Formacioni titullar i Interit në ndeshjen kundër Arsenalit ka hapur një debat të madh në Angli.Shumë mendojnë se Simone Inzagi ka “injoruar” skuadrën londineze duke bërë 6 zëvendësime dhe duke aktivizuar ata që në fakt konsiderohen jo lojtarë titullarë, por rezerva. Pavarësisht se trajneri i kampionëve të Italisë e thekson gjithmonë që në skuadrën e tij ka 23 titullarë, realisht në fushë padi disa lojtarë që nuk kanë një rol kyç në vazhdimësinë e sezonit. Bisek për shembull është rezerva e Pavarit dhe luajti në anën tjetër duke bërë një ndeshje të mirë.
Dumfris konsiderohet lojtar stoli dhe Darmian është titullari djathtas. Këtë herë luajti në të majtë për të lënë pushim një prej më të mirëve të momentit si Dimarko. Në mesfushë, vetëm Çalhanoglu është titullari fiks, dy të tjerët që luajtën nga fillimi janë zëvendësuesit e luksit për Barelën dhe Mkitarianin. Edhe në sulm, Lautaro Martinez është titullari, ndërsa Taremi ka ardhur për të bërë zëvendësuesin. Mirëpo të gjithë të mësipërmit luajtën nga fillimi dhe arritën që të dominonin në pjesën e parë. Tieri Henri mendon se kjo strategji ka ulur vigjilencën e skuadrës së Artetës dhe futbollistët mund ta kenë marrë më lehtë ndeshjen dhe u kuptua në startin e saj. Më vonë mësuan që duhet të bënin më shumë sesa maksimumin dhe të jepnin 100% sepse në të kundërt nuk do t’ia dilnin.
STRATEGJIA- Simone Inzagi ia doli më së miri që të bllokonte lojën e krahëve të Arsenalit dhe të mos e linte Sakanë që të dilte në lojën e tij më të mirë. Darmian arriti që të fitonte duele të shumta edhe me ndihmën e Zielinskit. Kur polaku u largua nga fusha e lojës ishte Mkitarian ai që dha kontribut në mbrojtje dhe më vonë Dimarko dubloi krahun. Edhe në anën tjetër ndodhi e njëjta gjë. Interi e lejoi Arsenalin vetëm që të krosonte topat, por pa u futur nga qendra në lojë të rrezikshme.
PROVINCIAL- Vetëm Liverpuli në Europë është përpara Interit. Siç shkruan “Tuttosport”, fitorja kundër Arsenalit i bën zikaltrit që të jenë në një listë skuadrash me 10 pikë, vetëm 2 larg kreut të klasifikimit në Champions. Suksesi në “San Siro” erdhi me një shpirt provinciali, ku në pjesën e dytë e zotëroi topin vetëm 28%. Pas barazimit 4-4 me Juventusin erdhi ndeshja e tretë radhazi pa pësuar gol dhe fitorja e tetë në 9 ndeshjet e fundit. Pavarësisht se shumë titullarë pushuan dhe trajneri mendoi për Napolin sërish ia doli. Nisje me vrull, për t’i lënë pastaj skenën dhe fushën Arsenalit. Është një skemë taktike sepse Interi nuk vuajti në pjesën e parë duke prodhuar raste, duke shënuar dhe duke goditur një traversë. Në pjesën e dytë u bë autobus përpara mbrojtjes, por rezistoi më së miri me skemën 4-5-1.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al