“Antikultura” e studimit të Albert Nikollës! Autori nuk kufizohej kronologjikisht brenda vitit 1968

Sep 18, 2024 | 12:38
SHPËRNDAJE

Akademik SHABAN SINANI/ Në Shqipëri dhe në Kosovë breznitë kanë pasur gjithnjë një rol kthesash në historinë kulturore dhe në atë shoqërore. Studiuesit e mesjetës janë shprehur se Kastriotët u bënë protagonistë të qëndresës arbërore në kapërcyell të ndryshimit të breznive. Historianët janë të prirur të mendojnë se masakra osmane e Manastirit (1930) u projektua dhe u realizua pikërisht për të likuiduar një brezni që kishte filluar të mendonte shqiptarisht. Letërsia sociale u shndërrua në prirje zhvillimi kulturor me Brezin e viteve 1930. Moderniteti i dytë i letërsisë shqipe ia ndryshoi drejtimin zhvillimit të saj me yllësinë e Brezit të viteve 1960. Në Kosovë Brezi 1968, Brezi 1981 dhe Brezi 1998 përbëjnë shtyllat e historisë kombëtare.

53

Monografia e Albert Nikollës “Antikultura” e 68-ës në Shqipëri është e para që i kushtohet konceptit brezni në zhvillimin e përgjithshëm të vendit në një periudhë të mbushur me qëllime, kahje e lëvizje kontroverse, në një sfond të përgjithshëm europian e botëror gjithashtu tejet të ndërlikuar.

Autori ia ka dalë të shkëputet prej njësimit terminologjik të breznisë me elitën, që shpesh e ka deformuar qëllimin dhe përfundimin shkencor në kërkime. Kjo i përgjigjet realitetit që kishte jo vetëm Shqipëria, por globalisht Njerëzimi. Breznitë shkaktojnë tronditje të mëdha qytetare, kulturore e sociale duke vepruar sipas devizës “et pluribus in unum”. Elitat shquhen për protagonizëm individual.

Libri i Albert Nikollës shpjegon për herë të parë që Brezi 1968, me pamjen e vet sa të vrazhdë aq dhe shkundulluese për rendin e mëparshëm, nuk ishte një zhvillim ishullor; një vullkan që u ndez e u shua kur deshi lidershipi politik; por pjesë e historisë europiane e botërore të atij pështjellimi që ndodhi në atë vit, me shpërthimin e lëvizjeve dhe rebelimeve anarkiste, majtiste, që vunë në provë për here të parë rendin botëror të vendosur pas fitores së antifashizmit, eficiencën e republikanizmit dhe të demokracisë së gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Status quo-ja u prish: rinia dhe studentët e refuzuan edukimin skolast dhe doktrinar (We don’t need no education); më në Perëndim, në SHBA, u refuzua vendosmërisht paraqitja e luftës në Vietnam si çështje patriotike dhe heroizmi (The unfortunate soldier). Në Europën e Lindjes mori fund madhështimi i sovjetizimit. Më në Lindje ende, në Kinën e vitit 1968, në epokën e dacibao-ve, qindra milionë qytetarë, shtetas të bindur e të pabindur, u ngritën në një lëvizje popullore me karakter skajshmërisht të majtë.

Me studimin e tij monografik Albert Nikolla ia ka dalë të provojë se, në këtë kontekst, Shqipëria nuk kishte nga ia mbante, do të përfshihej objektivisht në epokën e ndryshimit. Tirana, shtypi i saj, brohoriste çdo ditë për lëvizjet e mëdha studentore (më pas dhe të punëtorisë) në Europë, nga njëra anë; ribotonte artikujt e Zhenminzhibao-s për revolucionin kulturor nga ana tjetër dhe, po në atë kohë, merrte vendimin historik për të dalë nga Traktati i Varshavës dhe për të mbështetur popullin e Çekosllovakisë në qëndresën e vet, qoftë dhe në formën e protestës pasive si vetëdjegia heroike e të riut Jan Palach në një shesh të Pragës.

Pajtohem me autorin që fillimin e lëvizjeve të rinisë shqiptare të Brezit 1968 e cilëson antikulturë ndër thonjëza, sepse ajo që ndodhi, në mendjen e dijetarit – jo dhe të politologut, bie fjala – nuk mund të disiplinohet brenda një kallëpi. Nismat e 1968-ës kishin një përbërëse krejt të ngjashme me lëvizjen zenitiste të ish-Jugosllavisë së parë monarkike të periudhës ndërmjet dy luftërave, që nxiti antieuropeizmin e shkatërrimin, madje në emër të epërsisë së kulturës së pacenuar të fshatit; po aq edhe furinë kundër së vjetrës që kishin shpallur futuristët më 1908 (duke përfshirë urrejtjen kundër muzeve, akademive, universiteteve dhe … institucioneve të kultit); ca më shumë dhe disa prej sloganeve të njohura të revolucionit kulturor kinez. Udhëheqësìa e nxiti shpërthimin, por a e donte vërtet? Siç del nga studimi i Albert Nikollës, e donte, sepse ishte e pashmangshme, por të kontrolluar prej asaj vetë. Dhe kjo shpjegon pse në fytyrën e Brezit 1968 bashkohen e njësohen edhe akulturimi, edhe emancipimi; edhe shkatërrimi i projektuar nga lart, edhe kontestimi i bazave të sistemit politik, së paku në letërsi e arte. Kjo e bën studimin një libër të të vërtetave ashtu siç kanë qenë, pa fshehur njërën gjysmë dhe zmadhuar gjysmën tjetër.

Do të kishte qenë metodologjikisht e gabuar që autori të kufizohej kronologjikisht brenda vitit 1968, sepse ngjarjet e mëdha, për mirë a për keq qofshin, edhe sikur të kenë një projekt, nuk i respektojnë fanatikisht kalendarët. Duke e konsideruar Brezin 1968 si shenjues të zhvillimeve të gati një dekade, Albert Nikolla vjen deri tek Plenumi i katërt (1974) e pak më këndej, sepse e ndien që e ka për detyrë të japë përgjigje edhe për disa pyetje që deri më sot kanë marrë përgjigje të mjegullta. Një ndër to është Festivali i 11-të i Këngës në RTSH, për të cilin edhe vetë protagonistët herë pas here janë përgjigjur me naivitet: Nuk e dimë si erdhi ajo goditje, po të ishte për liberalizëm Festivali i 10-të ishte edhe më keq. Libri i Albert Nikollës na vjen në ndihmë të kuptojmë se pikërisht atëherë, me sytë e lidershipit, raporti midis antikulturës dhe kulturës; midis shkatërrimit dhe prirjeve për ndryshim; midis lëvizjeve nën kontroll dhe atyre jashtë kontrollit, ishin bërë të rrezikshme, sepse tashmë nuk po ndodhte një harxhim energjish sipas adresimit nga lart, por një dukuri e ngjashme si në Europë.

Shkurt, nuk mund të vazhdohej më hipokrizia: Mbështesim lëvizjet demokratizuese studentore në Perëndim, por këtu brenda lëvizet të jenë siç i duam ne. Kjo shpjegon pse me Plenumin e 4-t realisht u mbyll përbërësja vetëvepruese e Brezit 1968 dhe përbërësja e kontrolluar nga lart u bë edhe më e skajshme (shkrimtari që vjen nga klasa punëtore, heqja dorë nga honorari, edukimi në gjirin e masës, shkrimtari si ndihmës ideologjik, ateizmi shtetëror. “Antikultura e 68- ës në Shqipëri është një libër i mirëseardhur, i shkruar nga një studiues i ditur, që është thelluar në kërkime dhe që në krye ka vendosur të mos ndjekë rrugën e arsyetimeve që mund të të vijnë ndërmend me të parën herë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura