!?

Duke e lënë kryeministrin mbi 11-vjeçar të ekstazohet nga “fitorja e Luksemburgut” apo nga ky “revolucion” në administratë, me pak frute të ngrënshëm e të shijueshëm, me dëshirën e sinqertë si qytetar për ta ndihmuar që të mos vazhdojë ta shikojë Shqipërinë dhe administratën e tij “moderne” nga Luksemburgu, Brukseli, Berlini, Surreli…, por me sytë e shumicës së popullit, nuk mund ta përmbash vërsuljen drejt tij e në adresë të tij me një breshëri pyetjesh shqip dhe qytetarisht e jo edramisht! Ku e shikoni dhe e gjeni, ti personalisht, zotëri kryeministër si dhe “kukullat” dhe “papagajt” që ke përreth, transformimin, modernizimin, efikasitetin e ndjeshëm apo çudi-injektues të administratës suaj?

Tek rritja e pafre e korrupsionit, edhe nën hundën tuaj e të SPAK-ut e të ambasadorëve ndërkombëtarë që ju bëjnë fresk e bojatisje, që ka arritur këto vitet e fundit deri në mbushje dyshekësh e brendësi muresh me qindra mijëra euro apo miliona lekë…, frute korrupsioni dhe trafiqesh të paligjshme shumëformëshe? Tek arrestimi e dënimi me akuzat për korrupsion, të faktuara e të zbutura nga vonesat e paramenduara në SPAK e leva të tjera të drejtësisë, me shtrirje në tre nivelet e piramidës qeveritare e në “të tre sekset”, pra, në nivelet zv.kryeministër, ministër, zv.ministër, drejtor të përgjithshëm, këshilltar, kryebashkiak…? Tek vonesa me javë, muaj, vite…e pritjes dhe zgjidhjes së problemeve nga qytetarët si dhe rëndimi i zarfeve korruptivë për të përjetuar sa më shpejt këtë ditë rraskapitëse mendërisht, shpirtërisht, financiarisht, fizikisht…?

Tek partishmëria dhe militantizmi rilindas i administratistëve në mbështetje të Rama-partiqeverisë, individualisht e familjarisht, për çdo vendim e veprim, sidomos në betejat zgjedhore, për t’i dhuruar vetë sa më shumë vota e për të ndihmuar në fushatën apo në aksionin me goditje të përqendruar e të telekomanduar nga qendra në kryeministri e blerje-vjedhje votave? Tek rritja numerike e administratës publike, më shumë se dyfish në krahasim me 2013, aty rreth 200.000 veta ose 1 zyrtar administrate në 12 banorë, kur popullsia e vendit është pakësuar me rreth 1 milion frymë, sidomos të moshave të reja e për punë, që kanë ikur si emigrantë nëpër vende të Perëndimit, më së shumti në Itali, Gjermani, Francë, Belgjikë, Holandë, Angli, Kanada, SHBA…? Te mbushja e saj me diploma-blerës, me zyrtarë me nivele të ulëta profesionalizmi, intelektualizmi, përgjegjshmërie si dhe pastërtie ligjore…; me militantë partiakë, patronazhistë…!? Apo, me çuna e goca, nipa e mbesa, nuse e dhëndurë të nomenklaturës komuniste ose të asaj të sotme, socialisto-rilindase?

Domethënë, të politikanëve, deputetëve, pushtetarëve, oligarkëve, “investitorëve strategjikë”… edramistë, pa u parë fort e me vëmendje, si të tjerëve jo të ngjyrës dhe zemrës partiake, diploma universitetesh a kolegjesh, mesatare notash, CV, kartela të shëndetit mendor nëpër spitale, dosje nëpër policira, gjykata, burgje…? Fare shkurt e shqip: pa u parë pastërti figurash e dosjesh si dhe vërtetësi profesionalizmi! Për t’iu kujtuar kryeministrit, ministreshave dhe ministrave të tij se do të kenë ide më të saktë e bindje më të plotë për çka kanë bërë në të vërtetë në këta 11 vite për realitetin e Shqipërisë më 2024, pra edhe për reformimin rrënjësor, së pari në mendësi e praktika dhe për efikasitetin shumë më të lartë të administratës, bëjnë mirë që t’i largojnë sytë nga katet më të larta të pallateve të tyre e të “kullave të kanabizit” të “oligarkëve rilindas” apo të “investitorëve strategjikë” shqiptarë e të huaj dhe të ecin së bashku me shumicën e qytetarëve me paga e pensione minimale, nga 10.000- 30.000 lekë nëpër rrugica, rrugë, trotuare, që edhe kur janë çifte më shumë flasin me vete se sa me njëri-tjetrin!?

Apo të shikojnë dendësinë e lypësve si dhe të rrëmihësve nëpër koshat e plehrave. Nëse kanë kohë, do të merrnin informacione të bollshme për gjendjen e vërtetë të zyrave, punëve, problemeve, halleve…, shumë larg asaj që reklamojnë dhe lustrojnë televizionet dhe mediat e tjera proqeveritare, në qoftë se do të futeshin nëpër shtëpitë e apartamentet, pjesa më e madhe 1 plus 1 dhe 2 plus 1…, të atyre që mund të quhen dhe klasifikohen si varfanjakë e që u ziejnë mend sa herë u vjen koha për të shtruar çdo vakt… e për të shkuar të nesërmen në një zyrë e spital shteti!

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura