Aleksandër Moisiu dhe misteri i unazës me brilantë! Kush është Marta, gruaja e cila jetonte vetëm për të gjetur të vërtetën e vdekjes së shkrimtarit të madh

Nov 1, 2024 | 12:57
SHPËRNDAJE

aleksander moisiu

Pirro Loli *Mjeshtër i Madh

Shkrimtari dhe regjisori hungarez Xhorxhio Presburger, në vitet pesëdhjetë kishte dëgjuar në radion hungareze një recitim të Aleksandër Moisiut. Kishte mbetur i mahnitur nga ai zë dhe në respekt të atij aktori, hulumtoi gjerësisht dhe shkroi dramën “Heroi i skenës, fantazma e dashurisë”. Personazhet kryesorë rreth Aleksandër Moisiut i përfytyron si fantazma shekspiriane që shënuan kulmet e vlerave dramatike në teatrin evropian. Drama u shfaq me sukses të jashtëzakonshëm në disa qytete të Italisë. Unë ndoqa famën e aktorëve më të mëdhenj që, njëkohësisht, ishte dhe rruga për të gjetur unazën e famshme të vlerave të vërteta artistike. Që ishte kthyer në simbol misterioz kush do ta fitonte si mollën e artë të mitologjisë, mbetur si “molla e sherrit”.

MISTERI

Është fjala për unazën e famshme të Inflandit … Kishin kaluar dy lufta botërore dhe akoma nuk dihej ku ka përfunduar kjo unazë. Ishte e lidhur me historinë e teatrit më të madh në skenat botërore të artit dramatik – Vjenë, Berlin, Pragë, Moskë, Trieste, Brazil etj. Në këtë hark të artë të teatrit evropian duhet të ishe ar i vërtetë, gur i çmuar për të futur këmbët në ato skena. Unaza lidhej me emra të mëdhenj të teatrit, e përgojohej si simbol i kryeveprave e deri te kritika e arsyes së kulluar e Kantit e te poetë si Fridrih Shiler. E mira dhe e bukura sipas Kantit janë motive kategorike të arsyes, por kjo, duke u endur nëpër kufijtë e vetvetes, mjerisht rrëshqet në errësirë. Dhe ja, një ditë mrekullia e arsyes përfaqësohet nga një poet 20- vjeçar si Shileri dhe nga një aktor 20-vjeçar si Inflandi, të dy në personazhin më energjik të artit evropian – FransMooritte drama “Tregtari i Venetikut”…

Inflandi, miku më i afërt i Gëtes dhe i Shilerit, në krye të një teatri me 300 aktorë, një ditë thirri një argjendar të shquar dhe porositi një unazë me portretin e tij (2×2)cm., rrethuar me brilante të rrallë. Kjo unazë, më të vlefshëm se brilantet e saj, do kishte një amanet, – ajo duhet të kalonte nga një epokë në një tjetër, te aktori më të madh i gjuhës gjermane. E kështu sytë e tij të zjarrtë do binin në sytë e gjithë botës mbarë, jo aq për sytë e bukur se sa për artin e madh skenik. Por në presidiumin e vlerave artistike gjithmonë e gjithkund fryjnë erëra të trazuara bërrylash për njeri tjetrin e shpesh shoqërohen edhe me smira të mprehta, kurthe prapaskenash e solidaritete hipokrite. Flitej se në fillim unaza i ishte dhënë një aktori pijanec, Devrientit, mik i Gebelsit hitlerian të cilit, dhe djersët i kullonin gjak nga gjaku i mijëra hebrenjve. Ishin kohë të zymta mbi Evropë – Gjermania e Shopenhaurit u shpërbë.. ashtu si u shpërbë bota dhe në Luftën e Dytë – skenë tragjike me gjak milionash, kaos, shkatërrim, katastrofë globale. Aktorët e teatrit, tani dhe të filmit, janë esenca dhe kronika reale, historike dhe artistike të kohës së tyre.

***

Edhe pas 70 vjetëve unaza enigmatike kishte kaluar në duart e dy aktorëve të tjerë, e fytyra e Inflandit e derdhur në unazë, sa herë që qëndronte në dorën e ndonjë aktori të shquar, rastësisht apo fatalisht, ai duhet të vdiste. … Meritë, kjo, apo mallkim hyjnor për të ndëshkuar padrejtësinë ose vlerësimin subjektiv të artit si sëmundje kronike e pa shërueshme!? Kështu kishin ikur njeri pas tjetrit aktorët e shquar Kainic, Matkovski dhe Xhirodini. Marta, e vluara e Moisiut, që jetoi shumë vjet pas tij, deklaronte se jetonte vetëm për të gjetur të vërtetën e vdekjes së Moisiut dhe të unazës origjinale. Misteret rreth unazës shtoheshin duke shpërhapur një revolucion nervash. Unaza e famshme është përfolur se na qenkësh dy dhe tre kopje në emra të njohur të skenës si, Baserman, Kainc, Dervient, Benas, Haase etj. Për të, si me kombësinë e A. Moisiut, ishin të interesuar kryetarë shtetesh deri te shtabi fashist i Hitlerit. E vërteta dhe fundi i unazës e shtoi edhe më misterin. Sepse, dikush kërkoi nëpër varre aktorësh, dhe e kishte gjetur në gishtin skelet të njërit, dikush e hodhi në zjarr e dikush dha urdhër të nxirrej nga flakët dhe…

Një shtjellje a tillë nervash tregon agoninë e aktorëve të shquar, e pas tyre dhe egoizmin e politikës italiane, austriake, gjermane a shqiptare. Egoizmi në sferat e artit dhe të letërsisë përbën edhe imazhin e pamerituar të vetvetes. Të vegjëlit zhurmojnë më tepër. Dihej se dy unaza kishin qarkulluar. Njëra glorifikonte. Tjetra vriste…

MOISIU DHE KAINC-I

“Tartufi” i Molierit me aktorin e famshëm Jozef Kainc, kishte tronditur Vjenën duke u kthyer në një qenie errësire me atë hipokrizi aq të pështirë. Në atë shfaqje A. Moisiu luante si figurant. Gjatë të gjithë shfaqjes Moisiu i kishte ngulur sytë te Tartufi Kainc në një mënyrë krejt të çuditshme.

“-Pse më shikoje ashtu ? Përgjigju!-Nuk di të jetë e ndaluar të shohësh Tartufin në sy, i tha Moisiu.-E di ti kush jam unë?-Po, e di shumë mirë. Ti sheh tek unë Tartufin, – Unë shoh gjithçka në thellësinë e syve të tu. Shoh fëmijën që ka lindur të krijojë dhe të shkatërrojë, shoh fëmijën e tmerrshëm e të gëzuar të mitologjisë së lashtë, shoh Dionisin…Së shpejti forca jote e llahtarshme do të mbërrijë në Vjenën plakë…Dëgjo këtu, ti çdo ditë do të marrësh disa mësime nga unë. Ti do të bëhesh shpëtimtari i teatrit vjenez e gjerman që ka filluar të bjerë…Këta këtu më quajnë mua aktor nervash, “të sëmurë”, sepse unë interpretoj me gjithë qenien time, me të gjitha pejzat e trupit tim. Unë do vdes shpejt nga ndjeshmëria e skajshme, e ndjej, o Aleksandër i madh…Edhe mua më quajnë Aleksandër”, tha shqiptari i madh.-E di, ai pushtoi botën, por ti tani je vetëm zot i një shkretëtire. Ti do të bëhesh fitimtar i dyfishtë. Por kujdes!, I vetëm nuk je asgjë, me mua do bëhesh Aleksandër i Madh. Unë kam luajtur për mbretin, Ludvig të Bavarisë, ai u çmend pas meje dhe më trajtonte si aktor personal…

(Njihet fakti se mbreti e urdhëroi Kaincin të luante vetëm për atë në një sallë bosh… Një herë tjetër e mori me vete dhe e çoi në një mal në kufi të Zvicrës për të luajtur një skenë nga Vilhem Teli i Shilerit. Mbreti i bërtiste aktorit- interpreto! Ulëri! Ja teksti , ulëri! Ishte “mbreti” i Shilerit që kërkonte të vdiste, pre i një hakmarrjeje popullore… Dhe Kainci i bërtiste Moisiut , ulëri, ulëri Moisi atë këngën e madhe të lirisë, fol fort me të gjithë trupin – fol! Aleksandër, Vjena po të pret..

Kjo skenë e pabesueshme në historinë e artit dramatik, do të luhej në një stuhi shiu me shkreptima. Kainci riprovonte veten te Aleksandri…Vramë, i thosh! Unë të dua vrasësi im…vrasësi im i bukur!, o popull, ! o Popull i ndyrë, vramëni! Nëse ti nuk më vret unë të mallkoj! E di që gjermanishten e shqipton keq, por zërin e ke të tmerrshëm. Unë Jozef Kainc, u bëra mbret i teatri gjerman, trashëgimtar i mundshëm i Unazës së Inflandit . Ti je aktori më i përshtatshëm në botë që mund të luash rebelin, ti je rebel i lindur…Ti ke energji të pashoqe për të luajtur atë që humbet, sytë e tu të mëdhenj janë prej zjarri, zërin e ke të pa parë, magjik, qiellor, dhe flokët e egër ti kreh era…Ato rrudhat e ballit tënd janë rrudhat e botës, ti ndjen turmën siç e ndjej unë, edhe detin …Mos harro, dikur s’kishe të haje drekën, tani je Hamleti dhe Fausi i botës; ty të pëlqen më shumë Ferri se sa Kopshti e Edenit…I dëgjon bubullimat? Ruaju nga e keqja ajo vjen shpejt si flakërimë dhe, nëse nuk e përballon dot, sytë e tu verbohen…Regjisori tjetër i shquar, Njuman, i pat thënë “ti do të jesh një Kainc i ri , një Matkovski i ri ose një Infland i ri”…Matkovski në konkurrencë me Kaincin për unazën vret veten. Kainci vdiq para kohe. Skena e madhe e teatrit vjenez e gjerman po hapte perden për një regjisor tjetër të madh, e ai erdhi dora dorës me Aleksandër Moisiun. Dhe i tha ”Tani është radha jote, Aleksandër”.

Ishte ai, i famshmi, Rainhardi. Erdhi në teatrin e madh gjerman pas vdekjeve të mëdha, erdhi me Aleksandër Moisiun. Të dy merrnin dritë nga njëri tjetri. Ose pa njërin, as tjetri nuk do ishte ai, i madhi. Regjisori kishte vite që e njihte Moisiun. Që kur, të dy ishin shumë të rinj, Regjisori e kish treguar me gisht aktorin dhe kish thirrur fort “Hej, zotërinj ky është aktori”. Pas dhjetë vjet bashkëpunim, të dy ishin bërë të njohur e të famshëm në të gjithë Evropë. Me këtë regjisor Aleksandër Moisiu interpretoi rolet më të mëdha si, Hamletin dhe Makbethin e Shekspirit, Faustin e Gëtes, Fantazmat e Ipsenit, Kufomën e gjallë të Tolstoit, Kopracin e Molierit, Franc Moorin etj, etj. Pas 200 vjetësh nga vdekja e Dantonit, Rainhardi vuri në skenë “Vdekjen e Dantonit” e me Moisiun i dha botës fytyrën e revolucionit francez – ndërkohë që bolshevikët bënë një tjetër revolucion vampir(1917). Kështu kjo dyshe të talentuarish, i tregoi njerëzimit se teatri është pulsi shoqërisë së civilizuar, është i gjithkohshëm, për sot, për dje, e për nesër. Ka një rast domethënës midis regjisorit dhe aktorit…(Duhej të luhej Edipi në Moskë. Aktori Edip, Basermani, ishte i sëmurë dhe regjisori caktoi Aleksandrin. Nuk e afroj dot tek vetja mëkatin e Edipit, i tha aktori regjisorit – unë nuk dua ta njoh atë mëkat. Nuk jam as Kainci, as Matkovski , që luanin gjithçka. Koha është vërtet e shkurtër, tha regjisori, por unë jam i sigurt se me ty Edipi do të jetë shfaqja e shekullit. Përfytyro, vetëm kori është 100 vata. Dhe atje , mund të japim shumë shfaqje. Tundu, Moisi, Edipi do ketë vetëm fytyrën tënde.

Edipi e ka shkruar në ballë mëkatin e tij – është borgjezi dhe fshatari i varfër, bankieri dhe mbreti, është artisti përballë të keqes fatale që e përndjek njeriun që nga lindja…Dëgjo Aleksandër Moisi, mbaje mend, po ia dole mbanë me këtë Edip, siç e përfytyroj unë, të betohem që unazën e Inflandit nuk do ta marrë askush tjetër…Dy aktorët më të mëdhenj të Evropës folën gjithë natën për Edipin. Në thelbin e Edipit ata gjetën gjeninë e Dostojevskit, shkrimtarit të madh rus që dhimbjet e personazheve i kish provuar të gjitha në trupin e vet. E keqja, mëkati, plaga, ekzistojnë. Dhe për krijuesin është e domosdoshme t’i shohë në sy, t’i ndjejë në trup. Në Moskë A. Moisiu u bë Edip, ose njeriu që kërkon një krim të vjetër dhe e gjen te vetja. Si aktor ai e përjetonte plagën që luante dhe me krenari profesionale thoshte, ”Mua më pëlqen të shikoj brenda vetes sepse aty gjej botën”. Fataliteti i Edipit i mëson njeriut se një gabim, faj apo incident fatal, jo vetëm që duhet njohur, por dhe duhet përballuar. Edipi i Moisiut tronditi Moskën, monologu dhe finalja mbahen në analet e teatrit si perla të fjalës artistike.

“Oh, oh! lermëni të takoj nënën…!” Me këtë ulërimë të çjerrë, alarmante dhe energjike, bëri skenën të drithërohej. Ai rënkonte, lëngonte, sikur i ishte plagosur shpirti. Nëpër duartrokitjet e pa fund dhe ngashërimeve të pa para, Moisiu i Edipit arrin kulmin e pa përshkrueshëm kur, pasi njohu fajin me ulërimat e një ujku të plagosur, kërkon të çlirohet disi, them disi, se ka krime gjaku që nuk mund të shlyhen pa një vetëndëshkim kapital – dhe ja Edipi nxjerr shtizën dhe pa iu dridhur dora, çan sytë e tij të zjarrtë. Salla e ngritur më këmbë mban frymën, dikush qan me zë – në fytyrën e Edipit tani dallohen dy gropa të zeza e nëpër faqe dy vranga gjaku akoma të pa ngrira… Ai hedh dy tre hapa me krahë hapur rrotullohet pa parë asgjë. Edipi kish rënë në natën e përhershme.

EPILOG OSE DRAMA E DRAMËS

Dhe prag-vdekja e Moisiut u luajt si finishi i një drame spektakulare.. Aktori me famë botërore dergjet i sëmurë përpara një piedestali të bardhë, që duket si projekti i një monumenti. Në krematoriumin e Vjenës kishte zgjatur kthetrat vdekja. Ai rënkon thellë, flet përçart, e përpëlitet nga ethet e forta. Zjarrmia e ka zhytur në një kllapi të rëndë me një temperaturë të rrezikshme. Dëgjohet frymëmarrja e tij e ndërprerë e hera herës copa fjalës me një tingëllimë të çuditshme buzëve të plasaritura nga ethet…– Dikush tha: “Ai po interpreton rolin e një avokati nga drama “Papagalli jeshil” Oh, oh! Lermëni të takoj nënën…! Marinarë, hidheni spirancën… Arritën në tokën e zjarrtë…Pse heshtni ju?…Kjo është skena e vdekjes sime…Joana, mos më qaj! Dhe ti Marta je këtu?”

Po binte një heshtje, e rëndë. Ai po reciton së thelli me forcat e fundit të shpirtit, me një tingëllimë të tmerrshme. Pëshpërima të prushta nëpër buzët e gjakta… “Besoj në forcën e fjalës, besoj në fuqinë e vizatimit, …ashtu si Mikeanxelo, Rembrandi.., dhe magjinë e muzikës besoj tek e bukura” … Ah, Ve-necia, ah Du-rrë-si im! Du-rrë- si. Dhe vdekja nuk vonoi. Ajo ra e qepallat e syve të zjarrtë u mbyllën si krahët e perdeve të rënda të teatrit gjerman.

Për kuriozitet: – Ato ditë Duçja vendosi shtetësinë italiane të A. Moisiut… Toka jote po të pret, lexoi një zëdhënës i tij. … po shumë vonë , shumë. Nxitoi dhe Adolf Hitleri për të nderuar aktorin e madh (gjerman siç e quan ai) Dërgoi telegram dhe Mbreti Zog,- ”Nderimet e mia të fundit Aktorit të famshëm shqiptar A. Moisiu. Finishi i unazës u luajt si nga një kamer televizive – Drejt flakës që kishte përfshirë kufomën e Aleksandrit, u zgjat një dorë që vërviti në mes të flakës unazën e famshme. Ishte dora e aktorit të shquar, Beserman. Ose e Rainhardit që qe shprehur se kjo unazë i takon vetëm aktorit shqiptar, Aleksandër Moisiu. Rreth flakës së Moisiut po zhvillohej një akt grotesk, që shtoi edhe më shumë misterin e asaj unaze me brilante…Më vonë, Gebelsi kishte urdhëruar që të gjendet unaza origjinale [( Më pas Gebelsi urdhëroi fabrikimin e një unaze tjetër për t’ia dhënë një aktori fashist..) Akt mjeran ky, që tregon se diktatorët nuk mund ta vlerësojnë dot artin madhështor si këngën magjike të lirisë së njerëzimit]. Sidoqoftë, Flakja e unazës në flakët e Aleksandrit, më së miri, tregon se ajo unazë e famshme kishte ikur bashkë me shpirtin e atij që e meritonte. /Gazeta Panorama 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura