Ambasadorët nga Shkupi te “Birra Korça”, diplomatja japoneze: Jam pa fjalë

May 20, 2019 | 8:21
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Shtatë ambasadorë të shteteve të ndryshme në Shkup kanë zgjedhur të vizitojnë këtë fundjavë fabrikën e “Birra Korça”.

Ambasadorët gjatë vizitës në fabrikën e “Birra Korça”
Ambasadorët gjatë vizitës në fabrikën e “Birra Korça”

Përfaqësues të Republikës së Çekisë, Ukrainës, Polonisë, Rumanisë, Japonisë, BE dhe të Shqipërisë kanë vizituar këtë fundjavë Korçën dhe janë ndalur në ambientet e gjigantit teknologjik të qytetit për të parë nga afër procesin e prodhimit të birrës. Diplomatët, pasi panë nga afër investimin gjigant, mbetën të befasuar jo vetëm nga fabrika, por edhe nga shija e birrës së freskët, të cilën nuk hezituan ta cilësonin si birrën më të mirë shqiptare me standarde ndërkombëtare.

Për shumicën prej tyre, vizita ka qenë për herë të parë dhe “Birra Korça” për diplomatët e huaj që ushtrojnë detyrën e tyre në shtetin e Maqedonisë së Veriut, është vlerësuar si një nga pikat më tërheqëse për turistët e huaj. Pasi kanë vizituar disa nga muzetë e qytetit të Korçës, ambasadorët kanë mbyllur turin e tyre të vizitave me fabrikën e “Birra Korça”, ku edhe kanë konsumuar birrën e sapoprodhuar. Ata janë njohur me historikun e kësaj ndërtese të rëndësishme, zhvillimin e saj, procesin prodhues, si edhe nivelin rekord të shitjeve që kjo birrë arrin brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Ambasadori shqiptar në Shkup, Fatos Reka
Ambasadori shqiptar në Shkup, Fatos Reka

Fatos Reka, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, e konsideroi birrën dhe fabrikën një simbol jo vetëm për qytetin e Korçës, por për të gjithë vendin. “‘Birra Korça’ është një simbol jo vetëm i Korçës, por i gjithë Shqipërisë dhe birra që po shijojmë këtu në fabrikën e z. Irfan Hysenbelliu është me të vërtet një birrë e mrekullueshme, e cila konkurron jo vetëm tregun shqiptar, por edhe tregun ndërkombëtar. Meqë më jepet mundësia, i uroj mikut tim të vjetër vetëm suksese dhe sa më shumë birrë për popullin. Birra e zezë është një birrë shumë e mirë, por ne jemi mësuar të pimë bionden. Unë do të veçoja bionden, është një birrë e mrekullueshme. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë fabrikë është teknologjia e lartë me të cilën punohet, teknologji bashkëkohore, çdo gjë e kompjuterizuar, produkti final kënaq shijet e konsumatorëve”, u shpreh përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Shkup.

1

Ambasadorja e Japonisë, e cila vizitonte për herë të parë Shqipërinë, tha se kishte mbetur me përshtypje të jashtëzakonshme, duke vlerësuar me fjalët më të mira qytetin e Korçës dhe “Birra Korça”.

“Është hera e parë që vij këtu në Korçë dhe Shqipëri dhe jam shumë e impresionuar nga bukuria dhe kultura e këtij qyteti. Vizitova mes të tjerash edhe muzeun oriental, i cili ka një fond të pasur me elementë të artit japonez. Jam shumë e befasuar, Korça është një qytet i bukur. Provuam diçka shumë të veçantë nga birraria këtu, birrën e freskët, ndaj m’u krijua ndjesia se këtu përpiqen të ndërthurin tradicionalen me teknikën moderne, por shija është shume e freskët dhe mendoj se ata po përpiqen të prodhojnë birrën më të mirë në vend”, u shpreh Keiko Haneda.

AMBASADORI ÇEK: NUK E PRISJA QË TË GJEJA NJË BIRRË TË TILLË NË SHQIPËRI

Ambasadori çek në Shkup, Miroslav Toman
Ambasadori çek në Shkup, Miroslav Toman

Miroslav Toman është ambasadori i Republikës Çeke në Maqedoninë e Veriut. Çekia është një prej vendeve që njihet në botë për prodhimin cilësor të birrës. Toman thotë se nuk e kishte imagjinuar se në Shqipëri mund të gjente një birrë kaq cilësore sa “Birra Korça”.

Me çfarë përshtypjesh largoheni nga Korça?

Është hera e parë për mua dhe bashkëshorten time që jemi në Korçë dhe jam i kënaqur që miku im, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, na ftoi që të vinim këtu. Jam i befasuar, ishte një udhëtim impresionues, na pëlqeu shumë qyteti, muzetë dhe pazari i vjetër.

Po fabrika e “Birra Korça”, ku është implementuar teknologjia çeke, si ju duk?

Jam mirënjohës që pronari ka zgjedhur teknologjinë çeke për këtë fabrikë, pasi Çekia është e njohur për prodhimin shumë cilësor të birrës dhe teknologjisë që ofron në këtë fushë.

E provuat birrën, çfarë përshtypjesh morët?

Provova birrën dhe jam shumë i kënaqur sepse nuk e prisja që një birrë kaq e mirë mund të provohej edhe në Shqipëri. Nëse do të kem kohë për të pirë birrë, pa diskutim që do të zgjedh “Birra Korça”. Provova birrën bionde dhe të zezë, madje edhe i përzjeva ato dhe mendoj se duhen vlerësuar të dyja nga klientët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura