Adoleshenca dhe “makineria edukative” e familjes

Nov 26, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI GËZIM TUSHI

Këto ditë në të gjithë strukturat e jetës sociale, mbase si rrallëherë është zhvilluar një debat i gjerë, intensiv dhe sensibilizues për problemet e adoleshencës. Shërbeu si “casus beli” ngjarja tragjike, e dhimbshme, e paprecedencë e vrasjes barbare dhe me gjak të ftohtë e adoleshentit 14-vjeçar në shkollën “Fan Nolin”, në Tiranë. Në këtë debat sintetik etik, psikologjik e social, kulturor e pedagogjik përgjithësisht serioz dhe inkandeshent u përfshi e gjithë shoqëria, prindër, mësues, psikologë e sociologë, autoritete zyrtare të shtetit, të medias. Pothuaj e gjithë struktura e jetës sociale e individuale. Uroj që ky debat të mos mbesë thjesht “flakë kashte”, apo një reagim empirik e superficial me efekte të shkurtra e kalimtare, apo thjesht një sensibilitet emocional, pa lënë gjurmët e duhura për të ndryshuar situatën shumë delikate që po përjeton shoqëria, familja e shkolla në lidhjet dhe marrëdhëniet me adoleshentët tanë. Një kontradiktë që po zgjerohet, nga që akoma nuk e kemi konceptimin e duhur ontologjikisht të plotë të përgjegjësive dhe sidomos kuptimet e cekëta për dialektikën e strukturës dhe fenomenologjisë moshore të adoleshentëve, të cilët sipas sociologëve modernë, “adoleshenti është hallka e dobët e shoqërisë”. Edgar Morin, “Rruga”, f 372.

Kanë ndodhur shumë konflikte, ngjarje tragjike në lidhjet moshore dhe marrëdhëniet e adoleshentëve midis tyre apo në kontradiksionet evidente më shkollën dhe familjen, me mësuesit dhe prindërit e tyre. Kjo është një situatë, që me sa duket, nuk po kuptohen si duhet të vërtetat, “furtunat” dhe paqartësitë e natyrshme të moshës e adoleshentëve tanë. Shpesh në mënyrë të njëanshme, pa lidhjet e duhura konceptuale dhe njohuritë e duhura për veçoritë moshore të tyre ose bëjmë vlerësime të gabuara të shfaqjeve të asocialitetit të tyre moshor, shpesh duke mbajtur qëndrime të njëanshme antiedukative, ose tregohemi indiferentë dhe liberalë për të kuptuar thelbësisht atë që ndodh me shfaqjet anormale, anarkike moshore të fëmijëve tanë në moshën e adoleshencës, duke mos kuptuar si duhet të vërtetën njerëzore, që ka lidhje me të “fshehtat e natyrshme të adoleshencës”, të kësaj moshe kalimtare nga fëmijëria në pubertet (pjekuria seksuale) dhe pastaj në moshën e rinisë.

Nëse kemi kaq shumë dështime, “aborte edukative” të shpeshta në marrëdhëniet dhe procesin e edukimit me adoleshentët, kjo është e lidhur me një koncept destruktiv e metafizik, të shkëputjes paradoksale të hallkave themelore dhe instrumenteve bazë të “makinerisë sociale të edukimit. Por le ta shikojmë së pari këtë përgjegjësi obligative te familja. Nuk është vetëm te ne situate e dobësimit të rolit edukativ të familjes. Përkundrazi, “rënia e funksionit shoqëror të familjes është problem global” – ka thënë me kohë filozofi e sociologu Herbert Markuze.

Në këtë kontekst, duhet ta pranojmë se mjetet, format dhe metodat që përdoren sot në edukimin e tyre janë të vjetra, të papërshtatshme me kohën postmoderne dhe për pasojë, familja po përballet me një fenomen të zgjeruar social, që në marrëdhëniet me adoleshentët veçanërisht, ka formën e një “aborti edukativ” që po pësojnë jo vetëm familja, por edhe institucionet kryesore të edukimit dhe formimit të tyre kulturor, qytetar, edukativ. Nëse nuk kuptojmë veçoritë moshore, dialektikën e proceseve që zhvillohen në mënyrë kontradiktore brenda trupit, mendjes dhe shpirtit të adoleshentëve, shkaqet e brendshme biologjike e ato të “jashtme” me natyrë sociale, ndikimin e jetës së zbrazur, ndikimet e përdorimit të zgjeruar të lëndëve psikotrope (drogë e alkool), interferencat toksike të internetit dhe rrjeteve sociale, është e vështirë të kesh suksesin e kërkuar dhe kur dëshiron sinqerisht të luash rolet e prindërit dhe edukatorit familjar. Të gjithë kemi filluar të akuzojmë adoleshentët, tipologjinë e sjelljes së tyre. Në të vërtetë është koha të ndryshojmë “optikën” e shikimit, vlerësimit dhe intervenimit edukativ me fëmijët tanë adoleshentë, duke kuptuar natyrën e sjelljeve asociale e të çoroditjes, frymës së kundërshtimit dhe aventurave moshore, gjuhën e ashpër e të “drunjtë” të komunikimit midis tyre, hiperagresivitetin moshor, format e larmishme të bullizmit. Shpesh po përballemi me adoleshentë që përkundër moshës së tyre janë bërë të pamëshirshëm në zgjidhjen e konflikteve të tyre me prindërit dhe moshatarët e tyre, duke shfaqur dukuri evidente të narcisizmit, megalomanisë moshore, anarkizmin edukativ dhe rivalitetin për motive të ndryshme.

Ata nuk janë fajtorë. Përkundrazi, janë viktima të dy faktorëve, të brendshëm, që kanë lidhje me proceset që zhvillohen në këtë moshë midis mishit dhe shpirtit, dëshirave moshore dhe mundësive të tyre fizike e mendore. Nga ana tjetër, ata janë viktimë e dobësimit të familjes dhe influencat destruktive të realitetit tonë social. Sepse ata po rriten në një shoqëri neurotike, me nivele të larta të dhunës dhe kriminalitetit, me përdorim të zgjeruar të përdorimit të lëndëve psikotrope, shoqëruar, kjo me defektet e dukshme që po shfaq “makineria sociale dhe pedagogjike, e njohur dhe e pranuar si mjet për edukimin e duhur të tyre. Këto janë faktorë të disfavorshëm, që e bëjnë shumë të vështirë dhe tejet të ndërlikuar procesin e edukimit të tyre. Këtë vështirësi po ndjen familja dhe prindërit e kohës së sotme.

Kjo është arsyeja pse në pamje të parë, duke i parë situatat në pamje të jashtme, duke i vlerësuar në mënyrë empirike veçoritë moshore të adoleshentëve, duket se paradigmat e vjetra socio-edukative në familje ose nuk funksionojnë, nga që janë vjetruar, ose efektet terapeutike të tyre janë të pamjaftueshme përballë këtyre patologjive të reja, sjelljeve eksentrike të adoleshentëve të sotëm. Kjo është arsyeja pse personalisht, duke bërë diagnostikim mikrosociologjik të situatës së marrëdhënieve të adoleshentë me institucionet e edukimit dhe marrëdhëniet e tyre me “figurat” klasike prindërore të këtij institucioni, më është krijuar përshtypja se realisht ka diçka që duhet parë dhe vlerësuar seriozisht.

Natyra e adoleshentëve, koha në të cilën jetojnë dhe rriten, është bërë shumë e vështirë për prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë. Ato kanë detyrë dhe përgjegjësi që të largohen nga besimi arkaik, inkoherent dhe absurd i shenjtërimit të “makinerisë së vjetër” të mendjemadhësisë edukative të mbivlerësimit të pushtetit vertikal, forcës së autoritarizmit të “verbër”, duke kuptuar se tani jemi përballë ndryshime thelbësore të konteksteve të vjetra të edukimit dhe marrëdhënieve me adoleshentët. Kjo do të thotë që duhet të bëhemi të vërtetë dhe “makineria” e edukimit familjar, duhet të bëhet e ndërgjegjshme dhe të pranojë të vërtetën njerëzore, tashmë të ndryshuar radikalisht, që lidhet me të “fshehtat e reja” të kësaj moshe plastike, kalimtare të pubertetit ose të kalimit nga fëmijëria në adoleshencë.

Që makineria e edukimit familjar të ndryshojë, të bëhet efikase, utilitare, e dobishme, me efekte të prekshme edukative, së pari duhet të kuptojmë që brezi i adoleshentëve të sotëm është brezi që rritet në kuadrin e një shoqërie postmoderne, që nga njëra anë ka zgjeruar natyrshëm liritë dhe të drejtat e tyre, në kushtet kur forca e institucioneve bazë të autoritetit social është lëkundur. Kjo është e vërtetë e prekshme dhe një problem jo i lehtë për t’u administruar dhe zgjidhur, në kuptimin që sot familja shqiptare nuk funksionon më bazuar në parimet e vjetra të prindërimit. Ajo që duhet kuptuar në mënyrë thelbësore dhe që është kushti i parë i ndryshimit të procesit të lidhjeve, komunikimit dhe edukimit të adoleshentëve, është ndryshimi konceptual i optikës me të cilët ne prindërit duhet të shikojmë dhe vlerësojmë problemet, shqetësimet e natyrshme moshore të adoleshentëve. Sepse adoleshentët ata janë, ato veçori fondamentale e dinamika të komportimit të sjelljes kanë.

Nuk mund të pretendojmë të ndryshojmë thelbin dhe natyrën e adoleshentëve. Kjo është e pamundur. Adoleshentët ata janë, tipologjikisht identikë, koherentë brenda natyrës së tyre. Për të ndikuar mbi formimin e tyre, është imperative të ndryshojmë ne, prindër, mësues, edukatorë, media e shoqëria civile, duke ndryshuar dhe zëvendësuar optikën e vjetër të kësaj “makinerie edukative” defektoze dhe ineficiente. Kjo është domosdoshmëri për të kuptuar si duhet dhe sidomos për të vënë në rrugën e duhur rezervat e jashtëzakonshme, që janë brenda vullnetit të mirë të adoleshentëve. Por kjo rrugë ka një kusht dhe jep rezultat kur i kupton, dialogon, komunikon me empati dhe pa paragjykimet e vjetra paternaliste e autoritariste.

Dy shekuj më parë filozofi i shquar E. Kant thoshte se “paternalizmi prindëror është forma më e keqe e despotizmit”. Padyshim, askush nuk ka kurajën të mos kuptojë apo nënvlerësojë rolin e familjes dhe prindërimit adekuat për edukimin human, formimin qytetar të adoleshentëve. Ajo është “organizatë e vogël” social edukative, por është kryesorja, më e rëndësishmja, më themelorja për edukimin. Ajo thotë sociologu Paul Collier, është “fonderia për të kalitur fëmijët dhe adoleshentët”. Përgjegjësia edukative e familjes shqiptare, sot duhet rivlerësuar në përputhje me presionet e kohës dhe natyrën e ndryshuar të adoleshentëve, aq sa janë fëmijë të prindërve të tyre, janë edhe bij të kohës së tyre, të përbërë nga një lloj tjetër “materie sociale” në krahasim me “materien edukative” dhe standardet morale obligative të prindërve të tyre. Për fat të keq, sociologët janë të shqetësuar për faktin që kjo kohë e jetës postmoderne, nuk po e ndihmon sa duhet familjen në kryerjen e funksioneve të veta social edukative, për rritjen dhe formimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Shumë familje janë përfshirë nga procese të frikshme retrograde të destruktimit të strukturës dhe roleve edukative të saj, për shkak të dhunës familjare, divorceve të shumta, mungesës së përgjegjësisë prindërore, varfërisë, papunësisë, përdorimit të zgjeruar të lëndëve psikotrope, sikurse janë drogat, alkooli, seksi i parakohshëm dhe plot rreziqe të tjera që kanë “rrethuar familjen” dhe që gjithashtu kanë ndikuar në zbehjen e funksioneve edukative dhe rinovimin e parimeve të prindërimit adekuat.

Një situatë sociale që duhet pranuar që është në zgjerim, me pasoja për lidhjet, raportet e marrëdhëniet e prindërve me adoleshentët. Për fat të keq, shoqëria shqiptare ka bërë një kalim dikotomik të diskutueshëm të tranzicionit edukativ të familjes, të kalimit të saj nga familja e dikurshme etike, por edhe autoritariste në familjen e sotme, e cila po shfaq boshllëqe të ndjeshme, pikërisht nga kalimi në ekstremin tjetër, atë të indiferentizmit, neglizhencës, mungesës së komunikimit, të cilat të marra së bashku, kanë krijuar një boshllëk në “fonderinë familjare”, duke e mbushur atë me kotësirat e “hiçit edukativ”. Prindërit duhet të ndërgjegjësohen për këtë situatë që po kalojmë, kur ata ballafaqohen me sjelljet asociale e shpesh edhe kriminale të adoleshentëve. Ata nuk mund ta kërkojnë thelbin dhe peshën kryesore të edukimit jashtë strukturës familjare dhe dobësimit apo “vjetrimit” të parimeve me të cilët duhet të prindërojmë me adoleshentët e sotëm.

Asnjë rrugë alternative, asnjë institucion ekstra familjar nuk e ka peshën determinante për formimin qytetar të adoleshentëve tanë më shumë se familja dhe prindërit e adoleshentëve. Adoleshentët nuk “mposhten”, as nuk edukohen me autoritarizëm apo pushtet mekanik. Adoleshentët nuk kanë nevojë për pushtet prindëror të konvertuar në forcë, por për autoritet prindëror komunikativ dhe empatik, si kusht për të ndërtuar një “Kushtetutë Edukative” me ndikim organik mbi trupi, shpirtin, mendjen dhe sjelljet sociale të adoleshentëve. Sociologu Paul Collier thotë se “adoleshentët që bien e gabuar mund të kthehen në rrugën e duhur, nën ndikimin e butë të rrëfenjave të shëndetshme që sillen jashtë kontekstit të shpërblimit apo ndëshkimit nga ana e prindërve. Paul Collier, “E ardhmja e kapitalizmit”, f 263.

Koha po për atë të vërtetë, që duhet ta njohim të gjithë: me adoleshentët detyrimi prindëror mekanik është i vështirë dhe jo shumë efektiv. Prindërit ta kuptojnë se adoleshentët nuk kanë nevojë, nuk binden, përkundrazi reagojnë negativisht, me rebelizëm, skepticizëm dhe sjelle të çoroditura anarkike, nëse prindërit nuk do ndërtojmë atë makineri edukative familjare, që nuk është e bazuar në pushtetin mekanik prindëror, por në autoritetin e besuar, organik, të besueshëm, të pranuar nga adoleshentët. Kjo do të thotë se duhet të rishikojmë nevojën, domosdoshmërinë e normave etike dhe komportimit moral në familje. Ato kanë vlerë strategjike mbi çdo utopi, mendjelehtësi apo mendjemadhësi prindërore. Por kjo mund të realizohet, nëse atë e bashkojmë me instrumentet e duhura të ndikimit mbi adoleshentët. Jo thjesht duke i komanduar, por duke i bindur. Sepse sikurse thonë sociologët e familjes, “suksesi me adoleshentët është së pari trashëgimi e kulturës dhe edukimit në familje”.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura