Tërheqje muskulore në bicepsin femoral (pjesën mbrapa të kofshës së majtë)”. Ky është përfundimi i ekzaminimeve të bëra nga mbrojtësi i Interit, Benzhamë Pavar dhe Simone Inzagi duhet që ta “përshëndesë” për një muaj.Dëmtimi i 11-të sezonal në këtë sezon për Interin ka çuar në bokse francezin, i cili u largua nga fusha e lojës në minutën e 44-t të sfidës kundër Lajpcigut në “San Siro”. Ish-lojtari i Bajernit për aq minuta sa qëndroi në fushën e lojës vuajti shpejtësinë e Opendas deri sa muskuli i tij bëri krak. Gjithçka ndodhi pak përpara fundit të pjesës së parë. Një lajm aspak pozitiv për Inzagin që tani duhet t’i bëjë llogaritë me lojtarët që ka në dispozicion, të paktën për një poker ndeshjesh. Mbrojtja ka qenë në telashe gjatë kësaj periudhe.
KUR RIKTHEHET
Mund të themi me plot bindjen që Pavar do të humbasë ndeshjen e së dielës kundër Fiorentinës më 6 dhjetor, ndeshjen me Parmën më 6 dhjetor dhe duelin në Champions kundër Bajer Leverkusenit më datën 10 dhjetor. Ai gjithashtu nuk do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj Lacios që do të luhet pak ditë më vonë. Në objektivin e francezit mund të jetë dueli me Komon përpara Krishtlindjeve, por nisur edhe nga fakti që Interi do të luajë në Superkupë në ditët e para të janarit, Inzagi ka mundësi që të mos e rrezikojë deri sa të jetë 100% i rikuperuar. “Gjendja e tij do të vlerësohet javën e ardhshme”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Kjo do të thotë që ndalesa e Pavarit nuk është e vogël dhe sigurisht që pas asaj të Açerbit peshon dyfish. Të tjerët që janë në dispozicion të trajnerit Simone Inzagi duhet që të shtrëngojnë dhëmbët dhe të bëjnë kujdes sepse alternativat janë të pakta. Fati i Interit është që Bisek po kalon një formë shumë të mirë dhe lojtarët si Darmian dhe Karlos Augusto mund të luajnë në mbrojtjen me tre. Braziliani e ka bërë këtë gjë në këtë sezon, ndërsa italiani u aktivizua më së shumti në vitin e finales së Championsit. Në dy sezonet e fundit është përdorur vetëm në krah. Dumfris është në superformë dhe Darmian qetësisht mund të luajë si qendër e djathtë.
11 DËMTIME
Problemet muskulore kanë filluar që të bëhen një problem i madh dhe i mërzitshëm për trajnerin Simone Inzagi. Që nga faza përgatitore e kampionatit dhe deri sot, Interi ka pasur 11 dëmtime të tilla. Açerbi dhe Çalhanoglu janë dëmtuar disa herë, ndërsa më të rëndat kanë qenë ato të Augustos, Barelës dhe Zielinskit. I fundit në listë është Pavar. Është dëmtimi i 11-të muskulor i sezonit. Taremi gjithashtu ka qenë i dëmtuar edhe Dimarko me Lautaron. Edhe Asllani ka pasur probleme, por në gju dhe jo në muskul.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al