Sipas një sondazhi të ri, Nënpresidentja Kamala Harris gëzon një mbështetje më të madhe mes votuesve amerikanë me origjinë aziatike, ata nga Havai dhe amerikanët me orgjinë nga ishujt e Oqeanit Paqësor, sesa ish-Presidenti Donald Trump. Këto grupe votuesish kanë gjithashtu më shumë gjasa të besojnë se ajo është kandidatja që përfaqëson më mirë pikëpamjet e tyre politike.
Sondazhi i ri nga organizata “AAPI Data” dhe “APIAVote” zbulon se rreth 6 në 10 votues amerikanë me origjinë aziatike kanë një opinion të favorshëm për kandidaten demokrate Harris, ndërsa rreth një e treta kanë një pikëpamje të pafavorshme për të. Vetëm 3 në 10 votues të këtij grupi kanë një pikëpamje pozitive për kandidatin republikan Donald Trump dhe rreth dy të tretat kanë një mendim negativ për të.
Anketa tregon shtimin e mbështetjes për zonjën Harris nga tetori i vitit 2023, kur një sondazh i agjencisë së lajmeve Associated Press, Qendrës NORC dhe organizatës “AAPI Data” gjeti se rreth gjysma e të rriturve të këtij grupi votuesish kishin një pikëpamje të favorshme për të. Opinionet e votuesve të këtij grupi për zotin Trump nuk patën ndonjë ndryshim.
Kamala Harris, me origjinë zezake dhe aziatike, ka punuar për të fituar mbështetjen e këtyre grupeve votuesish në shtetet e pavendosura si Xhorxhia, ku numri i tyre po rritet. Por ndërsa sondazhi tregon se votuesit amerikanë me origjinë aziatike dhe nga ishujt e paqësorit kanë shumë më shumë gjasa të shohin identitetin e tyre kulturor të pasqyruar tek ajo sesa tek zoti Trump, rreth gjysma e tyre thonë se zonja Harris përfaqëson më mirë origjinën dhe kulturën e tyre krahasuar me rreth 1 në 10 që thonë këtë për zotin Trump. Nuk është e qartë se si do të ndikojë kjo në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Vetëm rreth 3 në 10 votues të këtij grupi thonë se identiteti aziatik i zonjës Harris është jashtëzakonisht apo shumë i rëndësishëm për ta. Rreth 7 në 10 amerikanë me prejardhje nga India e shohin zonjën Harris si kandidaten që përfaqëson më mirë prejardhjen dhe kulturën e tyre, gjë që është më e lartë se amerikanët me origjinë aziatike në përgjithësi.
Ping Hackl, një 27-vjeçare kinezo-amerikane, e cila jeton në Tulsa të Oklahomës do të votojë për zonjën Harris, por jo për shkak të racës apo gjinisë së kandidates demokrate.
“Nuk më intereson vërtet. Ajo mund të jetë kushdo”, tha zonja Hackl.
Zonja Hackl thotë se për të ka rëndësi mbrojtja e demokracisë dhe shmangia e përçarjeve, që mund të çojnë në dhunë politike. Ajo mendon se zoti Trump “është shumë i rrezikshëm për vendin”.
Në fakt, sondazhi tregon se gjinia e zonjës Harris mund të jetë më e rëndësishme për votuesit amerikanë me prejardhje aziatike sesa prejardhja e saj racore. Ndërsa fushata e zonjës Harris ka shmangur theksimin se ajo mund të jetë presidentja e parë grua, rreth gjysma e votueseve me prejardhje aziatike thonë se identiteti i saj si grua është jashtëzakonisht apo shumë i rëndësishëm.
Rezultatet e anketës sugjerojnë se votuesit amerikanë me orgjinë aziatike dhe nga ishujt e paqësorit mund të jenë më të prirur të kontaktohen nga ekipet e fushatave të demokratëve. Rreth 4 në 10 votues të këtij grupi thanë se janë kontaktuar nga Partia Demokrate “shumë” ose “disa” herë vitin e kaluar, ndërsa rreth 3 në 10 thanë të njëjtën gjë për Partinë Republikane.
Ish Presidenti Donald Trump dhe kandidati republikan për postin e nënpresidentit, JD Vance, kohët e fundit u kanë bërë jehonë gjithashtu stereotipeve të vjetra për amerikanët me origjinë aziatike dhe ushqimin e tyre duke përforcuar thashethemet e rreme se emigrantët nga Haiti në Springfield të Ohajos po hanë kafshë shtëpiake.
Anketa tregon se çështja e racizmit është shumë e rëndësishme për këtë grup grup votuesish. Rreth 7 në 10 votues me orgjinë aziatike apo nga ishujt e paqësorit thonë se “nuk do të mund të votonin kurrë” për një kandidat që nuk ndan pikëpamjet e tyre mbi racizmin apo diskriminimin, duke e bërë atë një çështje më të rëndësishme sesa ekonomia.
Megjithatë, jo të gjithë votuesit me origjinë aziatike dhe nga ishujt e paqësorit kanë pikëpamje negative për zotin Trump. Jihua Ma, një shtetas amerikan 45-vjeçar me origjinë nga Kina, që jeton në Boston, është republikan dhe votoi për zotin Trump në vitin 2020. Ai mendon se zoti Trump është ende udhëheqësi më efektiv në këtë garë presidenciale.
“Unë po zgjedh dikë që të drejtojë vërtet këtë vend, jo dikë që të jetë një mik, një person i mirë”, tha ai për zotin Trump.
Jihua Ma dëshiron dikë që do të kontrollojë inflacionin dhe kufirin, dhe ai nuk është i kënaqur me propozimet e zonjës Harris për këto çështje./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al