Analiza e VOA: Rezultati i zgjedhjeve në Austri vështirëson krijimin e qeverisë së re

Sep 30, 2024 | 16:29
SHPËRNDAJE

Disa banorë të Vjenës të hënën u shprehën të alarmuar nga fitorja e partisë së ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, në zgjedhjet që u mbajtën të dielën. Disa të tjerë janë më optimist që vendi do të vazhdojë të ketë një qeverisje të qëndrueshme. Megjithatë analistët vlerësojnë se mundësia për një qeveri të qëndrueshme është komplikuar pasi asnjë parti nuk duket se është e gatshme të bëjë koalicion me Partinë e Lirisë nëse partia e ekstremit të djathtë nuk heq dorë nga posti i kancelarit. Herbert Kickl, kryetar i Partisë së Lirisë e ka bërë të qartë se nuk e ka në plan të heq dorë nga posti i drejtuesit të vendit.

austri zgjedhjet
Partia e Lirisë (FPO) e ekstremit të djathtë të Austrisë siguroi mbi 29 % të votave, ndërsa konservatorët e Partisë Popullore (OVP) të Kancelarit Karl Nehammer dolën në vendin e dytë me mbi 26%. Kjo është fitorja e parë e ekstremit të djathtë në Austrinë e pas Luftës së Dytë Botërore.

Triumfi i FPO-së euroskeptike është një tjetër moment i rëndësishëm për të djathtën e cila po shënon rritje në shumë vende evropiane.

Drejtuesi i partisë Herbert Kickl dëshiron të bëhet kancelar, por rivalët kanë thënë se nuk duan marrëveshje koalicioni me të. OVP-ja e Kancelarit Nehammer është partia e vetme që ka sinjalizuar për mundësinë e një koalicioni me FPO-në. Megjithatë, Kancelari Nehammer e ka përjashtuar mundësinë e hyrjes në qeveri me zotin Kickl. Ai e përsëriti këtë qëndrim edhe pas publikimit të rezultateve.

“Gjatë diskutimeve me të tjerët kam krijuar ndjesinë se ata janë në një gjendje shoku dhe veprojnë sikur këto zgjedhje nuk janë zhvilluar dhe rezultati nuk është ai që është. Do t’u jap edhe dy ose tre ditë për t’u menduar me shpresën që të vijnë në vete. Do të ishte edhe në interesin e tyre”, tha zoti Kickl para mbështetësve të tij në Vjenë.

Në programin e saj zgjedhor, të titulluar “Fortesa e Austrisë”, Partia e Lirisë bëri thirrje për “rikthimin e emigrantëve të huaj që i cilësojnë si të paftuar”, kjo me qëllimin e krijimit të një kombi më ‘homogjen’. Ata duan gjithashtu të pezullojnë të drejtën për azil nëpërmjet miratimit të një ligji për raste emergjencash dhe kontroll të rreptë të kufirit.

Partia e Lirisë gjithashtu bën thirrje për t’i dhënë fund sanksioneve kundër Rusisë dhe është shumë kritike ndaj ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën.

Fitorja e Partisë së Lirisë u konsiderua nga Kremlini një çështje e brendshme për votuesit austriakë.

Për disa banorë të Vjenës fitorja e FPO-së është “alarmante”.

“Ajo është një parti shumë ekstreme, e me shumë urrejte. Nuk është mirë për Austrinë dhe shpresoj se ai (Kickl) nuk do të bëhet kancelar dhe se FPO një ditë do të zhduket. Por e di se kjo nuk do të ndodhë”, thotë banorja e Vjenës Irene Kaniz.

“Rezultati i zgjedhjeve është disi alarmant dhe nuk mendoj se gjërat do të përmirësohen. Do të preferoja një rezultat tjetër”, thotë Michael-i, banor i Vjenës.

Disa të tjerë kanë qëndrim pak më pozitiv.

“Nuk ishte plotësisht ajo që prisja. Megjithatë në të gjithë Evropën po rritet e djathta. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Nganjëherë këto gjëra të befasojnë për të mirë”, thotë Johannes-i, banor i Vjenës.

“Formimi i një qeverie përfundimish nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë i mundur. Besoj se do të marrë pak kohë, por kam besim se edhe në të ardhmen do të kemi sërish një qeveri të qëndrueshme”, thotë Peter Vaas, banor i Vjenës.

Analisti politik Thomas Hofer parashikon “një fazë shumë të ndërlikuar” për të formuar një qeveri koalicioni.

“Nga ana përmbajtësore, do të ishte logjike që Partia Popullore (OVP) të bashkohej me Partinë e Lirisë (FPO). Megjithatë, kjo nënkupton zgjedhjen e kancelarit nga Partia e Lirisë dhe kjo sigurisht që është diçka që ata duan të shmangin. Ata kanë arsye taktike dhe gjithashtu personale për të bërë përpjekje të shmangin një koalicion me Partinë e Lirisë”, thotë zoti Hofer.

Alternativa do të ishte një aleancë mes Partisë Popullore të Kancelarit Nehammer dhe Social Demokratëve, por kjo sipas analistit Thomas Hofer do të krijonte një qeveri të paqëndrueshme që mbështetët në një shumicë brishtë. Një qeveri më e qëndrueshme do të ishte një koalicion trepalësh ku krahas konservatorëve dhe sociali-demokratëve, në koalicion do të përfshihej edhe partia liberale Neos që mori 9 % të votave./VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura