Zbardhet mendimi i pakicës së gjyqtarëve të Kushtetueses për padinë e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve alkoolike që kërkoi shfuqizimin e ligjit për unifikimin e akcizës.
Në qëndrimin kundër shumicës që vendosi rrëzimin e kërkesës së prodhuesve dhe la në fuqi ndryshimet ligjore për dyfishimin e akcizës, dy gjykatësit fillimisht argumentojnë se Gjykata Kushtetuese nuk respekton parimin e shtetit të së drejtës në dy çështje me tipologji të njëjta pasojash, cenimin e proporcionalitetit. “Duke mbajtur në konsideratë ngjashmërinë e dy çështjeve, çmojmë se çështja konkrete duhet të kishte të njëjtin përfundim me rezultatin e arritur për Ligjin e Tatimeve – atë të pranimit të kërkesës, pasi trajtimi edhe në këtë rast ka të bëjë me shqyrtimin e proporcionalitetit të akcizës për prodhuesit e vegjël, për të cilët ajo u dyfishua menjëherë për shkak të unifikimit. Në këtë pikëpamje, dy zgjidhje diametralisht të kundërta, të dhëna në çështje kushtetuese të shqyrtuara në të njëjtën kohë nga Gjykata dhe me të njëjtën tipologji pasojash, nuk respektojnë parimin e shtetit të së drejtës, në kuptim të respektimit të rregullit të vazhdimësisë së jurisprudencës”, – citohet në mendimin e pakicës.
Nga 1 janari 2023, pas një periudhe 15-vjeçare të funksionimit të akcizës së diferencuar në varësi të sasisë së prodhimit, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të akcizës, unifikohet akciza, duke dyfishuar atë për prodhuesit e birrës nën 200.000 HL në vit, nga vlera 360 lekë/ HL në 710 lekë/HL. Për dy gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese që përbëjnë mendimin e pakicës, dyfishimi i akcizës kundërshtohet për disa arsye. Së pari, sipas mendimit të pakicës niveli i akcizës së vendosur nuk është zgjedhur në masën e përdorur nga shumica dërmuese e vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit, por ka preferuar të renditet ndër ato vende me akcizën më të lartë. Së dyti, në drejtim të kategorizimit të sasisë së prodhimit, nuk aplikohet tarifa e reduktuar në mbështetje të birrave të vogla sipas direktivës së KE-së. “Pavarësisht se direktivat evropiane nuk paraqesin detyrim për shtetet për të aplikuar tarifa të reduktuara, kjo praktikë është e njohur dhe e zbatueshme dhe ka për qëllim diferencimin prodhuesve të birrës në varësi të kapaciteteve të tyre”, – thuhet ndër të tjera në mendimin e pakicës.
Po ashtu, dy gjyqtarët argumentojnë se dyfishimi i akcizës nuk justifikon shmangien e evazionit fiskal për sa kohë industria e prodhimit dhe tregtimit të birrës monitorohet nga një sistem gjurmimi me pullë fiskale. Sakaq, në vendimin e 16 korrikut të Gjykatës Kushtetuese çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj. Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, gjykata vendosi, me shumicë votash rrëzimin e kërkesës. Disa nga pikat e mendimit të pakicës për padinë e prodhuesve të birrës. Ndaj është e rëndësishme që në këtë pikë të ritheksojmë edhe qëndrimin e mbajtur nga gjykata në vendimin e saj të fundit në lidhje me Ligjin e Tatimeve, e nënkriteri i domosdoshmërisë lidhet me përdorimin e mjeteve më pak të dëmshme për subjektet që u cenohen të drejtat dhe liritë, që do të thotë se duhet të analizohet nëse ligjvënësi ka pasur në dispozicion mjete më pak të ashpra për të arritur qëllimin e tij.
Gjykata u shpreh se zbatimi i skemave të reja tatimore duhet të shoqërohet me masa të përshtatshme kalimtare. Midis këtyre masave, dhënia kohë tatimpaguesve u krijon atyre mundësinë jo vetëm të njihen me formulat e llogaritjes së zbatimit të tatimit ndaj tyre, por edhe të marrin masa që vetë subjektet tatimpaguese i vlerësojnë të nevojshme për të përshtatur aktivitetin e tyre në mënyrë që të përballojnë pasojat e skemës së zbatueshme (shih vendimin nr. 52, datë 27.06.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Ne atë rast, Gjykata shqyrtoi proporcionalitetin e skemës së re tatimore (15 % nga 0%) për të vetëpunësuarit dhe entitetet me të ardhura të tatueshme deri në 14 milionë lekë në vit, duke arritur në përfundimin se skema nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, për shkak se ndërhynte në lirinë e veprimtarisë ekonomike, të garantuar nga neni 11 i Kushtetutës, pa respektuar parimin e proporcionalitetit në drejtim të domosdoshmërisë/ashpërsisë së mjetit të përzgjedhur. Duke mbajtur në konsideratë ngjashmërinë e dy çështjeve, çmojmë se çështja konkrete duhet të kishte të njëjtin përfundim me rezultatin e arritur për Ligjin e Tatimeve – atë të pranimit të kërkesës, pasi trajtimi edhe në këtë rast ka të bëjë me shqyrtimin e proporcionalitetit të akcizës për prodhuesit e vegjël, për të cilët ajo u dyfishua menjëherë për shkak të unifikimit.
Në këtë pikëpamje, dy zgjidhje diametralisht të kundërta, të dhëna në çështje kushtetuese të shqyrtuara në të njëjtën kohë nga Gjykata dhe me të njëjtën tipologji pasojash, nuk respektojnë parimin e shtetit të së drejtës, në kuptim të respektimit të rregullit të vazhdimësisë së jurisprudencës. Detyrimi për vendimmarrje të njëjtë dhe të qëndrueshme në çështje të ngjashme, të cilin Gjykata e ka imponuar në një sërë rastesh për gjykatat e zakonshme (shih vendimet nr. 8, datë 19.03.2018; nr. 26, datë 22.05.2015; nr. 6, datë 17.02.2012 të Gjykatës Kushtetuese) duhet të respektohet edhe prej vetë asaj. 10. Nisur nga premisa e mësipërme, në vijim paraqesim arsyet përse mendojmë se vlera e re e akcizës së unifikuar për prodhuesit e birrës nën 200.000 HL në vit nuk përmbush nënkriterin e domosdoshmërisë, në drejtim të ashpërsisë së masës. Me hyrjen në fuqi te ligjit nr. 81/2022, pas një periudhe 15-vjeçare të funksionimit te akcizës së diferencuar në varësi të sasisë së prodhimit, ligjvënësi ka realizuar unifikimin e akcizës duke dyfishuar atë për prodhuesit e birrës nën 200.000 HL në vit, nga vlera 360 lekë/ HL në 710 lekë/HL (e cila më pas me ligjin nr. 94/ 2023 për shkak të indeksimit, arriti vlerën 744.4 lekë/HL). Për të dëshmuar efektet e aplikimit të kësaj skeme të re kërkuesja gjatë shqyrtimit në seancë plenare paraqiti një sërë të dhënash konkrete, të cilat nuk u kundërshtuan nga subjektet e interesuara, megjithatë të dhënat nuk u morën në konsideratë nga shumica në analizën e saj mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes, që e bën vlerësimin e shumicës abstrakt, pra të palidhur me rrethanat konkrete te çështjes.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al