Akomodimi dhe mjedisi, një partneritet që ndihmon të ardhmen

Oct 21, 2024 | 7:40
SHPËRNDAJE

ermira qosjaPROF. DR. ERMIRA QOSJA

Rritja e industrisë së turizmit në vitet e fundit është impresionuese, tregu-esit që e konfirmojnë janë të shumtë, por mjafton të sjellin në vëmendje që në vitin 2023 Shqipëria u rendit e 4-ta në nivel global për rritjen më të madhe të përqindjes së mbërritjeve të turistëve ndërkombëtarë, duke shënuar një rritje me 56% krahasuar me vitin 2019. Në vitin 2022 numërohen 7,5 milionë mbërritje ndërkombëtare, për të arritur në 10,1 milionë në vitin 2023 dhe rreth 7 milionë në 8 muajt e parë të vitit 2024. Në katër vitet e fundit pati gjithashtu një rritje të dukshme të kapaciteteve të akomodimit, duke çuar numrin e dhomave dhe të shtretërve përkatësisht në 57 778 dhe 129 698 në vitin 2023, ku krahas një rritje eksponenciale në strukturat akomoduese me qira në afatshkurtër, një perspektivë ndryshe erdhi dhe përmes hyrjes në tregun e investimeve në turizëm të markave ndërkombëtare të hoteleve. Draft Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024–2030 evidenton një vlerë totale investimesh prej 792 milionë euro në sektorin e hoteleve, 65% janë projekte të kategorisë me 5 yje, me një investim total prej 615 milionë euro, ndërsa projektet me 4 yje përfaqësojnë 35% të totalit, me 177 milionë euro investime.

Ndërkohë që sektori ka sfida të shumta: nga nevoja për përmirësime në infrastrukturë, shërbime publike me cilësi të ofruara nga pushteti qendror e lokal dhe deri në mungesën/krizën e fuqisë punëtore, gjithnjë e më shumë, do të duhet të dëshmojë një komponent të përgjegjshmërisë mjedisore, sociale dhe ekonomike. Raporte e studime tregojnë që sektori i turizmit është një nga kontributorët e rëndësishëm të ndotjes mjedisore, shtuar këtij fakti dhe shqetësimet në rritje për shkak të ndryshimeve klimatike globale, ka bërë që shumë vende të kërkojnë shtigje të reja zhvillimi. Mbi këtë bazë, zhvillimi me karbon të ulët po merr sot një mbështetje të gjerë dhe po prezantohet përmes konceptit të turizmit të qëndrueshëm; të turizmit të gjelbër apo të turizmit miqësor me mjedisin.

Pjesëmarrja e turistëve në lëvizjen drejt natyrës dhe mbrojtja e saj është një shenjë dalluese e turizmit të shekullit të 21-të, mbi këtë bazë turizmi miqësor me mjedisin duhet të shihet si një instrument për të promovuar kujdesin ndaj ruajtjes së natyrës, për rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e një kulture të përgjegjshmërisë mjedisore. Brenda industrisë së turizmit, sektori i akomodimit është komponenti më i rëndësishëm përsa i përket fuqisë punëtore që absorbon dhe energjisë që konsumon, kështu që në përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit dhe kursimin e burimeve, hotelet miqësore me mjedisin janë një përgjigje e përgjegjshme për qëndrueshmëri në këtë industri. Hotelet miqësore me mjedisin nuk janë një çështje mode, etikete apo slogani, por janë më shumë një çështje mbijetese dhe në destinacione të njohura turistike. Ndërsa studimet që lidhen me industrinë e mikpritjes kanë njohur rolin e praktikave të gjelbra si një strategji kritike për suksesin e ardhshëm të kompanive që zhvillojnë aktivitet në sektorin e akomodimit, certifikimi i gjelbër nuk është vetëm një tregues i përgjegjësisë mjedisore, por gjithashtu një mjet për të fituar legjitimitet dhe besueshmëri në sytë e grupeve të interesit, duke përfshirë klientët, investitorët dhe organet rregullatore. Gjithashtu, certifikatat e gjelbra mund të shihen si burime të vlefshme, që përmirësojnë imazhin e markës së një hoteli dhe e dallojnë atë nga konkurrentët.

Nisur nga fakti që zhvillimi i turizmit në Shqipëri është fokusuar kryesisht në një model të tregut masiv, të bazuar në diell dhe det, i cili shoqërohet me vlerë të ulët të shtuar për turist, një shkallë të lartë sezonaliteti dhe përqendrim intensiv gjeografik, është domosdoshmëri një këndvështrim që synon të shohë Shqipërisë si një destinacion turizmi miqësor me mjedisin, duke kërkuar në radhë të parë ndërgjegjësim të të gjitha grupeve të interesit në sektor. Politikëbërësit duhet të bëjnë çdo përpjekje për të mbështetur dhe promovuar praktikat miqësore me mjedisin në industrinë e mikpritjes. Në këtë këndvështrim duhet të zhvillohen politika mbështetëse dhe stimuj për të inkurajuar implementimin e praktikave miqësore me mjedisin në strategjitë e biznesit të hoteleve, të tilla si: stimuj tatimorë, grante dhe subvencione.

Në kuadrin e politikave mbështetëse, mund të jetë dhe krijimi i një çmimi vjetor për hotelin që zbaton praktikat më të mira të gjelbra. Shumë e rëndësishme është gjithashtu krijimi i udhëzimeve të qarta dhe të standardizuara për praktikat miqësore me mjedisin për të siguruar qëndrueshmëri dhe besueshmëri në të gjithë industrinë, përfshirë udhëzime për menaxhimin e mbetjeve, përdorimin e energjisë dhe praktikat e konsumit të ujit. Në këtë kuadër, roli i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në krijimin e një kornize standarde për praktikat e gjelbra përmes bashkëpunimit me entet e tjera përgjegjëse dhe grupet e interesit në sektor është shumë i rëndësishëm. Nga njëra anë, politikëbërësit duhet të mbështesin zhvillimin e fushatave të ndërgjegjësimit të publikut për të edukuar konsumatorët për rëndësinë e praktikave të gjelbra dhe përfitimet e zgjedhjes së akomodimeve miqësore me mjedisin, nga ana tjetër duhet të mundësojnë formimin e aftësive të gjelbra, përmes organizimi të programeve të trajnimit dhe seminareve, që përmirësojnë njohuritë e hotelierëve rreth përfitimeve sociale, mjedisore dhe ekonomike të praktikave të hoteleve të gjelbra.

Praktikat miqësore me mjedisin nuk mund të kuptohen pa zhvillimin e infrastrukturës që mbështet turizmin e qëndrueshëm, zhvillimin e transportit publik miqësor ndaj mjedisit, krijimin e hapësirave të gjelbra dhe ngritjen e qendrave të riciklimit, aq shumë të debatuara në nivel politik, mediatik dhe social në këto vitet e fundit. Praktikat miqësore me mjedisin nënkuptojnë gjithashtu inkurajimin e sektorit të akomodimit dhe mikpritjes në përdorimin e produkteve lokale, që stimulojnë ekonominë lokale dhe zvogëlojnë ndikimin mjedisor të turizmit. Politikat qendrore dhe lokale duhet të përforcojnë mbështetjen e bujqësisë, të produkteve artizanale lokale dhe produkte të tjera të qëndrueshme që mund të integrohen në përvojën e turizmit. Në këtë drejtim do të shërbenin edhe nismat për edukimin dhe angazhimin e komuniteteve lokale në praktikat e turizmit të qëndrueshëm. Sektori i akomodimit po rritet me shpejtësi dhe mbase është momenti për të reflektuar dhe mbi ligjin urbanistik, projektimi dhe ndërtimi i godinave të hoteleve të bazohet ne konceptin “Green Buildings”, që nënkupton projektimin e ndërtesës me ndikimin sa më të vogël në mjedis, duke përmirësuar gjithashtu efiçencën e energjisë, komoditetin e klientëve/stafit dhe qëndrueshmërinë në tërësi.

Roli i investitorëve dhe menaxherëve në industrinë e akomodimit natyrisht është mjaft i rëndësishëm, nisur që nga zbatimi i praktikave të gjelbra në strategjitë në nivel biznesi, vijuar me bashkëpunimin mes tyre, organeve të certifikimit dhe palëve të tjera të interesuara për të ndarë praktikat më të mira dhe për të nxitur inovacionin në qëndrueshmëri. Duke adoptuar një qasje proaktive ndaj qëndrueshmërisë, hotelet mund të rrisin reputacionin e tyre, të tërheqin udhëtarë të përgjegjshëm për mjedisin dhe të arrijnë sukses afatgjatë të biznesit të tyre. Në kushtet kur kërkesa për turizëm të qëndrueshëm do të vijojë të rritet, hotelet që implementojnë certifikimin miqësor me mjedisin do të pozicionohen më mirë në tregun në zhvillim.

Theksimi i praktikave miqësore me mjedisin mund të diferencojë ofertat e tyre dhe të tërheqë udhëtarë të vetëdijshëm për mjedisin strategjitë e komunikimit dhe të marketingut duhet të japin mesazhe të qarta se kompanitë e hoteleve janë të orientuara drejt të qenurit miqësor me mjedisin, të ofrojnë ushqime dhe pije natyrale dhe akomodim të shëndetshëm, të theksojnë se qëndrimi në një hotel të tillë është, në vetvete, një lloj sjelljeje mjedisore dhe të inkurajojë klientët të marrin pjesë në praktikat mjedisore gjatë qëndrimit të tyre. Industria e akomodimit duhet të ndërgjegjësohet së investimi në teknologjitë e gjelbra si energjia e rinovueshme, sistemet e ruajtjes së ujit dhe iniciativat për reduktimin e mbetjeve jo vetëm që mund të zvogëlojë kostot operacionale, por edhe të rrisë tërheqjen e hotelit për turistët e përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe të përmirësojnë eficencën operacionale në afatgjatë.

Gjithashtu, teknologjitë digjitale si ‘big data analytics’, ‘block chain technologies’, ‘internet of things’, ‘artificial intelligence dhe machine learning’ mund të jenë një mundësi e shkëlqyer dhe për biznesin e hoteleve, për të krijuar avantazh konkurrues në treg nëpërmjet transformimit digjital miqësor me mjedisin. Menaxherët e hoteleve duhet të shkojnë drejt implementimit të dhomave “smart” duke nënkuptuar një nivel totalisht të përmirësuar të akomodimit që mund t’u ofrohet klientëve, duke plotësuar dhe standardet më të larta në industrinë e hotelerisë.

Respektimi i parimeve të ruajtjes së mjedisit dhe praktikave miqësore me mjedisin gjatë gjithë procesit të zinxhirit të furnizimit për të mbrojtur mjedisin duhet të jetë një konsideratë tjetër për hotelet e gjelbra, duke i dhënë prioritet ushqimit organik, ushqimit nga produktet lokale, produkte dhe pajisje të tjera lokale. Brenda strukturës së akomodimit duhet të transformohet edhe funksioni i menaxhimit të burimeve njerëzore, i cili duhet të fokusohet në krijimin e aftësive të gjelbra.

Në këtë kontekst, ndërgjegjësimi i lidershipit dhe edukimi i vazhdueshëm i punonjësve është një nga detyrat më të rëndësishme për funksionimin e suksesshëm të hoteleve miqësore me mjedisin dhe kjo është fusha ku duhet të drejtohet investimi madhor për menaxherët e ardhshëm të eko-hoteleve. Në përfundim, ndërkohë që Shqipëria përballet me sfida të shumta në realizimin e potencialit të saj të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, mundësitë për rritje dhe zhvillim si një destinacion i dëshirueshëm turizmi miqësor me mjedisin janë të konsiderueshme.

Aktorët kryesorë të turizmit duhet të mendojnë seriozisht dhe të qasen për të krijuar domosdoshmërish parakushtet për përmirësime të mëtejshme të strukturave të akomodimit në turizëm, duke shpenzuar përgjithësisht më shumë përpjekje, kohë dhe investime për zhvillimin e objekteve hoteliere moderne dhe shumë më të sofistikuara, nga pikëpamja teknologjike në të ardhmen e afërt dhe duke implemetuar sisteme e praktika të menaxhimit që e mundësojnë qëndrueshmërinë, ruajtjen e burimeve dhe qasjen miqësore ndaj mjedisit./Gazeta Pamorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura