Miliona amerikanë do të votojnë të martën për të vendosur nëse nënpresidentja Kamala Harris ose ish-presidenti Donald Trump do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i vendit.
Anketat në prag të ditës së zgjedhjeve flasin për një garë të ngushtë, veçanërisht në një grup shtetesh fushëbetejë, që do të jenë çelësi për të vendosur fituesin.
Të dy kandidatët mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve të hënën në të njëjtën pjesë të Pensilvanisë, afërsisht në të njëjtën kohë, duke kaluar ditën e fundit të fushatës presidenciale në një shtet që mund të jetë vendimtar në zgjedhjet e sotme.
“Nesër është dita e zgjedhjeve dhe vrulli është në anën tonë”, u tha zonja Harris mbështetësve të saj të mbledhur në një fabrikë historike çeliku. “Fushata jonë ka prekur ambiciet, aspiratat dhe ëndrrat e popullit amerikan. Dhe ne e dimë se është koha për një gjeneratë të re udhëheqjeje në Amerikë”.
“Ne duhet të dalim të fortë”, shtoi zonja Harris. “…Ne do të fitojmë”.
Zoti Trump, duke iu drejtuar mbështetësve të tij në një arenë sportive, tha se një administratë tjetër e tij do të “fillonte shpërthimin më të jashtëzakonshëm ekonomik që bota ka parë ndonjëherë”.
“Nëse votoni për Kamalën, do të keni edhe katër vite të tjera mjerimi, dështimi dhe fatkeqësie”, tha Trump. “Vendi ynë mund të mos rimëkëmbet kurrë. Votoni për mua dhe unë do të sjell paga në rritje, të ardhura në rritje dhe një rritje kolosale të vendeve të punës, pasurisë dhe mundësive për Amerikën e çdo race, feje, ngjyre dhe besimi. Secilit prej tyre”.
Përpara ditës së zgjedhjeve të së martës, më shumë se 81 milionë amerikanë votuan para kohe, qoftë personalisht në qendrat e votimit ose nëpërmjet postës.
Kjo është gjithsej më shumë se gjysma e 158 milionëve që votuan në zgjedhjet e vitit 2020, kur presidenti Joe Biden mposhti zotin Trump. Ishte një fitore demokratike për të cilën edhe sot e kësaj dite zoti Trump thotë se ishte mbështetur në mashtrime.
Dhjetëra vendime gjyqësore, shpesh të nxjerra nga gjyqtarë të emëruar nga vet zoti Trump, dolën kundër tij, ndërsa ai u përpoq të kundërshtojë rezultatet e vitit 2020. Por të dielën, ai tha në një tubim në Pensilvani se “nuk duhej të largohej” nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, kur zoti Biden mori detyrën.
Zoti Trump ka thënë se do të pranojë rezultatin e së martës vetëm nëse arrin në përfundimin se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të drejtë, që sipas kritikëve demokratë do të thotë vetëm nëse ai fiton. Si zoti Trump ashtu edhe zonja Harris kanë mbledhur ekipe të mëdha avokatësh për beteja ligjore nëse nuk do të ketë fitues të qartë.
Një fitore e zotit Trump do ta bënte atë presidentin e dytë që do të shërbente dy mandate jo të njëpasnjëshme, pas Presidentit Grover Cleveland në vitet 1880. Ai do të ishte gjithashtu të parin që do të shërbente si president ndërsa pret dënimin më vonë në nëntor, pasi u shpall fajtor për 34 akuza të lidhura me pagesën e tij të një ylli të filmave për të rritur përpara kandidimit të tij të suksesshëm në vitin 2016.
Zoti Trump e ka përshkuar shpesh fushatën e tij shpërthime zemërimi ndaj kundërshtarëve demokratë, duke i quajtur ata “armiq të brendshëm” dhe një kërcënim për të ardhmen e vendit. Ai e ka nënçmuar zonjën Harris si një person me intelekt të kufizuar dhe tha se ajo do të ishte pengu i udhëheqësve të tjerë botërorë në trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Zonja Harris thotë se pret të bëhet presidentja e 47-të e vendit. Nëse zgjidhet, ajo do të jetë gruaja e parë që do të jetë udhëheqëse amerikane, e para me origjinë nga Azia Jugore dhe presidentja e dytë me ngjyrë pas zoti Barack Obama.
Ajo e ka përshkruar zotin Trump si një “njeri joserioz”, duke thënë se ai do të ishte një kërcënim për demokracinë amerikane dhe i paprekshëm nga çdo kufizim presidencial, pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi në fillim të këtij viti se presidentët nuk mund të ndiqen penalisht për ndonjë keqbërje që lidhet me veprimet e tyre zyrtare.
Anketuesit thonë se votuesit janë thellësisht të ndarë mes dy kandidatëve. Anketat e minutës së fundit tregojnë se gara është e barabartë në shtetet e fushëbetejës.
Anketa e rrjetit ABC News tregon se zoti Trump mund të jetë fitues në pesë nga shtatë shtetet e fushëbetejës, por gazeta The Washington Post thotë se anketat e saj e nxjerrin zonjën Harris fituese në katër shtete. New York Times thotë se zoti Trump kryeson në katër shtete, zonja Harris në dy dhe gara është e barabartë në Pensilvani.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA nuk vendoset nga vota popullore kombëtare, por përmes Kolegjit Zgjedhor. Dyzetetetë prej shteteve i japin të gjitha votat e tyre elektorale fituesit në ato shtete. Dy shtete – Maine dhe Nebraska – i ndajnë votat elektorale në bazë të rezultatit.
Numri i votave elektorale në çdo shtet bazohet në popullsinë, kështu që shtetet më të mëdha ushtrojnë ndikimin më të madh në përcaktimin e rezultatit të përgjithshëm kombëtar. Fituesit i duhen 270 nga 538 votat elektorale për të siguruar presidencën. Vetëm Pensilvania ka 19 vota elektorale.
Anketat i nxjerrin herë zonjën Harris herë zotin Trump me epërsi të konsiderueshme në 43 prej shteteve, të mjaftueshme që secili të sigurojë 200 vota elektorale ose më shumë. Fituesi do të vendoset në shtatë shtetet e mbetura të fushëbetejës, ku si zonja Harris ashtu edhe zoti Trump kanë organizuar tubime të shpeshta, por duke injoruar pjesën tjetër të vendit gjatë fushatës./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al