“Akt dhune i papranueshëm”- Ligjvënësi i PD shtyu Milva Ekonominë, reagojnë gratë deputete të PS: Cenon institucionin e Kuvendit! Sulm ndaj të gjitha grave

Oct 9, 2024 | 16:02
SHPËRNDAJE

Aleanca e greve deputete të PS ka reaguar pas një incidenti të ndodhur sot në Kryesinë e Kuvendit, ku deputeti Xhelal Mziu ka shtyrë kolegen e tij socialiste, Milva Ekonomi.

Sipas tyre, ky është një akt dhune i papranueshëm dhe i dënueshëm, që cënon institucionin e Kuvendit, por njëkohësisht është edhe një sulm ndaj të gjitha grave.

“Kuvendi është vendi ku qytetarët dhe e gjithë shoqëria presin të shohin nga ne modelin e parë të respektit, tolerancës, komunikimit civil dhe që luftojmë jo me forcën e muskujve por me forcën e argumentit”, thuhet ne reagim.

Sipas grave socialiste ‘akti i sotëm i dhunës ndaj një gruaje në politikë nuk është vetëm një sulm ndaj një kolegeje, por një sulm ndaj të gjitha grave që kontribuojnë dhe luftojnë për një shoqëri më të drejtë që respekton gratë dhe të drejtat e tyre’.

 

Reagimi

Ngjarja e ndodhur sot në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nga pamjet e regjistruara që tregojnë qartë kur deputeti Xhelal Mziu shtyn me forcë kolegen tonë Milva Ekonomi,  është një ngjarje e shëmtuar dhe e dënueshme.

Ky akt dhune është një sulm jo vetëm ndaj një kolegeje, por edhe ndaj parimeve që duhet të udhëheqin punën tonë. Kur ky akt i papranueshëm ndodh në ambientet e Kuvendit ndaj një deputeteje grua, është akoma më i rëndë pasi dëmton dinjitetin dhe të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave që ushtrojnë funksione publike dhe atyre që kontribuojnë në jetën politike e mbi të gjitha cënon standardet morale dhe etike të përfaqësuesve të zgjedhur.

Ky akt dhune cënon njëkohësisht edhe institucionin e Kuvendit, si një institucion ku duhet të tregohet me të gjitha format fryma e tolerancës, e respektit, e etikës ndaj kujtdo, e veçanërisht ndaj grave deputete. Kuvendi është vendi ku qytetarët dhe e gjithë shoqëria presin të shohin nga ne modelin e parë të respektit, tolerancës, komunikimit civil dhe që luftojmë jo me forcën e muskujve por me forcën e argumentit.

Si deputete të këtij Kuvendi kemi detyrimin të respektojmë ligjet dhe standartet që i kemi miratuar bashkarisht, të parashikuara në rezolutat e Kuvendit, si dhe të gjitha detyrimet ndërkombëtare të bëra pjesë e legjislacionit tonë, përfshirë Konventën e Stambollit, Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për përgjegjësinë tonë në luftën kundër dhunës ndaj grave, gjuhës së urrejtjes dhe intolerancës.

Ne, gratë deputete të Partisë Socialiste, anëtare të Aleancës së grave deputete të Kuvendit të Shqipërisë, dënojmë këtë akt të rëndë dhune, pasi akti i sotëm i dhunës ndaj një gruaje në politikë nuk është vetëm një sulm ndaj një kolegeje, por një sulm ndaj të gjitha grave që kontribuojnë dhe luftojnë për një shoqëri më të drejtë që respekton gratë dhe të drejtat e tyre.

LEXO EDHE: 

Bardhi replikon me Peleshin: Dhunuesit e shesin veten si viktimë! Kolegët e PS keqpërdoren për të provokuar! S’do ketë dialog me…

“U tejkalua çdo kufi me cenimin fizik të deputetes së mazhorancës”- Tensionet në Komisionin Hetimor, kreu i Grupit Parlamentar të PS: Kolegët e PD t’i rikthehen rrugës së arsyes!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura