Të qenit një prind i vetëm në rritjen e fëmijës sigurisht është një rrugëtim i vështirë. Duhet dije, mirëqenie ekonomike, forcë karakteri dhe shumë kohë e vullnet për t’ju përkushtuar fëmijës e për ta përgatitur atë për jetën.
Çdo ditë e jetës së fëmijës përbën një ngjarje të re, ku prindi duhet të jetë gjithmonë gati. Jemi mësuar të shohim zakonisht nëna që i rrisin të vegjlit e tyre të vetme shpesh duke punuar disa punë për t’u përmbushur atyre çdo nevojë.
Megjithatë, edhe pse më rrallë ndodh edhe ndryshe, kur një baba bëhet prind dyfish për të voglin e tij. I tillë është portieri i Partizanit Alban Hoxha, një hero tashmë jo vetëm në fushën e lojës për të gjithë fansat, por një hero edhe për Bekon, djalin e tij 2 – vjeç e gjysmë që po e rrit me plot përkujdesje dhe dashuri.
Kështu kishte qenë e shkruar, që bashkëshortja e Albanit, Doriana, me të cilën ishte lidhur që i fare i ri, të merte frymën e saj të fundit për shkak të një komplikimi shëndëtsor, disa ditë pas lindjes së fëmijës së tyre të parë.
Albanit ajo i la pas një dashuri të madhe, një pjesë të sajën, nje krijesë te ciles ai do i dedikonte jetën në vazhdim. Sot pas dy viteve, Albani ka ditur të rigjejë forcën e të pranojë fatin e tij të trishtë me Dorianen, por edhe bekimin e tij, Bekon e vogël e të jetë një prind i mirë për të.
Albani ka arritur të përjetojë ndjenjen më të madhe të dashurisë përmes të birit. Ditët kalojnë, por vëmendja nuk shkëputet asnjëherë prej djalit i cili duket se ka trashëguar cilësitë më të mira të dy prindërve. Portjeri i njohur na fton në fushën ku stërvitet çdo ditë në Petrelë, teksa ndan me ciltërsi dhe emocion rrugëtimin e tij jetësor deri tani, ëndrrat që ai thur për të ardhmen e Bekos dhe jetës së tyre bashkë në vazhdimësi.
Pavarësisht se nuk e kishte menduar të qenit vetëm në prindërimin e Bekos, fati kështu deshi për të dhe Albani e ka pranuar këtë tashmë. Ai tregon për atë dashurinë dhe dëshirën e madhe që kishte që herët për t’u bërë baba, pritjen e ëmbël të Bekos nga të dy bashkëshortët.
Edhe pse gjendet në çdo moment dhe përpiqet të jetë prezent në jetën e djalit, përkushtimi në futboll, stërvitjet, ndeshjet dhe angazhimet me ekipin nuk ja lejojnë që Albani të merret 100% të kohës me djalin. Fatmirësisht, nëna e Albanit është një ndihmesë e paçmuar në rritjen e nipit, ardhja në jetë e të cilit e ka gjallëruar dhe lumturuar.
Të qenit një lojtar shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm i futbollit shqiptar dhe i angazhuar maksimalisht në këtë pjesë, nuk e ka penguar Alban Hoxhën të jetë një baba i mirë. Ai arrin të menaxhojë kohën që t’i përkushtohet profesionit dhe ta rrisë të birin siç duhet, duke synuar vazhdimisht më të mirën për të.
Megjithatë edhe pse sot Albani ka superuar mbi përplasjet e fatit dhe është munduar ta rigjejë gëzimin për jetën bashkë me Bekon, ai e pranon se në ditët e para të humbjes së bashkëshortes, teksa u gjend me një krijesë të bukur ndër duar, u ndje në udhëkryq. Nuk kishte një përgjigje ndaj asaj që po ndodhte asokohe dhe si duhet ta bënte rolin e prindit, por forca e tij e karakterit dhe dashuria për djalin bëri që gjithçka të rridhte natyrshëm dhe ai ta shijojë shumë të qenit baba. Albani tregon se edhe prindërit e ish – bashkëshortes kalojnë kohë dhe gëzojnë me nipin e tyre.
Fëmijët janë dhurata më e madhe e natyrës, ata i tregojnë kujtdo domethënien e dashurisë pa kushte. Ata krejt pa e kuptuar i nxisin prinderit të ndjejnë më shumë, të duan më shumë dhe të përkujdesen për dikë tjetër më shumë se për veten. I vetëm apo jo, të paturit fëmijë është bekim ndaj kushdo duhet përkrahur e jo gjykuar për këtë zgjedhje. Albani, e plot burra të përkushtuar dhe gra të guximshme, në Shqipëri dhe në botë, i dalin vazhdimisht për zot kësaj sfide, duke e bërë botën më të mirë me dashurinë që projektojnë
Tv Klan
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al