ANALIZA/ Inflacioni arrin në nivelin më të lartë që nga koha e piramidave! Rritja e çmimeve nuk ndalet

Sep 12, 2022 | 10:48
SHPËRNDAJE

Rritja e cmimeve0inflacioniÇmimet në vend vetëm vazhdojnë të rriten, të ndikuara nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe i karburanteve. INSTAT njoftoi se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin gusht 2022 është 8,0%, ndërsa një vit më parë, ndryshimi ishte 2,4%.

Ky është një rekord i ri i dy dekadave të fundit dhe niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 1998, periudhë kur vendi ende vuante pasojat që solli në ekonomi kriza e piramidave.

Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që nga muaji mars i këtij viti ka rritur tre herë normën bazë në ekonomi, duke e çuar nga minimum historik prej 0.5% në 1.75% në fillim të gushtit, në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit.

Guvernatori Gent Sejko deklaroi gjatë vendimit të fundit se informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se presionet inflacioniste janë më të gjera dhe më të forta se vlerësimet e mëparshme. Ky gjykim pasqyron rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet botërore, si dhe kërkesën e lartë e të qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.

Në Eurozonë, në gusht, inflacioni arriti në nivel rekord prej 9.1%. Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë vetëm po rritet.

Të dhëna të tjera të INSTAT të publikuara javën e kaluar bënë të ditur se indeksi i çmimeve të prodhimit, ndërtimit dhe importit shënoi rritje në tremujorin e dytë 2022, në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Shtrenjtimi i kostove të biznesit transferohet te produktet që ata shesin te konsumatorët fundorë.

Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,88 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,62 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,35 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,30 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,28 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,02 pikë përqindje secili./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura