Presidenti amerikan, Joe Biden ka reaguar për herë të parë nga Shtëpia e Bardhë mbi situatën në Siri dhe rrëzimin e Bashar al Assad.
“Më në fund, regjimi i Asadit ka rënë! Ky regjim brutalizoi, torturoi dhe vrau fjalë për fjalë qindra mijëra sirianë të pafajshëm”, shton ai.
Në fjalimin e tij pas takimit me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, Biden tha se ky është një moment mundësie historike për popullin e Sirisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
“Rënia e regjimit është një akt themelor drejtësie. Është një moment i mundësisë historike për popullin e shumëvuajtur të Sirisë që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e tyre krenar”, tha Biden në fjalën e Shtëpisë së Bardhë të dielën.
Biden u zotua të mbështesë fqinjët e Sirisë, përfshi Jordaninë, Libanin, Irakun dhe Izraelin, gjatë tranzicionit të pushtetit në Siri.
Ai thotë se SHBA-të do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri për t’i ndihmuar ata të shfrytëzojnë një mundësi për të menaxhuar rreziqet.
Kujtojmë se mediat ruse raportuan se Presidenti i rrëzuar sirian, Bashar al-Assad dhe familja e tij kanë mbërritur në Rusi dhe kanë përfituar azil politik.
Kishte shumë spekulime mbi vendndodhjen e Asadit pas raportimeve se ai ishte larguar nga Damasku përpara se rebelët të arrinin atje mëngjesin e sotëm, 8 dhjetor.
Rusia, një nga aleatët më të ngushtë të Asadit, konfirmoi më herët sot se ai ishte larguar nga Siria, por nuk tha se ku ishte, apo nëse Moska i kishte dhënë strehim.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al