Karlo Ançeloti ka qenë mjaft i kënaqur pas fitores së Realit ndaj Getafes që i ka dhënë mundësi ta shkurtojë dhe me tri pikë të tjera diferencën me Barcelonën kryesuese. Tashmë “Los Blancos” e kanë në dorën e tyre parakalimin, nëse arrijnë të fitojnë ndeshjen e prapambetur kundër Valencias. Në konferencën për shtyp pas takimit, Ançeloti ka folur dhe për Mbapenë, i cili duket se është çliruar pas golit të shënuar dje.
NDESHJA – “Jam i kënaqur me paraqitjen e bërë nga skuadra. Kam parë në fushë një skuadër të ekuilibruar, që kishte zbritur në fushë me qasjen e duhur. Ka qenë një ndeshje që e kemi kontrolluar mjaft mirë dhe e kemi fituar me meritë”.
MBAPE – “Ai ka luajtur shumë mirë, ka qenë mjaft aktiv në lojë dhe i rrezikshëm si gjithnjë. Për më shumë ka shënuar një gol mjaft të bukur. Duke nisur dhe nga vështirësitë që ka kaluar, ai ka luftuar. Personalisht jam i kënaqur duke parë sjelljen e tij dhe përpjekjet e paraqitjen në fushë. Kjo është ajo çfarë duam prej tij”.
GJUAJTËSIT E PENALLTIVE – “Vinicius nuk ishte aty, rendi ishte MbapeVinicius. Kundër Getafes duhej të zgjidhnim një ndërmjet Bellingam ose Mbape. Ata të dy folën mes tyre dhe të dy zgjodhën Bellingamin. Njerëzit e mbështetën sepse ishte e drejtë”.
RENDITJA – “Tani ndihemi më mirë, më komodë. Nuk kanë qenë javë të lehta. Ka qenë një nisje e ndërlikuar, por pavarësisht kësaj ne jemi aty për të luftuar për kreun. Kjo është shumë pozitive dhe na jep besim për më tej”.
“Unë e shoh ndryshe çështjen e zëvendësimeve. Një trajner nuk ka për se të ndryshojë lojtarë të cilët janë duke luajtur mirë. Ndryshimet bëhen për një qëllim të caktuar. Unë kam bërë ato ndryshime që mendoj se përmirësuan skuadrën. Kur gjithçka shkon mirë nuk ka arsye për zëvendësime”.
PUBLIKU DHE MBAPE – “Kjo është një tjetër gjë pozitive nga kjo ndeshje. Publiku e ka kuptuar momentin e tij delikat dhe e ka mbështetur”
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al