ANALIZA/ Lista e Kombëtares doli zbuluar, energjitë nuk u menaxhuan siç duhet

Sep 12, 2024 | 20:36
SHPËRNDAJE

A duhet dramatizuar kaq shumë humbja e Kombëtares me Gjeorgjinë? Në plan të parë jo, por duke synuar në një të ardhme të afërt që ky ekip të kualifikohet në Botërorin e 2026-s, patjetër që duhet t’i themi disa pika në lidhje me atë çka nuk shkoi në paraqitjen e fundit të Kombëtares shqiptare.

Silvinjo

LISTA DOLI ZBULUAR

Lista e Silvinjo për këto dy ndeshje bëri bujë, por mund të themi pa frikë se doli zbuluar. U pa me Ukrainën, gjithsej u kryen vetëm dy zëvendësime dhe po ashtu me Gjeorgjinë, ku mungonin alternativat.

Përpos mungesave, Muçi mund të bënte punë dhe gjithashtu gjetja e një numri “9” për të zëvendësuar Manajn mund të ishte e logjikshme, në mungesë të Brojës apo Dakut.

Në ndeshjen e dytë u përdor Seferi dhe pak minuta Uzuni, të cilët braziliani i ka përdorur më herët në krah. Ndoshta Tuci ose Çuni mund të kishin mundësinë e tyre.

MENAXHIMI I ENERGJIVE

Në humbjen me Gjeorgjinë u pa një ekip i sforcuar dhe kjo u vu re pas minutës së 60-ë. Kombëtarja luajti një ndeshje me ritëm të lartë kundër Ukrainës dhe 9 nga 11 lojtarë qëndruan në fushë për 90 minuta. Duke llogaritur edhe kohën e shkurtër nga ndeshja në ndeshje si edhe udhëtimin nga Praga në Tiranë, mungesa e energjive ishte diçka e dukshme dhe këtë herë mund t’u bëhej një menaxhim më i mirë.

ASNJË STRATEGJI

Nëse futbollistët e Gjeorgjisë e kishin një plan të qartë në kokën e tyre për ndeshjen me ne, kuqezinjtë nuk dolën me një strategji të qartë në fushë, duke qenë shpeshherë konfuzë në lojën e tyre dhe atë që kërkohej për t’u ndërtuar nga trajneri Silvinjo. Kur diçka nuk shkon, mungesa e një plani B, u pa gjatë takimi.

SHUMË LOJË HORIZONTALE

Ndryshe nga ndeshja me Ukrainën, në sfidën e dytë kuqezinjtë u panë të luanin vetëm me pasime horizontale. Është normale kur një ekip mbyllet mbrapa dhe të detyron të qarkullosh topin, por Kombëtarja jonë i ka cilësitë për të bërë edhe disa vertikalizime, apo për të tentuar diçka më shumë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura