Albin Kurti rrit pensionet 5 herë më shumë se Edi Rama!

Oct 11, 2024 | 7:38
SHPËRNDAJE

Xhevat MustafaXHEVAT MUSTAFA

Mediat e Kosovës, ato proqeveritare më me zë të lartë e ato filoopozitare me zë të ulët apo si me vete, njoftuan se qeveria e Albin Kurtit vendosi më 7 tetor 2024 për rritjen e pensioneve nga 1 janari 2025 me rreth 20%! Siç sqaroi vetë Kryeministri Albin Kurti, do të rriten me 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

Ai theksoi se, “Te këto kategori, për familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të zhdukurve të UÇK-së, që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur tjetër që ka familja e jo të rritet me nga 20% apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civilë, ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50% të pensionit bazë”.

Pra, hiqet dorë nga praktika e përdorur nga qeveritë e mëparshme të partive në opozitë prej më shumë se 3 vjet e gjysmë, domethënë nga LDK, PDK, AAK, AKR, Lista Serbe, me rritje në rreth 10-20% për familjet e dëshmorëve e të zhdukurve! Nga ana e tij, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky ndryshim prek një numër prej 304,016 përfitues që do të ndikohen nga kjo rritje, ndërkaq impakti i tërësishëm buxhetor për tërë vitin fiskal parashihet të jetë në shumën prej 100 milionë euro shtesë.

E megjithatë, kapur fort tek aspekti kohor se kjo rritje e ndjeshme pensionesh përfitohet nga pensionistët e Kosovës rreth 6 javë para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, liderë, politikanë, deputetë dhe publicistë… opozitarë, me paga 5-10 herë më të larta se sa pensionistët, filluan, si në një kor korbash e sorrash, të ankohen përse ky akt u ndërmor nga Qeveria ‘Kurti’ më 7 tetor 2024 e jo 6-12,24… muaj më herët?! Këta bëhen edhe jo seriozë e të papërgjegjshëm, edhe qesharakë, edhe më tepër të pabesueshëm, ndoshta edhe nga njerëz të familjeve të tyre, përfitues nga kjo rritje e re e pensioneve. Sidomos, për faktin se bëjnë sikur “harrojnë” se çfarë kanë bërë vetë kur ishin në pushtet, për mbi 20 vjet apo se kjo, fatkeqësisht është traditë apo përvojë me shtrirje botërore e ndodh jo rrallë edhe në vende me demokraci të përparuara e të konsoliduara!?

Bile, edhe gjatë 10 muajve të vitit 2024 nga Joe Biden e Kamala Harris në Uashington, që nuk po lënë mënyrë e formë pa përdorur për të fituar mbi Donald Trump! Këtë ka kohë që po e bën, duke pasur si parësore edhe traditën dhe praktikën e votablerje-vjedhjes me shumicë, edhe Edi Rama me tufat e tij partiake e qeveritare si dhe me ushtritë me shtim të vazhdueshëm, të pajustifikueshëm e të paligjshëm të administratës dhe të patronazhistëve!? Neve këndej nga Shqipëria socialisto-rilindase, kujtesa dhe rëndimi këputës në mes i kuletave dhe xhepave, na çuan ndërmend se edhe Edi Rama ua rriti (indeksoi) pensionistëve në Shqipëri pensionet… me 4.1% më 1 tetor 2024, që koincidoi edhe me Festën Kombëtare të Kinës “motër të Enverit”! Për të kuptuar se si mashtrohen pensionistët në Shqipëri me këtë indeksim në 4.1%, kur rritja e çmimeve të përditshme ushqimore është në rreth 10%, ndihmojnë rritjet e vërteta të pensioneve gjatë vitit 2024 në disa vende të Ballkanit, për të mos shkuar më larg. Kështu, Mali i zi – 52%, Maqedonia – 80 euro, Serbia – 14.5%, – Kosova – 20%. Për një bindje më të saktë e më të plotë se indeksimi i 1 tetorit 2024 me 4.1% është një mashtrim i ri apo i radhës nga Rama-qeveria, ndihmojnë edhe këtë shifra e fakte. Pensioni bazik apo minimal social në Shqipëri më 2023 ishte 8.800 lekë.

Pas indeksimit më 1 tetor 2024, me 4.1%, do të shkojë në rreth 9.300 lekë. Pensioni mesatar në Shqipëri ka shkuar në 18.341 lekë ose rreth 185 euro me rritjen 4.1%. Se sa poshtë apo larg edhe vetëm Kosovës jemi na e bëjnë të qartë edhe këto dy shifra. Pensioni bazik i moshës apo minimal në Kosovë është 120 euro, ose rreth 25 euro më shumë se në Shqipëri. Pensioni mesatar në Kosovë, me rritjen e dt. 7 tetor 2024, që fillon nga zbatimi më 1 janar 2025, do të jetë 320-350 euro ose 75% – 100% më shumë se në Shqipërinë e Rama-qeverisjes.

Ndoshta pensionistëve në Kosovë, me të drejtë u duken fare pak 4.1% ose rreth 400-1000-15.000 lekë ose 5-10-15 euro shtesë në muaj për bashkëkombësit e bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri, të cilët, me një dozë humori, kur shikojnë e dëgjojnë nga ekranet e televizorëve, i kanë zili, sepse jo vetëm nga shiu, janë përmbytur këto vite edhe nga shumë bume nga Rama-qeveria… Vërtetë rritja mashtruese e pensioneve në Shqipëri është saktësisht 5 herë më pak se sa ajo e sinqertë e Albin Kurtit për pensionistët në Kosovë! Po, merret me mend arsyeja! Shqipëria, edhe pse shtet prej 112 vitesh “nuk i ka mundësitë ekonomike, financiare, sociale…” të Kosovës!

Nga ana e saj, Kosova “është shtet më i zhvilluar dhe shumë më i pasur se Shqipëria…!”. Shqipëria ia kalon Kosovës vetëm për sipërfaqen e përgjithshme, për shifrën e popullsisë, për dy detet, për bume turistikë me fitime sa një simite në ditë, për… korrupsion! Ah, po, për pak desh harrova: edhe për… pasjen e dy qeverive: njërën në liri, në Kryeministri e ministrira e tjetrën nëpër burgje e qelira! Edhe për shtatlartësinë dhe jetëgjatësinë në post të kryeministrit! Edhe për qenien e tij “piktor pa kryevepra”, ish-basketbollist në pjesën më të madhe stoli, pas daljeve të shpeshta nga lojërat me 5 kartonë; bashkëthemelues me Aleksandar Vuçiçin i “Open Ballkan”- ”Ballkani i hapur” ose “Ballkani nën hegjemoninë serbe”…!

Edhe për ndierjen dhe veprimet e tij, ndryshe nga Albin Kurti e Vjosa Osmani, si lider përtej shqiptar, përtej rajonal…, si profe sor edhe me profesorë…!? Me një dozë më të fortë humori: bobo, pas rritjes në Kosovë të pensioneve me 20% nga Albin Kurti, do të bëhet xheloz Edi Rama e për inat të tij, siç ka dëshmuar shpeshherë për arsye e motive politike, do ta shtrijë hakmarrjen e tij edhe në fushën sociale, duke i rritur pensionet në Shqipëri deri në… 200%! Po të na e bëjë këtë “gjëmë”, na mbetet të ulërijmë deri sa të dëgjohet edhe në Surrel e më larg, në Bruksel: Mjerë ne si do t’i harxhojmë gjithë këto lekë shtesë…!

Për më keq, kur, sipas një “tradite tashmë të moçme”, disa ditë para fillimit të tërheqjes së pensioneve me shumën “marramendëse” të rritjeve, nëpër supermarkete, dyqane, kioska, tregje trotuaresh… nisin turravrapin drejt majave të reja, edhe çmimet e artikujve ushqimorë, të higjienës, kozmetikës, farmaceutikë, të shërbimeve…!

Merret me mend se këto do të na i bëjnë të pavlefshme e të pandjeshme “rritjet e shpeshta stratosferike” të pensioneve nga Edi Rama, që “nuk bën të dytë nana”, sidomos për “vota-vjedhjeblerje”; për të ngritur kulla kanabisi 20-50 katëshe edhe mbi sheshe, teatro e lulishte; për të sajuar bume e suksese në letra; inceneratorë në mendje apo që më shumë ndotin se sa pastrojnë; “për t’ua lehtësuar” bijve e bijave të Shqipërisë rrugët e emigracionit drejt Italisë, Gjermanisë, Anglisë…! Në këto kushte, kur qeveria i persekuton financiarisht si shtresë njerëzore, duke mos iu marrë parasysh kontributet jetësore e kërkesat e shumta të moshës, kur i mashtron sy më sy me nga një thelë bukë thatë apo lugë gjysmake me reçel fiku në ditë, çfarë u mbetet pensionistëve në Shqipëri?

Të bëjnë të “të pabërën”, edhe ata gjithë jetën “të majtë”, që e kanë të rëndë ta mendojnë që ta shqetësojnë dhe zemërojnë qeverinë e partisë së tyre të zemrës. Domethënë, të dalin rrugëve e shesheve si fëmijët e kopshteve dhe çerdheve e jo si opozitarët demokratë të Sali Berishës, Ilir Metës… që të protestojnë për rritje të vërteta, të ndjeshme, të përjetueshme, dy shifrore, pse jo edhe dyshifrore pensionesh, sidomos për ata që i kanë minimale! Natyrisht, duke iu shmangur flamurëve, parullave, pankartave, figurave politike partiake, fjalimeve me frazeologji e tone mitingjesh partiake…! Pra, të mbushin rrugë e sheshe në protesta si pensionistë, familjarë, qytetarë, si frymorë që kanë të gjitha të drejtat të ndjehen e jetojnë si njerëz! Përfshirë edhe “luksin” që të bëjnë nga 1 herë në 2-5 vjet edhe 7-10 ditë pushime verore në një plazh, në një dhomë apo apartament të vogël e me qira të ulët apo të përballueshme nga kuletat e tyre të lehta! /Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura