U ndanë mbrëmë çmimet e përvitshme të artit bashkëkohor.
Fituese edhe e “Onufri 2012”, artistja shpallet fituese me një video mbi jetën në çift.
Një vit i mbarë për Alketa Ramajn. Pas çmimit “Onufri 2012”, me një kërkim mbi jetën në çift është shpallur fituese e çmimit “Ardhje 2013”. Në një kënd të veçuar të Tiranës, i rikthyer në jetë për shkak të të rinjve që e gjallojnë sa herë atje zhvillohen aktivitete, për të shtatin vit, T.I.C.A –Tirana Institute of Contemporary Art ndau çmimin “Ardhje 2013”. Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua mbrëmë në galerinë alternative “Tirana Ekspres” tek ish-magazinat pas stacionit të trenit. Këtë vit, për të fituar të drejtën e një rezidence 6-javore në New York, kanë garuar mes tyre artistët Alketa Ramaj, Endri Dani, Klodian Deda, Matilda Odobashi dhe Ivi Topp. Emra që kanë filluar të bëhen të përhershëm tashmë në panoramën modeste të artit bashkëkohor shqiptar. Qysh se u themelua, qëllimi i këtij çmimi është promovimi i artistëve të rinj në artet pamore në Shqipëri, të cilët përmes mediumeve të ndryshme hulumtojnë në problematikat e përditshme. Ekspozita e këtij viti u organizua nën kujdesin e artisteve Sonja Lau dhe Alketa Kurrizo – Koordinatore Programi, të cilat kanë punuar që të bëjnë bashkë vepra dhe koncepte të ndryshme. Edhe pse të gjithë artistët i takojnë pak a shumë të njëjtit brez, qasjet e tyre ndaj problematikave të zgjedhura janë tërësisht të ndryshme. Dikush ka zgjedhur videon, një tjetër videoinstalacionin, fotografinë…
Konkurrentët
Ndërsa e ka ndarë jetën mes Tiranës, Venecias e Vjenës, Alketa Ramaj, fituese e “Onufri 2012”, u paraqit në këtë edicion me një video “Pa Titull”, që reflekton mbi marrëdhënien në çift. “Nën një tis poetik Ramaj synon të tregojë se ajo që në fakt tingëllon si një rutinë monotone e të jetuarit bashkë, është në vetvete një luftë e fshehtë për të dominuar, e frymëzuar nga pasiguria e cila nuk mund të shquhet mbi lëkurën e protagonistëve”. Endri Dani vjen me një cikël të titulluar “PALIMPSESTS”, në të cilin përpiqet të “gërmojë” në atë çka quhet identitet i shqiptarëve. Ai kërkon nën atë çka duket (simbolikisht duke gërryer veshjet popullore te ca statuetave prej terakote) për të nxjerrë atë çka është thelbi. I diplomuar në Akademinë e Breras në Itali dhe pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme artistike në Venecia, në New York e Millano, Klodian Deda trajton temën e riciklimit, si pikënisja e një hulumtimi mbi “mbeturinat njerëzore” si në sensin e parë dhe atë negativ të fjalës, ku çështja e ndotjes shihet si problem i qenies njerëzore që po “dekoron” dhunshëm natyrën. Matilda Odobashi risjell në një formë tjetër interesimin e saj të kahershëm për marrëdhënien e njeriut me hapësirën. Krahas serisë së pikturave, Odobashi sjell në ekspozitë edhe ciklin e fotografive “Jeta brenda autobusit”. Artistëve shqiptarë u bashkohet edhe një francez nga Toulouse e Francës, Ivi Topp me veprën e tij “Flakë epërjetshme” (Eternal Flame), një instalim i komplikuar që prezantohet për herë të parë në Shqipëri. Gati në errësirë të plotë nga një piramidë qelqi buron njëherësh dritë, zë, valë dhe rrathë drithërues drite të bardhë si ata të ujit. Qelq uraniumi, UV led, dru, alumin, plastik, petxiglas, kabllo dhe qarqe elektrike, çelësa, softwere, flashlight i modifikuar, sistem zëri, video projektor, janë përbërësit e kësaj vepre-eksperiment.
Veprat e këtij edicioni u vlerësuan nga një juri, e përbërë nga kuratori Marko Antonioni, i cili vjen në Tiranë i dërguar nga Young Visual Artists Awards, që pret në New York fituesin e “Ardhje”, gazetarja Elsa Demo dhe kuratori Albert Heta nga Stacion-Center for Contemporary Art, Prishtinë.
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al