“Akte fashiste”- Bllokimi i pikave kufitare mes Serbisë dhe Kosovë, reagon ministri i Brendshëm: Grupe ekstremistësh të maskuar kanë vepruar në sy të policisë serbe

Sep 6, 2024 | 22:39
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar për mbylljen e qarkullimit në pikat kufitare me Serbinë, në Bërnjak. Ai ka thënë se vendimi është marrë pasi njerëz të maskuar në Serbi kanë ndaluar qarkullimin e makinave dhe nuk kanë lejuar qytetarët.

serbi

Sipas Sveçlës, një familjes që po udhëtonte nga Kosova në Gjermani i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Këto akte ai i ka quajtur fashiste dhe  po ndodhin para syve të Policisë së Serbisë, të cilën e ka quajtur bashkëfajtore.

“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të papengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Edhe rrugët tjera në Serbi që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Merdar dhe Jarinjë, janë bllokuar pasditen e së premtes nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës.

Qytetarët serbë që janë futur në Kosovë nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë kanë thënë se po u kërkohen dokumente.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura