Akuzat se hodhi benzinë mbi socialistët në Kuvend, PS kërkon marrjen e masave disiplinore për Elda Hotin

Oct 18, 2024 | 11:18
SHPËRNDAJE

Grupi Parlamentar i PS ka bërë kërkesë që të merren masa disiplinore për dy deputetët demokratë, Elda Hoti dhe Petrit Doda.

elda hoti

Kërkesa, ku PS pretendon se dy ligjvënësit e PD-së penguan zhvillimin normal të seancës parlamentare, pritet të depozitohet pranë Sekretariatit të Etikës.

Elda Hoti u hodhi socialistëve një material të lëngshëm gjatë seancës. Ndërsa kryeparlamentarja Elisa Spiropali e përjashtoi nga Kuvendi duke pretenduar se i kishte rrezikuar jetën deputetëve duke hedhur benzinë.

Spiropali kërkoi që të hetohej nëse “materiali i hedhur ishte benzinë”. Pas përfundimit të seancës, ekspertët morën monstrat dhe do të dalë edhe rezultati se çfarë përmbante lënda e lëngshme.

Por, Elda Hoti pretendoi se kishte hedhur aromatizues në shenjë proteste.

SHKRESA E PLOTË

Në seancën plenare të datës 17.10.2024, deputetët e opozitës kryen veprime të përsëritura në shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetëve, duke penguar vijimin normal të procedurave parlamentare dhe duke shkaktuar situata të rënda që prekin integritetin institucional të Kuvendit të Shqipërisë.

Me nisjen e seancës, deputeti i opozitës Petrit Doda bllokoi foltoren duke përdorur objekte të sallës plenare, konkretisht karrige, me qëllim për të mos lejuar zhvillimin e diskutimeve mbi çështjet e rendit të ditës.

Deputetja Elda Hoti, me hyrjen e saj në sallë, ndërmori veprime të ngjashme dhe përdori gjuhë fyese ndaj deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në kundërshtim me Kodin e Sjelljes së Deputetëve.

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura për rikthimin në rendin e ditës, situata u përkeqësua kur deputetja Elda Hoti dhe deputeti Petrit Doda, me veprimet e tyre të papranueshme dhe potencialisht të rrezikshme, nxorën nga çantat shishe të vogla të dyshuara me lëndë të rrezikshme dhe i derdhën ato në ambientet e sallës plenare, duke cënuar sigurinë fizike të të pranishmëve. Garda e Republikës ndërhyri për të neutralizuar situatën, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të një incidenti të mundshëm.

Deputetja Elda Hoti i mori kartën nga pajisja elektronike deputetit Petro Koçi gjatë fjalës së tij duke mos e lejuar deputetin të përfundonte fjalën. Ky veprim u përsërit nga deputetja Hoti edhe ndaj deputetit Eduard Shalsi.

Sjelljet e deputeteve janë në kundërshtim të qartë me normat dhe procedurat e përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës parlamentare.

Kuvendi, si institucioni më i lartë ligjvënës në vend, ka një rol të pazëvendësueshëm në garantimin e demokracisë dhe respektimin e procedurave parlamentare. Çdo akt që cenon integritetin e tij, përfshirë veprimet e deputetëve që pengojnë me qëllim zhvillimin normal të seancave plenare dhe përdorin gjuhë apo sjellje të papërshtatshme, duhet dënuar me forcë.

Sa më sipër, bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 pika 1 gërma a) dhe pika 6

dhe 7, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar. Nenit 3, gërma dh) dhe ë), nenit 6, nenin 8, pika 2 gërma b) dhe nenit 33 i Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:

– Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Petrit Doda, Elda Hoti.

-Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.

b17c504d-1c8f-4172-a697-448427aabe19

29ca0c73-cb81-4210-a172-9f30b78117eb

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura