Apeli i GJKKO-së i dyfishoi masën e dënimit për tjetërsimin e tokës te “Rana e Hedhun”, Fran Frrokaj nuk gjendet në shtëpi! Policia: U arratis

Dec 26, 2024 | 8:18
SHPËRNDAJE

Me vendimin e formës së prerë në duar për t’u rikthyer në burg, policia ka shkuar të ekzekutojë këtë vendim për ish-kreun e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.

fran frrokaj rana e hedhun

Tri ditë më parë, Apeli i GJKKO-së kërkoi kthimin në burg të tij, për shkak se ia dyfishoi masën e dënimit, shkak që me sa duket, ka bërë që Frrokaj të mos i presë në banesë prangat, e aq më tepër në ditët e Krishtlindjeve. Policia ka bërë me dije se ai nuk është gjendur në shtëpi, ndërkohë që nga kontrollet në sistemin TIMS rezulton që ai nuk ka dalë nga territori i Shqipërisë, por ende nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij.

Ishin prokurorët e SPAK-ut, Dritan Premçi dhe Vladimir Mara, që nxorën urdhrin për ekzekutimin e dënimit menjëherë pas dënimit, por Frrokaj është ende në kërkim për t’u rikthyer në qeli. Sipas informacioneve dhe verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet në territorin e Shqipërisë, ndërkohë vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe zbatimin e vendimit të gjykatës.

Të hënën e kësaj jave, Gjykata e Apelit të Posaçëm, e dënoi me 4 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokajn, pasi u gjet fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tjetërsimin e 66 mijë m2 prona në vendin e njohur si “Rana e Hedhun” si dhe për 2 leje ndërtimi të paligjshme. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 2.8 vjet burgim, dyfishin e dënimit që Frrokaj mori nga Shkalla e Parë.

Përveç Frrokajt, gjykata ndryshoi vendimin edhe për ish-zyrtarët e Bashkisë së Lezhës, Bledar Cara dhe Juxhina Memën. Cara, ndryshe nga shkalla e parë që pushoi hetimet, u dënua nga apeli me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Edhe për Juxhina Memën u dha i njëjti vendim, por dënimi me burg u pezullua dhe u caktua shërbim prove për 5 vitet e ardhshme. Ndërsa sipërfaqja e tokës prej 66 mijë metra katrorë në zonën e “Ranës së Hedhun” u konfiskua dhe kaloi për llogari të shtetit.

Hetimet për përvetësimin e kësaj sipërfaqeje me vlerë rreth 13 milionë euro nisën që në vitin 2019. Nga hetimi ka rezultuar se punonjës të administratës së ish-Komunës Shënkoll mes të cilëve dhe Fran Frrokaj në atë kohë kryetar i kësaj komune, kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona. Frrokaj është dënuar me 2 vite burg edhe nga Gjykata e Shkodrës, që lidhet sërish me tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit, por përfitoi nga amnistia muaj më parë dhe në 24 prill 2024.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura