Për herë të parë, në ditët e fundit të tetorit, do të zhvillohet në Tiranë “DardanFest”, edicioni i parë i filmit dokumentar me metrazh të shkurtër që do të ketë në fokus temën e urbanizimit. Për interesin në rang ndërkombëtar të kësaj teme dhe gjithë ç’pritet të zbulojë ky festival, tregon drejtori i festivalit, Agim Poçari.
Çfarë do të përmbajë ky festival i parë i filmit, Dardan Fest?
Ky festival, duke qenë një shans promovimi për studentët dhe autorët profesionistë, ofron një shumëllojshmëri tematikash e cila do të jetë një nga pikat e forta të këtij aktiviteti. Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti, duke marrë parasysh temat që do të jenë të pranishme në festival, do të zhvillohet një rast rreth disa komuniteteve. Ne mund t’i prezantojmë audiencës tematika që lidhen me komunitetet në nevojë, njerëzit me aftësi të kufizuara, rastet që lidhen me pakicat dhe etnitë e ndryshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Pjesëmarrja në këtë Festival Filmi do të përfshijë punime kinematografike nga SH.B.A., Evropë, Azi etj. Punimet do të jenë nga 3 vitet e fundit, por do të shfaqen gjithashtu edhe premiera në këtë edicion të parë.
Si është bërë përzgjedhja e konkurrenteve në ketë edicion të parë të DardanFest?
Promovimi dhe prezantimi i festivalit online dhe të site te tij, www.dardanfest.com ka lejuar prurjet e shumta nga vende të ndryshme. Njohjet tona me festivale të ndryshme në Amerikën e Veriut dhe në Europë, kanë lehtësuar sugjerimet për pjesëmarrje në festival. Falë ndihmës së promotorëve të këtij eventi, jashtë vendit ka sjellë një prurje filmash të zhanreve të ndryshme, të një numri prej mbi dyqind aplikimesh, ku numrin më të madh e zënë metrazhet e shkurtra, fiksioni dhe dokumentari.
Si ka qenë interesi për pjesëmarrje? Ç’specifika ka pranimi?
Falë numrit të lartë aplikantëve, na është dhënë mundësia të kemi një përzgjedhje më të mirë të filmave që i qëndrojnë më shumë temave të preferuara për DardanFest si për shembull, Urbanizimi dhe Civilizimi.
Në rang ndërkombëtar, çfarë vini re, a ka të përbashkëta apo ku ndahen, nga pikepamja e urbanizimit, vendet pjesëmarrëse?
Vihet re një tendencë më e madhe filmash ku temat sociale dhe teknologjia të mbizotërojnë subjektet kryesore sidomos në vendet si Irani, Franca, Bulgara, Amerika dhe Kanadaja. Ndërsa Spanja dhe Maqedonia kane një mëshim në lifestyle dhe problematikë urbane. Ndërsa nga Shqipëria një nga tendencat për dokumentarin prek bashkëjetesën fetare, një specifike kjo e vendit tonë dhe tolerancës shqiptarë, një vlerë që po promovohet, me të drejte.
Ku do të zhvillohet festivali dhe si është menduar organizimi i tij?
Bashkia e Tiranës na ka ofruar disa vendndodhje për mbarëvajtjen e Festivalit (ambiente te hapura për shkak të pandemisë) dhe ne kemi përzgjedhur sheshin mes Kolonave, tek Air Albania.
Nëse do të ketë zhvillime të tjera në lidhje me politikat e menaxhimit të pandemisë nga ana e qeverisë, nëse do të kemi akses dhe në ambiente të mbyllura, mund të kemi dhe një zgjedhje të dyte lidhur me këtë anë të eventit. Do t’ju informojmë për këtë, në javët e ardhshme.
Si është interesi i vendit tonë lidhur me temën e festivalit, urbanizimit? Me çfarë përfaqësohet Shqipëria?
Dardan Fest është festival filmi ndërkombëtar me prurje nga zhanre të ndryshme filmash fiction dhe dokumentar. Si Drejtor i festivalit jam i interesuar të përzgjedh filma që trajtojnë temën e festivalit, urbanizim dhe civilizim, pavarësisht origjinës se krijuesit. Mund të shtoj që edhe prurjet nga Shqipëria janë në këtë frymë, por do të mbajmë disa sekrete deri në nisje të festivalit.
Cilat janë objektivat e krijimit të DardanFest?
Një ndër objektivat kryesorë është shkëmbimi i përvojave gjatë një leksioni midis studentëve të kinematografisë shqiptare dhe të huaj që marrin pjesë në festival dhe kjo do të ndodh në pjesën e parë të ditës, për të gjitha datat e festivalit që çelet në datën 27 tetor dhe përfundon në 30. Shkëmbimi i mësimdhënies dhe metodave të rritjes së krijimtarisë midis studentëve shqiptarë dhe të huaj që marrin pjesë në festival është tjetër element i rëndësishëm. Shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i miqësive midis stafit pedagogjik të Universitetit Shqiptar të Arteve dhe universiteteve të huaja që marrin pjesë në festival, (profesorë nga “dega e artit skenik” në shqip. Universiteti i Arteve si dhe homologët e tyre nga vende të ndryshme do të marrin pjesë gjithashtu në festival). Shkëmbimi i përvojave përmes forumeve dhe workshop-eve të organizuara së bashku me festivalin midis autorëve vendas dhe të huaj. Krijimi i mundësive për bashkëpunim dhe bashkëprodhim midis krijuesve vendas dhe të huaj. Bërja evidente dhe promovimi i artit kinematografik shqiptar përmes autorëve nga pjesëmarrësit e huaj në festival. Të gjitha këto mendoj që janë të rëndësishme në zhanrin e filmit, sidomos për të rinjtë që do të kenë përparësi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al