Çmimi i gazit është rritur katër herë më shumë se sa në muajin mars, çka do ta vështirësojë dimrin për të gjitha vendet e Evropës.
Sipas “Forbes”, Europa po mundohet të fajësojë Rusinë për çmimet e larta, sepse ajo po furnizon me gaz të gjitha vendet evropiane. “Nëse Rusia është fajtore, atëherë fajin e kanë edhe evropianët”, shkruan Llewellyn King, krijuesi dhe drejtuesi i “White House Chronicle”, një program javor i lajmeve dhe çështjeve publike.
Kjo sepse, sipas tij, “Europa merr gjysmën e gazit natyror nga Rusia, e cila ka shkurtuar flukset e gazit në Europë me dy të tretat, duke i bërë tregjet dhe çmimet të paqëndrueshme”.
“Qëllimi i Rusisë ishte të fitohej besimi i blerësve të gazit, për t’i bindur që të nënshkruanin marrëveshje afatgjata dhe fikse. Tani blerësit që kanë kontrata afatgjata dhe fikse, por shqetësohen sepse ekziston mundësia që furnitorët e tyre të shkurtojnë furnizimet”.
“Deri më tani, në telefonatat e shumta me tregtarë, avokatë dhe një ekspert për energjinë dhe diplomacinë globale, më është thënë se kontratat fikse, janë të qëndrueshme. Edhe ‘Gazprom’, kompania gjigante e energjisë ruse, duhet të ketë njëfarë sigurie në eksportet e gazit”, shkruan King.
Këtu janë elementët e krizës energjetike, e cila filloi në Europë, por që po godet pjesën tjetër të botës së varur nga gazi, vazhdon ai më tej.
Së pari, aktiviteti ekonomik botëror u rikthye me më shumë energji sesa pritej pas Covid-19. Nga Brazili në Kinë, fabrikat dhe aktiviteti tregtar lulëzuan, duke rritur kërkesën për energji elektrike dhe njëkohësisht kërkesën për gaz natyror.
Pastaj Evropa pësoi një ‘thatësirë’ të erës. Për pjesën më të madhe të verës dhe vjeshtës, shpejtësia e erës ka qenë në nivelet më të ulëta në 60 vitet e fundit.
Rrjeti Europian i destabilizuar
Kjo ka vënë në pikëpyetje stabilitetin e rrjetit europian, i cili varet nga era. Politika energjetike e Mbretërisë së Bashkuar ka qenë në kaos për dekada.
Në anën tjetër, Malta (popullsia e së cilës është rreth 540,000) ka qenë një shembull në Mesdhe, sepse ka përdorur një strategji të gazit natyror të lëngshëm (LNG), e cila mund të shmangë kaosin dhe rritjen e çmimeve.
Malta nuk ka shumë tokë për të ndërtuar mullinj ere ose ‘ferma’ për të siguruar energji diellore që mund t’i përdorë për t’i shërbyer vendeve të tjera. Kur vendosi të kalonte nga nafta e rëndë në gaz natyror për të furnizuar me karburant termocentralet e saj në 2013 (i zbatuar në 2017), kuptoi se duhej të bënte një ekzaminim të plotë të rreziqeve të jetës si një komb i varur nga gazi.
Shteti kërkoi një çmim fiks pesë-vjeçar për energjinë elektrike dhe gazin natyror. Çelësi ishte një kontratë furnizimi fiks me Kompaninë Shtetërore të Naftës të Republikës së Azerbajxhanit (SOCAR), megjithëse gazi nuk vjen nga Azerbajxhani.
Si rezultat, sipas një burimi të njohur me çështjet e energjisë malteze, shteti nuk po emeton 2 milion ton karbon në vit me çmimin e sotëm prej 120 milion euro në vit. Burimi ia atribuon këtë reduktim të emetimeve të karbonit, çmimit të kontratës së përcaktuar në vitin 2013 për gazin natyror të lëngshëm LNG.
Dorian Duçka, ish-zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri, tani një konsulent ndërkombëtar i energjisë, thotë se “Malta është në një pozicion më të mirë se ishujt e tjerë të BE-së që nuk kanë kaluar në furnizimin me gaz”. Ai veçoi ishujt Kanarie të Spanjës për të cilët thotë se LNG-ja do të kishte qenë një konvertim i natyrshëm.
Aktualisht, gjeneratorët e energjisë elektrike në Kanarie po emetojnë karbon të konsiderueshëm dhe kanë çmimet më të larta të energjisë elektrike në Europë. Mungesa e erës këtë vjeshtë ka ‘nervozuar’ Europën. Papritur, gazi shihet si jetik për të ardhmen. Në të gjithë Europën, burimet e rinovueshme kanë humbur terren, pasi faturat e karburantit janë rritur dhe dimri po afron.
Dimri i kaluar ishte veçanërisht i ashpër në të gjithë Evropën, gjë që çoi në një tërheqje më të madhe të rezervave të gazit se normalja. Tashmë çmimet e gazit, janë katër herë më të larta seç ishin në muajin mars. Për këtë arsye, parashikohet që dimri të jetë i vështirë për të gjitha vendet europiane.
Roli i SHBA-së në krizën europiane
Shtetet e Bashkuara kanë luajtur gjithashtu një rol në krizën energjetike europiane. Kur Presidenti Donald Trump shkatërroi marrëveshjen bërthamore të Iranit, të nënshkruar në vitin 2015 nga Shtetet e Bashkuara, Irani, Kina, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania dhe rivendosi sanksionet, pritej që gazi iranian të mos kalonte në Europë.
Kina është bërë një konsumator i pangopur i furnizimit global me gaz. Shumica e gazit, që duhej të përfundonte në Europë, tani shkon në tregun aziatik. Kjo përmbysje e kërkesës kineze nuk ishte parashikuar nga tregtarët botërorë të gazit. Ata janë përgjigjur duke devijuar gazin natyror të lëngshëm LNG-në në Azi, i cili supozohej të shitej në tregun e Europës.
Spanja ka hyrë papritur në tregun e LNG-së për shkak të një mosmarrëveshjeje midis Algjerisë dhe Marokut, përmes të cilit kalon tubacioni Magreb-Evropë. Ky tubacion është mbyllur: një ngjarje gjeopolitike që askush nuk e priste dhe që ka shtuar presionin mbi gazin natyror.
Kohët e fundit, Rusia rriti rrjedhën e saj të gazit në disa tubacione, duke tronditur më tej tregjet europiane. Rusia dëshiron të reduktojë rolin e Ukrainës si furnizuese me gaz natyror të pjesës tjetër të Europës./ FORBES
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al