Analiza/ Besnik Gjongecaj: Raportet e politikës me universitetet dhe distanca e shenjtë mes tyre

Oct 7, 2024 | 10:30
SHPËRNDAJE

Besnik GjongecajBESNIK GJONGECAJ

PJESA E PARË

Kanë qëlluar të jenë njerëz të vegjël, të formuar keq, pa shtyllë kurrizore, me shkolla të dyshimta. Kanë qëlluar të jenë njerëz të rritur pa empati, nën peshën e rëndë të mungesës së dashurisë ose në prani të një zbrazëtie me fuqi tjetërsuese. Jo rrallë janë rritur mu në mes të kamjes, bash në kampin e kusarëve të kuq, kur të tjerët rreth e rrotull kishin vetëm bukën thatë për barkun dhe përbuzjen e përditshme për shpirtin. Në të kundërtën, shpesh janë rritur në një uri që i përthithte brenda honit të saj, atje ku shuhej edhe vetë gravitacioni, pasi më parë kishte bërë të paqenë çdo gjë njerëzore…. Ashtu si befasisht, prandaj, të gjithë këta, pavarësisht se prej cilës natë sterrë vinin, ajo e kusarëve të kuq apo ajo e mjeranëve pa dinjitet njerëzor, menjëherë sapo ndjenë erën e pushtetit iu sulën atij pa skrupull, njësoj të uritur, njësoj të poshtër, të papërmbajtur njësoj, për ta rrëmbyer me çdo çmim.

Ekstremet takohen një ditë, sigurisht. Ja pse, individët pas këtyre dy profileve, dy ekzistencave antihumane, u takuan një ditë. U takuan ekzaktësisht atje ku e kishin lënë takimin ndoshta që kur kishin lindur: te dyert e pushtetit. Janë të shumtë ata individë që i plotësojnë kriteret për t’u përfshirë në të parin dhe po aq të shumtë ata që përfshihen në të dytin profil. Gjithsesi, dy prej tyre, si përfaqësues të secilit profil, pra, njëri hipur mbi karrigen e qeverisë shqiptare, të një prej qeverive më të mallkuara në këtë nahije të botës dhe tjetri hipur në karrigen e UBT, një prej universiteteve më fatkeqë, të stërmunduar gati kafshërisht në krejt historinë e tij, janë ndoshta më të dallueshmit humanofagë të shoqërisë shqiptare në tranzicionin e saj. Aq sa, pasi përfundon së studiuari këta të dy, të krijohet përshtypja se bëhet i panevojshëm studimi më tej i të keqes së këtij vendi. E koncepton studimin si përfundimtar. Kjo ndodh vetëm e vetëm pse këta të dy, ai që ia ka hipur qeverisë dhe yesman i tij që ia ka hipur UBT, kanë qenë të mjaftueshëm për të nxjerrë krejt qymyrin nga “nëntoka” e shoqërisë shqiptare. Të gjithë zezërinë dhe helmin e këtij vendi. E kanë veshur atë si qyrk në betejat me nderin dhe të vërtetën.

Ka kohë që kryeministri i këtij vendi fatkeq vjen dhe viziton Universitetin e Bujqësisë pothuajse mesatarisht një herë në dy tri muaj. Takon njeriun e karriges së universitetit dhe nuk harron kurrë ta bëjë këtë para kamerave. Ai nuk e bën këtë për asnjë universitet tjetër të këtij vendi, madje, as nuk përpiqet për pak simetri. Në çdo vizitë ka gjithmonë një mesazh për njerëzit jashtë universitetit, sepse, në thelb, edhe bufi e merr vesh se kryeministri nuk ka asgjë për të thënë as për universitarët dhe as për arsimin e lartë të vendit. Thjesht, e ka të pamundur.

Megjithëse është njeri i PD, thotë kryeministri i vendit sa herë viziton UBT dhe duke iu adresuar njeriut, që ka kapur karrigen e këtij universiteti, unë bashkëpunoj shumë mirë me të. Vetëm këto fjalë të thëna si pa mëndje, përmes një humori të zgërlaqur, do ta kishin detyruar çdo kryeministër të një vendi demokratik të jepte dorëheqjen, ndërsa cilitdo rektor të po këtij vendi të mos i shkonte kurrë mendja të paraqiste një kandidaturë për çfarëdo posti akademik. Perëndimi, më i largët se kurrë më parë për Shqipërinë, i ka përcaktuar prej një kohe sa nuk mbahet mend raportet e politikës me universitetet, duke e konsideruar distancën midis tyre të shenjtë, prandaj edhe çelësin drejt suksesit të demokracisë dhe universitetit. Por, në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me demokraci dhe në UBT nuk ka universitarë që t’i tregojnë këtij kryeministri kufirin te thana. Përkundrazi, kjo turmë e paimagjinueshme universitarësh e frymëzon këtë kryeministër sa herë vjen në UBT, deri sa dukshëm ai kalon në ekstazë. Aq sa fillon të dridhet e spërdridhet në sallat e këtij universiteti si të ishte duke performuar te Shkolla e Baletit. Megjithatë, një pyetje, pas një analize fare të thjeshtë, mbetet: njeriu që ka karrigen e universitetit nuk ka pasur kurrë një profil të ravijëzuar te PD dhe ai nuk do të ketë kurrë një të tillë në asnjë parti politike të krijuar në faqe të dheut.

Sepse ai nuk ka bindje politike, madje ai është i boshatisur nga të gjitha bindjet e të gjitha kategorive, çfarëdo qofshin ato, nga të gjitha parimet, veçanërisht ato morale, nga qytetaria. I ngjan kërmillit: i fsheh të gjitha nën guaskë. Atëherë pse, pse kryeministri vazhdon përsëri të bëjë një vizitë tjetër te UBT, një tjetër përsëri, prapë e prapë?! Pse vazhdon t’i thotë yesman-it të tij “njeriu i PD”, kur janë të gjitha gjasat që ai nuk është!? Për të mos dalë nga thelbi i këtij shkrimi, fare shkurt, mendoj që prapa batutës “njeriu i PD” ekziston një “situatë konkrete”, dhe për shkak të kësaj “situate konkrete”, ka edhe një probabilitet që PD të lëkundet përsëri brenda vetes. Ja pse PD dhe z. Berisha nuk duhet ta marrin lehtë atë që po ndodh me kryeministrin dhe UBT. Përkundrazi, duhet ta ndajnë urgjentisht, prerë dhe publikisht: a është yesman i kryeministrit në UBT njeri i PD apo jo? Pavarësisht nga e gjitha kjo, kryeministri sajon dhe nuk e ka për herë të parë. Ai bën edhe diversion, sigurisht. Dhe sa herë që ndodh kështu, dallohet qartë që çuditërisht mendjen e ka diku tjetër…

Para se të zbulojmë këtë, është shumë e rëndësishme të bëjmë një thyerje (digression). Me shpresën që lexuesi nuk do të mërzitet, përkundrazi, do të argëtohet. Me shpresën që lexuesi do të arrijë të kuptojë deri në kockë se në ç’monstër vend jetojmë sot pasi t’i hedhë një sy telegrafisht të shkuarës, 1992- 1996, në UBT dhe ta krahasojë atë me çka po ndodh sot po në këtë universitet. E cila është sa tragjike, aq edhe qesharake. Ashtu si historia e malit që mbarset dhe pjell një mi.

1992 -1996: Hapësira e projekteve në UBT, misioni dhe burimet financiare në shërbim të universitetit.

Në projektet e zhvillimit të UBT gjatë kësaj kohe u përfshinë:

USAID (qeveria e Shteteve të Bashkuara – Virginia Tech University; titulli i projektit: Support for Agriculture Restructuring in Albania, SARA).

GTZ (qeveria gjermane; Universitetet: Hohenheim University, Free University of Berlin, Gottingen University, University of Giessen; titulli i projektit: Agricultural University Restructuring).

European Union, me disa nga programet e tij më të rëndësishëm: Development of Plant and Animal Production Systems in Albania; Forestry Management in Albania; Improvement of Teaching Research and Industry in Food Technology – duke angazhuar universitete nga më të mirat në hapësirën e tij në marrëdhënie me UBT si Hohenheim University, Universita degli Studi di Bari, Universita degli Studi della Basilicata, Universita degli studi di Tuscia, University of Thessaloniki, The American School of Thessaloniki, etj., etj.).

Misioni i projekteve u formulua në bashkëpunim të ngushtë me UBT dhe u firmos në çdo rast nga rektori i UBT dhe vetëm nga ai. Natyra thelbësore e misionit të projekteve të mëdha, veçanërisht të atyre të financuara nga USAID dhe GTZ, mund të dallohet qartësisht qoftë edhe duke u nisur nga titujt e tyre. Në fokus u vendos ristrukturimi i universitetit, për shkak të prapambetjes strukturore të trashëguar nga ish Lindja si universitet i specializuar. Këtij universiteti i mungonin incentivat, mekanizmat e brendshëm e të jashtëm, mbi të gjitha liria, që do të mund ta vinin në lëvizje atë dhe vetëm e vetëm pasi inercia e prapambetjes gati gjysmë shekullore e tij të ishte mposhtur.

Në realizimin e projekteve u angazhuan profesorë mendjendritur dhe me reputacion të padiskutueshëm në Europë dhe më gjerë, si dhe u vunë në dispozicion të mobiliteteve universitare laboratorë me nivel të lartë teknik. Marrëveshjet e firmosura midis UBT dhe qendrave të financimit të përmendura, që në vitin e parë të periudhës katërvjeçare, 1992-1996 (pra, menjëherë me fillimin e implementimit të projekteve) përmbanin një buxhet të paktën, më e vogla, rreth 25 milionë euro (konvertuar), duke nënkuptuar edhe fuqinë e valutave në atë kohë. UBT nuk u vizitua asnjëherë as nga kryeministri dhe as nga presidenti i kohës, në respekt të prezervimit të autonomisë së tij akademike.

2020-2024: Hapësira e projekteve në UBT, misioni dhe burimet e jashtme financiare.

Katër vite pasi yesman i kryeministrit mori karrigen e UBT, ekzaktësisht më 28 maj 2024, lajmëron që është firmosur një marrëveshje me universitetin austriak BOKU, një universitet i burimeve natyrore dhe shkencave të jetës. Misioni i projektit është sendërtuar në një memorandum me katër objektiva të firmosur nga të dyja palët: Programe studimi si universitetet europiane (një objektiv pa pikë kuptimi, sepse nuk është ngjashmëria apo të qenit njëlloj, por adoptimi i programeve në kushtet ekzistuese si synim universal në krejt hapësirën e sotme universitare). Nivel i ri i kërkimit shkencor (një objektiv që nuk të jep asnjë informacion, bosh).’”Transferimi i njohurive (kjo është vetëm një deklaratë) dhe’”Transformimi i UBT në një qendër ekselence për rajonin (thjesht një frazë e superkonsumuar, më shumë si reklamë, se sa me përmbajtje).

Siç mund të vihet re, asgjë nuk thuhet për ristrukturimin e UBT, asgjë nuk thuhet për sendërtimin e mekanizmave që do të ringjallin konkurrencën, për modelet e financimit… Asgjë. Ka një cilësim, apo një koment më duket, bërë publikisht nga yesman i kryeministrit, që i vë kapak nivelit rrogoz të palës shqiptare: UBT do të jetë një universitet tematik… tha ai në një dalje publike!? Ata që kuptojnë nga universitetet si institucione, pas këtij cilësimi të bërë publik, mbledhin letrat, kthejnë kurrizin me përbuzje dhe ikin në punën e tyre. Pavarësisht nga të gjitha këto, ka katër vite që njerëzit e karrigeve të UBT i bien borive të një fitoreje që nuk është. Nuk lanë mësimdhënës pa i fryrë në vesh për të ardhmen e ndritur, apo ca diploma doktorature. Nuk lanë student gjynafqar pa e trullosur për ca diploma duale të shkruara në gjermanisht. Aq sa, gatigati, duket sikur kanë filluar t’i shpërndajnë ato si paradhënie.

Megjithëse, ashtu si para vitit ‘90, të duket sikur i gjithë UBT, varfanjakërisht dhe në turmë, vazhdon të presë autobusin te stacioni i “Institutit”…. një autobus që nuk ka gjasa të vijë dhe aq më shumë, nuk ka gjasa të niset për në Rinas. Ja pse, një gjë ka ndodhur vërtet: mali ka mbetur me barrë. Por të gjithë presin me ankth se çfarë do të pjellë. Ka disa që e dinë. Autori i këtij shkrimi e di saktësisht. Sepse buxheti i marrëveshjes i firmosur nga pala e huaj është vetëm 1,1 milionë euro dhe askush nuk e di saktësisht se sa do të firojë ai pasi të gërryhet nga kosto administrative austriake. Lëre pastaj pjesa shqiptare e buxhetit, të cilin s’ka burrë nane që ta besojë. Aq më shumë, po t’i krahasojmë të dy buxhetet, buxheti i UBT në vitet 1992-1996 i vënë në dispozicion nga Perëndimi ishte, të paktën e të paktave, 23 herë më i lartë se ky i BOKU-së së sotme, pra 23 herë më i lartë se ky 1,1 milionëshi i sotëm. Vetëm bëni shumëzimin. Çka parashikon, jashtë çdo dyshimi, se mali i lënë me barrë nga “peqe-lepet” e sotëm, pjell vetëm një mi.

Krahasimi i mësipërm ndoshta nuk do të bëhej kurrë, edhe pse, mbi të gjitha, mburrja nuk është aspak në natyrën e autorit të këtij shkrimi, i cili ka qenë rektor i UBT në vitet 1992-1996. E formulova këtë krahasim për të reaguar ndaj atyre që janë ulur në karriget e UBT të sotëm, të cilët, me lehtësinë e qenieve me tru të lëmuar, pa cirkoevolucione, kanë kohë që e kanë fshirë të shkuarën e universitetit, në veçanti periudhën 1992-1996. Poshtërsisht. Ka më shumë se katër vite që të gjitha fjalitë e njerëzve që kanë kapur karriget në UBT, veçanërisht fjalitë e yesman-it të kryeministrit, fillojnë me unin dhe me të ardhmen; pra, fillojnë me “do të”, me “kam bërë”, me “do të bëj”. E gjithë kjo e ka një shpjegim individual, i cili mbështetet mbi një platformë psikoanaliste, por edhe një shpjegim konspirativ, që mbështetet mbi një platformë okulte të politikës, të pashpallur, në të cilën UBT është përfshirë kokë e këmbë. Shpjegimin e dytë, atë konspirativ, do t’ua lemë paragrafëve vijues, ndërsa e fillojmë me të parin, më të thjeshtin. Të pranosh të shkuarën e UBT do të duhet të pranosh dy gjëra.

E para, të pranosh që menjëherë pas ndërrimit të sistemeve politike, pra 1992- 1996, universiteti u përfshi në një bashkëpunim ndërkombëtar, që edhe sot e kësaj dite as nuk imagjinohet në sistemin universitar të vendit, jo më në UBT. E dyta, do të duhet të pranosh që UBT ndërtoi një strategji zhvillimi që eliminonte rrezikun e zvogëlimit të universitetit deri në mbyllje, nga njëra anë dhe siguronte një ristrukturim në të cilin konkurrenca lindte natyrshëm brenda universitetit dhe shndërrohej në të vetmin motor zhvillimi të tij nga ana tjetër. Të pranosh të parën, pra formën “explozuese” të bashkëpunimit ndërkombëtar të UBT në vitet 1992-1996, para së gjithash nuk duhet të jesh njeri i vogël, por dikush me dinjitet dhe sigurisht, duhet të jesh realist. Yesman i kryeministrit nuk plotëson asnjërën. Prandaj ai e ka fshirë të shkuarën nga kujtesa institucionale e universitetit. Nuk bën dot ndryshe, sepse konstitucioni i tij shpirtëror, ashtu si në një tokë fshati të mbjellë me misër, fillon e mbaron brenda kufijve të saj. Të pranosh të dytën, ristrukturimin, do të thotë që minimalisht duhet të pranosh dy gjëra: universializimin strukturor të universitetit dhe sendërtimin e parimeve që formësojnë konkurrencën brenda tij. Le t’i shohim me radhë.

INTERMEXO

Të pranosh ose jo universializimin e universitetit është një çështje jete apo vdekje. Një universitet i dalë nga ish-sistemi i Lindjes, si ai Bujqësor, (dhe këtë e kam shpjeguar herët në një intervistë televizive në vitin 1994) ka vetëm emrin universitet, por nuk është realisht i tillë. Në pikëpamjen e kimisë fizike,  UBT i ngjan një elektroni që vjen rrotull bërthamës së atomit midis dy gjendjeve energjetike të njëpasnjëshme orbitale, duke mos i takuar asnjërës. Ai nuk ka energjinë e nevojshme të ngjitet në orbitën më lart, por ka energji të mjaftueshme për të mos rënë në orbitën më poshtë. Kjo është një gjendje e momentit, e përkohshme, jashtë ekuilibrit dhe UBT ndodhet ekzaktësisht në këtë gjendje. Ky gjysmë universitet mund të fitojë energji nëpërmjet universializimit të tij, por vetëm e vetëm nëse universializimi ndodh paralel me sendërtimin e një demokracie reale. Nëse universializohet, ai fiton energji dhe kalon në orbitën më lart, pra fiton ekuilibër dhe bëhet një universitet i vërtetë. Ose, UBT mund të humbë energji dhe të bjerë në orbitën e poshtme, çka do të thotë që ai fiton përsëri ekuilibër, por vetëm duke u shndërruar në një fakultet të vogël, bashkëngjitur një universiteti si ai i Tiranës.

Që të mos krijojë hapësirë për ndonjë gjytyrym që e ka gati provokimin, po i dal para duke e bërë vetë pyetjen: po si ka mundësi atëherë, që UBT ka mbetur universitet prej kaq e kaq vitesh (pas 1990), edhe i pauniversializuar, kur sapo u tha që situata e ndërmjetme, jashtë ekuilibrit, zhvillohet në një kohë fare të shkurtër?! Përgjigja është e thjeshtë: UBT-në e kanë bërë universitet nga jashtë, me urdhër dhe jo zhvillimet e brendshme të tij. Madje, edhe sikur të ishte universializuar, ai nuk do të konsiderohej kurrë një universitet nëse funksionon si sot: pa demokraci, me urdhra dhe interesa jashtë akademike. Universializimi është i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm! Ai nuk mjafton për të shndërruar në universitet një strukturë çfarëdo të arsimit të lartë. Shembulli metaforik i marrë nga kimia fizike, që sapo u përshkrua, ka kuptim vetëm kur struktura funksionon në mënyrë demokratike. Emri universitet nuk është stoli, aq më shumë atë nuk ta dhuron askush.

Universitet konsiderohesh kur zë një vend të gjerë në tregun e dijes dhe të studentëve, sepse vetëm kështu krijohet premisa e konkurrencës. Akoma më shumë: madhësia e tregut duhet të jetë rreth një milion banorë për një universitet publik, që universiteti të jetë i vërtetë dhe efiçent. Ja pse UBT nuk kualifikohet si universitet dhe prandaj ka mbajtur një emër që nuk i takon. Më pak se me dy universitetet e tjera publike si Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik (Universiteti i Mjekësisë është një gabim po kaq fatal sa i Bujqësisë), abuzimi i politikës me UBT ka qenë i shfrenuar, sepse është lejuar nga mentaliteti provincial dhe paaftësia e trashëguar brenda tij. Me lehtësinë që e karakterizon, UBT mund ta quajë veten edhe Harvard i Europës, edhe NASA, madje edhe Shtëpia e Bardhë. Si ta ketë oreksin yesman-i. Por nuk është. Vetëm nëse realisht universializohet, UBT hyn në treg dhe jo siç po tentojnë ta fusin në xhepin e kryeministrit. Nëse hyn në treg, UBT do të duhet të “shesë” dije, që nuk i prodhon dot kurrë me këtë sistem rekrutimi pedagogësh që ka. Nëse futet realisht në treg, UBT do të dilte nga ai mjerim akademik i paanë në të cilin noton, dhe vetëm kështu do të mund të merrte studentë të vërtetë.

Ndërsa tentativat për të rritur kërkesën duke iu dhënë rroga studentëve parazitë në universitet do të konsideroheshin të turpshme nga krejt shoqëria shqiptare. Dhe pastaj vijnë me radhë: nëse futej UBT në treg, universitarët do të votonin për njerëz të pakorruptuar si pjesëtarë të strukturave apo autoritete të universitetit, jo për yesman-in dhe ekzistuesit. Sepse fati i tyre nuk do të varej më nga kompromiset e pista, por nga zotësia e autoriteteve universitare që udhëheqin. Do të rrëzoheshin interesat nepotike; do të dilnin zbuluar interesat “më jep të jap” dhe ajo që do të ndriste, do të ishte zotësia dhe integriteti i universitarëve. Mbi të gjitha, prandaj, do të zhdukej frika dhe universitarët nuk do të zvarriteshin më si hije nëpër universitet. Të paaftët nuk do të bënin ligjin…Kjo do të ishte dita kur UBT do të bëhej universitet i vërtetë dhe do t’i përkiste universitarëve të tij, njëkohësisht.

Titulli i autorit: Kështu foli kryeministri: Amanet Bardhin! (Ky shkrim është nxjerrë nga libri “Kambana bie për Shqipërinë”, i papërfunduar, ku tregohet historia e poshtërimit të një vendi dhe një universiteti në zemër të tij. Një përmbledhje e librit po përgatitet t’i dërgohet Rrjetit të Hapur Akademik të Këshillit të Europës, OCEAN)

/Gazeta Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura