Ambasada e Shtetit të Izraelit në Shqipëri bashkoi sërish forcat me “Birra Korça” për të organizuar edicionin e tretë të “Tirana Beer Tech”. Ky edicion u zhvillua në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike të Gruas, si dhe përkrahjen e Bashkisë Tiranë.
Më datë 19 shtator u mblodhën në Piramidën e Tiranës një grup entuziastësh të teknologjisë, sipërmarrjes, por kryesisht zonjash, të cilat kanë interes dhe përfshirje në këto fusha. E ftuar e veçantë nga Izraeli ishte shkencëtarja dr. Shimrit Maman, e cila ka një përvojë të pasur dhe mbresëlënëse akademike e profesionale.
Ajo drejton Shërbimin e Imazheve Tokësore dhe Planetare në Universitetin Ben Gurion të Negevit në Izrael, si dhe ka drejtuar UN-SPIDER “Israel Regional Support Office”. Dr. Maman ka udhëhequr programe të larmishme në arsim, programe zhvillimore në fushën e shkencës dhe është pjesë e ekipit kërkimor që ka lëshuar nanosatelitin e parë izraelit në hapësirë, në vitin 2017.
Nën shoqërinë e freskisë dhe shijes që ofron “Birra Korça”, pjesëmarrësit kaluan çaste dëfryese, në një bisedë profesionale, po aq edhe zbavitëse. Dr. Maman befasoi të ftuarit me modelin e nanosatelitit të parë izraelit lëshuar në hapësirë në vitin 2017, ku më tej u krijua një radhë e gjatë e të ftuarve për të bërë foto me të. Mbi pesëdhjetë të ftuarit patën mundësinë të prekin nga afër zhvillimet e fundit hapësinore dhe satelitore, si dhe mësuan të reja mbi çështje të ngjashme.
Në përfundim të fjalës së dr. Maman pati edhe një bashkëbisedim të ngrohtë dhe goxha të gjatë, në sajë të kuriozitetit të zgjuar nga fjala e dr. Maman. “Tirana Beer Tech” është një nismë që ka për synim mbledhjen e komunitetit në një mjedis profesional e zbavitës, në shërbim të marrjes së njohurive të reja dhe zgjerimit të rrjetit akademik e profesional. Sipas informacioneve zyrtare, “Tirana Beer Tech” është planifikuar të zhvillohet të paktën katër herë në vit dhe po kthehet në një “trademark” të Ambasadës së Izraelit në Shqipëri.
“Birra Korça” dhe “Hysenbelliu Group” përkrahin nisma të tilla, të cilat bëjnë bashkë komunitetin dhe sjellin dobi për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë në fusha të ndryshme, si teknologji, shkencë, arsim dhe inovacion. Episodi i dytë i “Tirana Beer Tech” u zhvillua në muajin qershor në mjediset e Qendrës Ten, ku folëse kyçe e evenimentit ishte ekspertja e kriptomonedhave dhe teknologjisë blockchain, Denisa Kele.
Zhvillimet më të fundit të kriptomonedhave dhe teknologjisë blockchain ishin pjesë e ligjërimit të ekspertes Kele, tema të cilat u shoqëruan edhe me diskutime, debate dhe argumente mjaft tërheqëse për publikun. Episodit të dytë të këtij evenimenti të veçantë iu bashkuan përfaqësues nga media, pushteti vendor e qendror, specialistë të huaj të industrisë dhe studentë. Nën shoqërinë e freskisë së “Birra Korça”, pjesëmarrësit në episodin e dytë të “Tirana Beer Tech” sfiduan temperaturën e nxehtë në një pasdite të këndshme pranë Qendrës Ten, ku nuk mungoi zgjerimi i “network”-ut, bashkëbisedimet, shpalosja e ideve të reja dhe propozimet drejt ambasadës për episodet e ardhshme të “Tirana Beer Tech”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al