Arkitektura e qytetit të vjetër të Prizrenit, i cilësuar së voni si një ndër qytetet më të bukura të botës, do të jetë në sytë e kësaj bote për më shumë se gjashtë muaj. Ndryshimet që ka pësuar ky qytet për 100 vitet e fundit, do të paraqiten në Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias, ku Republika e Kosovës merr pjesë për të dytën herë në artin arkitektural. Rem Koolhaas, drejtori i Ekspozitës Internacionale të Arkitekturës së Bienales së Venecias, e ka emërtuar ekspozitën “Fundamentals” (Bazat), qëllimi i së cilës për këtë vit është që të prezantohet kalimi i arkitekturave regjionale dhe nacionale në 100 vitet e fundit në arkitekturën globale. Siç njofton “Zëri.info”, Gëzim Paçarizi është zgjedhur kurator i Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias. “Do të shtjellojmë rastin e Prizrenit. Kalimin e dhunshëm nga një qytet mesjetar në një qytet socialist, si dhe kalimin vullnetar në një qytet kapitalist. Prizreni është rast tipik dhe, për shkak të kohës së shkurtër, ne jemi larguar nga opsioni gjithëkosovar”, ka shpjeguar arkitekti Paçarizi. Sipas tij, në krahasim me shtetet e mëdha, të cilat kanë produksione të mëdha dhe kualitative arkitekturale, Kosova është jashtë lojës. “Skena jonë arkitektonike është e varfër dhe jashtëzakonisht e vogël. Prandaj ne jemi orientuar në një koncept, i cili është i pavarur nga këto kushte”, thotë ai. Për të paraqitur artin arkitektonik, ai thotë se i është referuar artit letrar, përkatësisht shkrimtarit Dante Aligeri dhe thënies së tij “Imagjinata është një vend ku bie shi! Kalimi i inspirimit nga qielli, Zoti, në tokë, në kokën e artistit, kalimi nga inspirimi në vepër, mund të vizualizohet si fenomeni i shiut”. Duke cituar krijuesin e “Komedisë hyjnore”, arkitekti Paçarizi thotë se imagjinata është gjithënjerëzore dhe se nuk i përket ekskluzivisht asnjë populli. “Besojmë se imagjinata është ajo e cila duhet të na drejtojë drejt një mjedisi më të mirë. Kështu, krahas prezantimit arkitektonik të Prizrenit gjatë 100 viteve të fundit, ne do të bëjmë një instalim në sallën tonë, në Venedik, me temën e shiut-imagjinatës”, është shprehur ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al